Mesfushori brazilian i Çelsit, Oskar, nga janari e më tej do të jetë futbollisti më i paguar në botë. Ai do të transferohet nga blutë e Londrës drejt Kinës te ekipi i Shangai SIPG. Nga ky transferim Çelsi pritet të përfitojë 52 milionë paund, një shumë e konsiderueshme të ardhurash.
Por ai që do të përfitojë më shumë nga ky transferim është vetë futbollisti, i cili do të shndërrohet në më të paguarin në botë. Plot 400 mijë paund në javë, ose 20.8 milionë paund në vit do të paguhet braziliani nga ekipi kinez ku luan dhe bashkëkombasi i tij, Hulk, i cili paguhet 317 mijë paund në javë.
Sipas përllogaritjeve matematikore, paga e Oskarit do të jetë 57,143 paund në ditë ose 2,381 paund në orë, ose 39 paund në minutë, shifra vërtet marramendëse. Me këtë kontratë, braziliani do të lerë pas vetes emra si Kristiano Ronaldo, Mesi apo Bejl.
Për shkak të kontratës së Oskarit me Shangai SIPG, sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez, i cili sapo ka rinovuar kontratën e tij me një pagë 240 mijë paund në javë, nuk mund të futet në listën e 10 futbollistëve më të paguar.