Një sondazh i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ka nxjerrë në pah një situatë alarmante për sa i përket punësimit informal në Shqipëri.
Sipas të dhënave të sondazhit, rezulton se 37% e punonjësve i deklarojnë pjesërisht ose nuk i deklarojnë fare, të ardhurat e tyre nga punësimi.
Ndërsa rreth 20% e punonjësve kanë deklaruar se kanë kontratë pune, por paga e tyre reale është më e lartë sesa ajo që deklarohet zyrtarisht; më alarmant është fakti që 17% e punonjësve punojnë pa kontratë në punën e tyre primare dhe nuk u paguhen kontribute të sigurimeve shoqërore.
Pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë kontratë janë me arsim të ulët. “Sa më i ulët niveli i edukimit, aq më pak ka të ngjarë që një punonjës të mbrohet me një kontratë punësimi”, thuhet në vrojtim. Vetëm 21% e punonjësve me arsim të ulët kanë kontrata, përkundrejt 89% me arsim të lartë.
Niveli i informalitetit është edhe më i lartë tek ata që janë të dypunësuar. 56% e punonjësve me një punësim dytësor/shtesë (përfshirë vetëpunësimin) punon pa një kontratë pune.
Të dhënat janë rezultat i vrojtimit të popullsisë, të përfaqësuar gjeografikisht dhe demografikisht, të kryer në maj të vitit 2016 (me 1102 pjesëmarrës) në Shqipëri. Sipas IDM, pyetësorët, me intervista ballë për ballë të realizuara në çdo shtëpi, janë një nga metodat e drejtpërdrejta për të vlerësuar aktivitetet e fshehura ekonomike dhe ofrojnë informacion të ndryshëm dhe kualitativ në krahasim me qasjet indirekte të përdorura në mënyrë tradicionale, të cilat zakonisht paraqesin ekonominë e fshehur në % të PBB.
Si duhet të luftohet ekonomia informale
Sipas studimit, fokusi kryesor për të luftuar punën e padeklaruar, ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të Europës Lindore është në kufizimin e shkeljeve të Ligjit të Punës. Politikat, që kanë dominuar në këto shtete, kanë qenë masat me qëllim përmirësimin e zbulimit të këtyre shkeljeve, si dhe zbatimi i ndërhyrjeve të rrepta.
Përmbajtja e Kodit të Punës, niveli i papunësisë (përfshirë nënkategoritë e tij) dhe sistemi kombëtar i taksimit, përfaqësojnë thelbin e një rrjeti faktorësh kompleksë, që përcaktojnë hapësirën dhe strukturën e punës së padeklaruar. Të luftosh ekonominë e fshehur sidoqoftë është një thikë me dy tehe. Në njërën anë, nëse qeveria dhe institucionet e saj rregullative, kanë kontroll të dobët, duke e toleruar ekonominë informale, kjo çon në humbje të rëndësishme të të ardhurave potenciale dhe përmirësimit cilësor dhe sasior të shërbimeve dhe të mirave publike.
Në anën tjetër, nëse qeveria ngutet për të përdorur nisma negative (masa ndëshkimore, zbatim më të mirë të ligjit), që përdoren për të shtrënguar fuqishëm ekonominë e fshehur, kjo mund të krijojë efekte reale problematike anësore: reduktim të të ardhurave të disponueshme dhe rritje të kostove të punës, që do të përktheheshin në rënie konsumi, rënie eksporti dhe rënie të PBB-së. Çfarë mund të vijë më vonë është një rënie në punësimin formal, në raport me punësimin e fshehur, pasi kompanitë luftojnë për rritjen e efikasitetit të çmimeve dhe produktivitetit. Kështu, monitorimi dhe menaxhimi i ekonomisë së fshehur është një akt i brishtë balancimi midis nevojës për zbatimin e masave të tanishme dhe të ardhshme dhe plotësimin e nevojave aktuale të ekonomisë në përgjithësi, në mënyrë që shoqëritë të lulëzojnë dhe të krijojnë perspektiva afatgjata.
Puna e padeklaruar është një nga shfaqjet kryesore të ekonomisë së fshehur, që ndikon te njerëzit në kuadër të një shumëllojshmërie të mjediseve social-ekonomike, e cila në të njëjtën kohë është e karakterizuar me rezultate të mundshme negative, duke filluar nga tensionet sociale, pabarazitë në rritje dhe boshllëqeve në të ardhura, si dhe të korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale.