38 leje hidrocentralesh pa leje mjedisore nga Rama

Jamarbër MALLTEZI

Edi Rama rreket t’u mbushë mendjen shqiptarëve se Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) do na garantojë për importin e mbetjeve, pasi ajo ka rritur kapacitetet e përralla të tjera.
Por kjo agjenci del se ka shkelur brutalisht disa ligje dhe konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit përgjatë 3 viteve të fundit.
Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi (në një raport të financuar nga ambasada amerikane) ka vlerësuar lejet mjedisore të dhëna për ndërtim HEC-esh nga janari 2014 deri në qershor 2016, ku është zbuluar se për 38 HEC-e (nga 43 në total), miratimi është dhënë pa kryer fare Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të tyre!
Të dhënat që mungojnë përfshijnë gjatësinë e lejuar të devijimit të lumit, ndërkohë që asnjëri nuk përmban kushtet për masat që duhen marrë për mbrojtjen e habitateve dhe llojeve biologjike që do të ndikohen nga projekti i miratuar.
Pra, agjencia që sipas Ramës do të na mbrojë nga mbetjet e rrezikshme po shkel ligjet e biodiversitetit dhe të menaxhimin të integruar të burimeve ujore, si edhe disa konventa ndërkombëtare, si ajo e Bernës dhe e Bonit, të dyja të nënshkruara nga Shqipëria.
Ironia shtohet kur mendon që më 2014, Aleanca e Plehrave futi duart dhe ndryshoi ligjin për lejet mjedisore të hartuar nga BE, veç për të detyruar edhe dyqanet e vogla të lagjeve të banimit të marrin leje mjedisore pas kryerjes së detyrueshme të vlerësimit mjedisor.
Këtu kam një procesverbal të nënshkruar nga zuzarët e qeverisë që terrorizojnë një fast-food veç 6 m2 me 5 milionë lekë gjobë nëse nuk do të paguajë për vlerësim dhe leje mjedisore tek sekserët e qeverisë.
Pra, Aleanca e Plehrave jep leje mjedisore pa proces të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për HEC-e, që cenojnë qindra hektarë dhe ndryshojnë rrjedhën ujore për dhjetëra km (përfshi HEC-e në Valbonë, Librazhd dhe Korçë), por detyron kthinat e qofteve me 5 m2 të kryejnë VNM dhe të pajisen me leje mjedisore!
Rilindasit janë sulur nëpër dyqane dhe biznese si hiena për ryshfete, duke keqpërdorur ligjin e lejeve mjedisore. Të gjitha këto janë kriminale.
Partia Demokratike denoncon shkeljet flagrante të ligjeve dhe konventave mjedisore nga qeveria për miratimin e HEC-eve pa VNM. I bën thirrje Prokurorisë të hetojë për këto shkelje. Kërkon studime të thelluara për ndikimet mjedisore të çdo ndërhyrje madhore në mjedis.
Shqipëria do të jetë më mirë pa Aleancën e Plehrave.
Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.

Exit mobile version