350 milionë euro

Me shitjen e klubit pronarët e rinj janë zotuar në përforcimin e skuadrës, duke premtuar 350 milionë euro investime në tri vitet e ardhshme. Emrat që kanë qarkulluar kohët e fundit nisin që nga talenti i ri argjentinas Exekiel Barko, duke kaluar tek anësori i Shalkes, Sead Kolasinaç, e për të synuar emrat bombastikë të sulmit të Realit të Madridit.
Ambicia te krerët e rinj kuqezi është e madhe, por futbolli i viteve të fundit na ka mësuar se paratë nuk janë sinonim i suksesit. Mjafton të shohim raste ku është investuar shumë, ndërkohë që trofetë kanë qenë me pikatore ose larg pritshmërive fillestare, si në rastet e Mançester Sitit apo PSG.
Sipas specialistëve, rreth ambientit Milan, skuadra ka nevojë për të paktën tri emra lojtarësh të afirmuar, përkatësisht nga një në çdo repart. Nëse mesfusha kërkon idetë dhe klasin e një lojtari si Fabregas, i pakënaqur nga aktivizimi i paktë në Londër, në sulm problemi ka më shumë se një zgjidhje.
Ideja e parë është Karim Benzema, i cili mund të humbë pozicione në hierarkitë e trajnerit Zidan në rast se në Madrid mbërrin, siç përflitet, gabonezi me pasaportë franceze, Pier-Emerik Aubamejang. Kostoja e kartonit të 29-vjeçarit shkon rreth 60 milionë euro, por për 50 mund të vishet kuqezi.
Milani mund të ketë problem rrogën e lojtarit për shkak të sistemit fiskal italian, por kuqezinjtë synojnë të bindin sulmuesin me ndihmën e sponsorit teknik “Adidas”, që rastësisht është edhe sponsori i numrit 9 merenges. Kandidatura tjetër është ajo e Alvaro Moratës.
Ish-bomberi i Juventusit ka një kosto kartoni disi më të ulët (40 mln euro), por mosha e tij e re dhe dëshira për të luajtur në Kupat e Europës mund ta pengojë arritjen e marrëveshjes. Një tjetër faktor që mund të pengojë veshjen e spanjollit kuqezi është edhe dëshira për të punuar me trajnerin Konte, ndaj të cilit ndihet mirënjohës për transferimin në aksin Madrid-Torino tri vite më parë.
Milani i ri shpalos projektet e së ardhmes. Është drejtori  i ri ekzekutiv Marco Fassone ai që tregoi me detaje planet e kuqezinjve, në epokën e kinezeve. Fassone përgjatë konferencës u mundua të qartësonte tifozët e Milanit se skuadra ka një buxhet të bollshëm që do të përdoret  për të forcuar skuadrën dhe për ta rikthyer atë në Champions League.
“Për ne është një përgjegjësi e madhe. Kemi marrë nën drejtim një skuadër të madhe. Buxheti që kemi në dizpozicion do të përdoret për të afruar në radhët e ekipit elementë cilësorë.  Objektivi ynë  kryesor është rikthimi në Champions League”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv konfirmoi se kuqezinjtë edhe për sezonin e ardhshëm do të jenë nën drejtimin e trajnerit aktual Vicenco Montella. Prioritet është rinovimi i kontratës së portierit Gianluiggi Donarumma si dhe mesfushorit Suso.  Gjithashtu ai zbuloi  dhe emrat e parë që do të synohen për tu transferuar në Milano.

Artikulli paraprakHysaj: Dua vendin e dytë me Napolin
Artikulli tjetërAnderlecht ndal Manchester United