4 milionë Euro shpenzim për poçat në rrugën Tiranë-Kashar

Autoriteti Rrugor Shqiptar në analizën vjetore për vitin 2015 ka raportuar se janë shpenzuar 548.7 milionë lekë (rreth 4 milionë euro) për sinjalistën e Autostradës Tiranë-Durrës dhe segmentin Kashar-Rinas, që përbën gati gjysmën e shumës së shpenzuar në total në vend për këtë qëllim në 2015-n.
Është lehtësisht e verifikueshme nga një udhëtim nga Tirana në Durrës, që pjesa më e madhe e fondeve është shpenzuar për segmentin Tiranë-Kashar, sinjalistika e cilit është dukshëm më cilësore e moderne se e segmentit tjetër nga Kashari në Durrës, që përveçse nuk ka ndriçim, asfalti, sa vjen e po amortizohet nga dita në ditë , duke u kthyer në stres dhe kosto (amortizim automjeti) për këto që e përshkron atë .
Autoriteti Rrugor shpenzoi gjithsej vitin e kaluar për sinjalistikën 1,2 miliardë lekë (8.5 mln euro). Autoriteti ka arritur të shpenzojë gjysmën e fondeve që u vu në dispozicion për mirëmbajtjen e sistemit rrugor me 2015.
Loti i parë i projektit “Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore” kushtoi 246 milionë lekë.
“Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdimi i Lot2 “ kushtoi 337.5 milionë lekë.
Ndërsa vendosja e mbikalimeve për këmbësorë në aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë ishte 51 milionë lekë dhe implementimi i Sistemit te Menaxhimit te Trafikut 19,9 milionë lekë.
Në një raport të mëparshëm Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se auditimi i zbatimit të punimeve të objektit “Përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmentin rrugor Kashar-Rinas” Loti 1, rezultoi një përfitim i padrejtë nga ana e sipërmarrësit të punimeve në vlerën 11.2 milionë lekë.
KLSH ka kërkuar që të hetohen dhe 5 punonjës të tjerë të ARRSH-së për abuzimet në projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë- Durrës. Sipas KLSH përgjatë periudhës së përgatitjes së dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës së prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës”, janë bërë disa investime nga institucione të tjera me fonde të buxhetit të shtetit, investime të cilat me zbatimin e projektit të zgjerimit të superstradës “Tiranë-Durrës”, do të mbivendosen, ribëhen apo prishen plotësisht.
Shpenzimet për sinjalistikën:
Përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmenti Kashar-Rinas 548,783,997
Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdimi i Lot 1 246,178,177
Plotësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore, vazhdimi i Lot2 337,547,268
Vendosja e Mbikalimeve për këmbësorë në aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë 51,000,199
Implementimi i Sistemit te Menaxhimit te Trafikut 19,991,400
TOTALI 1,203,501,041

Exit mobile version