4 muaj përpara zgjedhjeve, Joni Myshketa i PD-Demokratët Euroatlantikë Durrës: Politika duhet të ketë moral dhe koherencë, vetëm ashtu mund të sjell ndryshimin

Nga Joni Myshketa

Ndodhemi sot 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe situata është më e nderë se kurrë në lidhje me ndryshimin e drejtimit të qeverisë së ardhshme, që duket kaq i pamundur…

Situata politike është tejet toksike dhe realisht shpreh qartë dhe gjendjen e një vendi në tërësi.

Gjërat që në dukje janë kaq të thjeshta sa në çdo bisedë me miq, kolegë e qytetarë të shumtë shprehet i njëjti shqetësim: që Rama është i “pathyeshëm”. Dhe kjo jo sepse është një supernjeri a superpolitikan, por sepse nuk ka vullnet politik nga kampi opozitar, i shkërmoqur si një gotë e thyer në qindra grimca qelqi të shpërndara kuturu.

Duhet kuptuar që çdo kush prej nesh nuk mund t’i shpëtojë gjykimit të kohës si pasojë e veprimeve të bëra gjatë rrugëtimeve tona, e aq më tepër politikanët që janë në qendër të vëmendjes dhe pasojat e tyre i vuan një vend i tëri, si në rastin tonë. Andaj duhen lënë mënjanë tifozllëqet qorrazi dhe duhet që arsyeja të prevalojë mbi impulsivitetin e idhujtarinë, e cila është e dënueshme që në krye të herës, gdhendur qartë në librat e shenjtë.

Ndodhemi 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare e shumë larg ndryshimit të kursit të një politike që duhet të kishte kapitulluar me kohë.

Aktorët e faktorët politikë duket qartazi që nuk kanë vullnet për t’i shërbyer një herë të vetme vendit e njerëzve që i kanë mbështetur e i kanë dhënë më tepër se ç’kanë merituar deri më sot, por nuk po duken në horizont shenjat për t’ua shlyer sado pak këtë borxh jetik mbarë vendit.

Situata është mëse e qartë dhe nëse kërkohet t’i jepet shpresë vendit, rruga është vetëm një: sinergjia e të gjitha kampeve opozitare dhe qytetarëve për të shkuar në një përballje elektorale vlerash, e jo në emër të kryetarëve për një herë të vetme, por në emër të interesave të vendit dhe qytetarëve.

Politika duhet të ketë brenda saj moral, koherencë e dashuri për të ndryshuar kurs atëherë kur gjërat nuk shkojnë, e jo kafshime mes vetes, ku qartazi vihet re gjilpëra e peshores së interesave personale, shumë larg misionit të të qenit politikan.

Pra, nëse vazhdohet përsëri me retorikë shterpe, boshe, mediokre, duke mbjellë dasi që i shkon përshtat vetëm këtyre “pashallarëve” e ortakëve të tyre të dukshëm e të padukshëm, që po menaxhojnë të ardhurat tona, resurset tona, jetët tona, 2025-ta do të vazhdojë me serialin që po përjetojmë tash e 12 vite në mënyrë të imponuar.

Dhe të nesërmen na e kurseni atë diskun që e kemi dëgjuar shpesh këto kohët e fundit, që “na vodhën” e “me krimin nuk bëhen zgjedhje”, etj., etj., me radhë.

Nuk ka votë që vidhet e rrugaç që mund të tjetërsojë vullnetin e votës, kur krijohet fryma për të ndryshuar, sado mekanizma ka në dorë pushteti, para korrupsioni e ortakëri me grupe kriminale, që janë realitet i ditur nga të gjithë ne tashmë. Por ajo që i zhbën të gjitha këto është kur njerëzit të ndjekin, kur shohin se ke vullnet real, je i vërtetë, koherent e mbi të gjitha ke dashuri për vendin.

Ndodhemi 4 muaj para zgjedhjeve…

Artikulli paraprakAnçeloti pas humbjes turpëruese në finalen e Superkupës: Bëmë gjithçka keq, Mbape e tregoi veten
Artikulli tjetërShitu