4 ndeshje dënim

Federata angleze e Futbollit vepron me dorë të hekurt ndaj Arsene Wenger, i cili u bë protagonist në sfidën kundër Burnley, duke përdorur madje edhe duart ndaj arbitrit të katërt të ndeshjes. 4 ndeshje pezullim u dënua trajneri francez i “Topçinjve” që protestoi gjatë pas atij 11 metërshi të dhënë në favor të Burnley, madje ai nuk u ndal me gjestet jo etike edhe në hyrje të tunelit duke kundërshtuar gjyqtarin e katërt Anthony Taylor, i cili i kërkoi me këmbëngulje të largohej. 67-vjeçari akuzohet për abuzim verbal dhe shtyrje ndaj arbitrit. Sipas të gjitha gjasave, Wenger do të rikthehet në pankinë në datën 11 shkurt për ndeshjen e kampionatit kundër Hull City.
Edhe pse në përfundim të ndeshjes kundër Burnley ai kërkoi falje duke theksuar se nuk duhej ta kishte kryer atë gjest, Federata nuk e ka marrë aspak parasysh reflektimin e 67-vjeçarit, i cili kërkon të rikthehet te titulli kampion gjatë këtij sezoni. “Nuk ishte një gjest i shtyrë nga instinktet dashakeqe, por unë në asnjë mënyrë nuk duhet ta bëja një gjë të tillë. Ishte një moment shumë i keq për mua”, theksoi Wenger që tashmë duhet ta drejtojë skuadrën nga shkallët e stadiumit në 4 ndeshjet e ardhshme.
Ndërkohë, Manchester City e pranon zyrtarisht se Federata e Futbollit ka nisur një hetim për çështjen e dopingut, pasi zyrtarët e klubit kanë devijuar disa herë testet duke modifikuar oraret dhe vendet e stërvitjes. Klubet janë të detyruara të japin detaje për orarin dhe vendin e seancave stërvitore, por City nuk e ka bërë një gjë të tillë në të paktën tri raste dhe tashmë rrezikon të përballet me një vendim shembullor. Në fakt, akuzat në drejtim të Citizens nuk janë surprizë sepse këtu bëhet fjalë për një klub të madh dhe në këtë rast edhe vëmendja e autoriteteve është më e madhe.
Gjithsesi, lajmi i mirë për tifozët e Manchester City është se nuk bëhet fjalë për emra konkretë lojtarësh, por për devijim përgjegjësie nga ana e klubit. Nuk dihet ende nëse Manchester City rrezikon të përballet me masa ndëshkimore si klub apo si skuadër, por e sigurt është që dënimi në këtë rast pritet të jetë shumë i rëndë, pasi bëhet fjalë për rast të përsëritur dhe në rastin e Manchester City kjo mund të rëndojë shumë, pasi skuadra momentalisht po kalon një situatë jo shumë pozitive në kampionat ku ka rrëshkitur deri në vendin e pestë duke dalë nga zona Champions.

Exit mobile version