4 milionë euro Lazios për Berishën

Në Bergamo ai i ka bindur të gjithë. Një meritë të padiskutueshme në suksesin e Atalantës gjatë këtij sezoni e ka pikërisht ai, Etrit Berisha. I transferuar nga Lazio te skuadra zikaltër në formë huazimi, portieri i kombëtares shqiptare është kthyer në një lider të vërtetë te Atalanta. Falë edhe sigurisë që ka përcjellë 28-vjeçari mes shtyllave në 20 takimet që është aktivizuar në këtë sezon, Atalanta ka arritur të zhvillojë një sezon fantastik dhe po lufton me Lazion, Interin e Milanin për një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e Atalantës kanë gjetur te Berisha portierin për të cilin kishin nevojë dhe tashmë kanë nisur për të blerë përfundimisht kartonin e kuqeziut nga Lazio.
Sipas asaj që raporton faqja e specializuar “Tuttomercatoweb”, Atalanta i ka bërë një ofertë të parë klubit bardhekaltër për Berishën, por 4 milionë eurot e vendosura në pjatë nga drejtuesit bergamaskë janë konsideruar shumë pak nga presidenti i Lazios, Lottito dhe drejtori sportiv, Igli Tare. Për të lënë përfundimisht të lirë lojtarin, bardhekaltërit kërkojnë 7 milionë euro, gati dyfishin e shumës së ofruar nga Atalanta për 28-vjeçarin. Megjithatë duke patur parasysh dëshirën e Berishës për të vazhduar karrierën në Bergamo gjasat janë që të dy klubet të gjejnë një rrugë të mesme duke arritur një marrëveshje. Atalanta dhe Lazio do të ulen sërish në një tryezë për të biseduar pas festës së Pashkëve dhe gjasat janë që Etrit Berisha të shndërrohet në çdo efekt një futbollist i klubit zikaltër.

Artikulli paraprakDy trafikanët e drogës që po drejtojnë fushatën e Ditëziut
Artikulli tjetërPikat kufitare, tre milionë euro vlera e mallit kontrabandë