36 familje në Babrru në grevë urie, iu shembën shtëpitë nga përmbytjet

Ashtu siç ishte paralajmëruar familjet e përmbytura në zonën e Babrrusë në kryeqytet kanë nisur grevën e urisë. Ata kërkojnë strehim, pasi banesat e tyre janë përmbytur nga Lumi i Tiranës. Brenda gjimnazit në Babrru kanë vendosur të hyjnë në grevë urie 36 familjarë. Lumi Tirana u mori shtëpitë e sajuara dhe qëndrojnë në këtë palestër prej më shumë se dy javësh. Vendosën të kyçen brenda saj për të plotësuar vetëm një kërkesë. Midis tyre janë edhe 9 fëmijë. Por nuk kanë ndërmend të tërhiqen edhe pse Bashkia e Kamzës i ka njoftuar se qeveria nuk i ka akorduar asnjë fond për strehimin.
Nuk kanë ku të shkojnë, pasi shtëpitë e tyre janë bërë të pabanueshme. Palestrën e gjimnazit “Gramoz Palushi” e kanë strehën e vetme 36 banorët që hynë në grevë urie. “Kërkojmë strehim nga shteti, asgjë tjetër. Kërkojmë kredi afatgjatë me interes të ulët që ta përballojmë”, u shprehën ata.
Ata u shprehën se shtëpitë e tyre ishin shkatërruar nga rrjedha e madhe e lumit dhe se tani nuk kishin ku të fusnin kokën. “Nuk dalim nga greva pa zgjidhje, na kanë braktisur në palestër”, shprehen disa familjarë. Një strehim nga shteti dhe kredi me interes të ulët afatgjatë, ishin dy nga kërkesat që familjet bënë në drejtim të shtetit. Familjet e zonës së Babrrusë paralajmëruan një ditë më parë se do të nisnin grevën.
Këto familje, pas përmbytjeve të javëve të fundit, u futën nga Bashkia e Tiranës në një palestër, përkohësisht, por më pas ato u lanë aty dhe asnjë zyrtar vendor nuk erdhi t’i takonte dhe t’i jepte zgjidhje për shtëpitë që u bënë të pabanueshme.
Lidhur me përmbytjet që u shkaktuan, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, tha një javë më parë se, “kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së financimeve të projekteve të Bashkisë nga qeveria. Bashkia Kamëz i ka dërguar qeverisë në mënyrë të përsëritur dhjetëra kërkesa për financimin e projekteve të kanalizimeve të ujërave të ndotura (KUN) në Bathore, Frutikulturë, Valias, Laknas, në Paskuqan 1, Paskuqan 2, në Babrru. Por zero financime ka pasur deri tani nga ana e qeverisë, çfarë ka bërë që të ndodhin edhe këto përmbytje.
Në këtë mënyrë, kjo qeveri vijon diskriminimin e qytetarëve të Kamzës e Paskuqanit, madje duke provuar mbi kurriz edhe dëmet e jashtëzakonshme, edhe sigurinë për jetën, për shkak të indiferencës së qeverisë ndaj tyre”.

Artikulli paraprakReagim i PD për TEC-in e Maliqit: Një minë mjedisore për Korçën
Artikulli tjetërBanorët e Mbrostarit: Nuk na tremb presioni i policisë