4 ton drogë në 2 ditë në Itali, vetëm Rama nuk e pranon

Partia Demokratike ka reaguar dje për tonelatat e drogës që kalojnë nga Shqipëria në Itali. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj u shpreh nëpërmjet një deklarate për mediat se, rreth 4 ton drogë janë kapur në dy ditët e fundit në Itali, drogë e mbjellë, e magazinuar, e transportuar nga Shqipëria. “Këto ngarkesa të mëdha dëshmojnë edhe një herë se Shqipëria me Edi Ramën u bë hambari i Europës për drogën, dhe për këtë arsye prej kohësh bien këmbanat e alarmit. Qartazi, e shkruar dhe në raportet europiane dhe në qëndrimet e tyre, droga i ka zënë rrugën vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Vetëm Edi Rama refuzon ta njohë këtë realitet”, u shpreh Alibeaj.
Edhe pse në brigjet italine dhe në Greqi pothuajse çdo ditë mbërrin një ngarkesë me tonetala me drogë, Rama sërish thotë nuk ka drogë. “Një trafik i tillë i organizuar nuk kapet asnjëherë nga autoritetet tona, por vetëm nga policitë e vendeve fqinje. Kjo dëshmon qartë se, karteleve të drogës u ofrohet lehtësia dhe bashkëpunimi i duhur në këtë biznes kriminal”, tha Alibeaj.
Alibeaj tha më tej se, me Edi Ramën dhe Sajmir Tahirin, Shqipëria është kthyer në oazin e bosëve të drogës. “Me Partinë Demokratike, Shqipëria do të pastrohet nga droga, trafikantët do të shtypen me forcën e ligjit dhe Shqipëria do t’i kthehet shqiptarëve të ndershëm që duan dhe do të jetojnë me punë të ndershme”, përfundoi Alibeaj.

1.5 ton drogë në Bari
Policia italiane sekuestroi para tre ditësh në Bari një gomone 10 metra të gjatë të nisur nga Shqipëria, në të cilën ishin ngarkuar 1.5 ton marijuanë. Në pranga kanë përfunduar tre skafistët shqiptarë.  Guardia di Financa u vu në ndjekje të gomones të nisur nga Durrësi dhe ka arritur ta bllokojë atë. Sipas mediave të shtetit fqinj, në operacion ka marrë pjesë dhe një helikopter i Agjencisë Europiane, Frontex. Në gomone u gjetën 78 pako drogë, operacioni i cili u publikua dje nga mediat italiane, ka ndodhur tre ditë më parë.
Gomonia ishte modifikuar dhe i ishin vendosur tre motorë të fuqishëm, ndërsa për shqiptarët e arrestuar dihet vetëm mosha e tyre, 34, 26 dhe 42 vjeç. Gjatë kontrollit është gjetur dhe një pistoletë dhe disa plumba. Nëse do ishte hedhur në treg, droga e sekuestruar do të jepte një fitim prej 15 milionë eurosh. Gjatë vitit 2016 janë më shumë se 10 ton marijuanë e sekuestruar në det nga Guardia di Finanza në Puglia.

7.6 kuintalë drogë në Leçe
Një gomone me ngarkesë prej 761 kg kanabis sativa e nisur nga brigjet shqiptare është bllokuar të premten nga policia italiane në Leçe. Bëhet e ditur se, Guarda di Finanza nga Bari dhe nga Leçe u sinjalizuan për një gomone të ngarkuar me drogë dhe u vunë në kërkim të mjetit lundrues. Pas ndjekjes, skafi 8 metra i gjatë me ngarkesën e kanabisit u ndalua 10 milje larg Sant Andreas në Leçe. Policia arrestoi 29-vjeçarin me iniciale E.M nga Vlora dhe një shtetas italian. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia bëri të ditur se ka asistuar në operacionin antidrogë. “Pas sinjalizimit nga Policia e Shtetit nëpërmjet Zyrës Interforcë dhe Nuklit detar në Durrës të Guardia di Finanza, reparteve operative të Guardia Di Financës në Bari dhe Leçe iu deshën rreth 3 orë për ta interceptuar mjetin lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike, i cili u kap 10 milje afër Sant Andreas në Leçe”, bën të ditur policia shqiptare.

1 ton marijuanë në Katania
1 ton marijuanë nga Shqipëria u sekuestrua para katër ditësh në Katania. Droga, e cila nëse do të hidhej në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Ndërsa para dhjetë ditësh, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1.6 ton marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë, që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola.

241 kg drogë nga Shqipëria në Greqi
Tre raste të trafikut të drogës nga Shqipëria janë goditur nga policia greke ditën e djeshme, gjatë kontrolleve në kufirin me Shqipërinë. Në Janinë, janë ndaluar dy automjete, në fshatin Kallpaq, ku nga kontrollet në njërin prej tyre u gjetën 104 kg 350 gramë marijuanë. Droga u gjet e fshehur në mjetin e parkuar, ndërsa mjeti tjetër, sipas policisë greke, shërbente për kontrollin e rrugës.
Në një tjetër kontroll të ushtruar në fshatin Ambelona të Filatit, në Igumenicë, u kapën nga policia dy shqiptarë teksa kalonin me këmbë kufirin, duke transportuar 4 çanta me 87 kg marijuanë. Në Kristalopigi, po në Igumenicë, u kapën duke ecur në këmbë 4 shtetas shqiptarë, duke transportuar një çantë me 2 kg 120 gram marijuanë.
Po ditën e djeshme, Policia e Janinës zhvilloi dje një operacion antidrogë në Athinë, ndërsa u sekuestrua një sasi lëndësh narkotike dhe përfundoi në pranga një 51-vjeçar. Mësohet se aksion u zhvillua në Tavro, pasi sasia e drogës kishte kaluar përmes kufirit shqiptar në shtetin helen, ndërsa shqiptarit iu gjetën 38 pako me 41 kg 230 gram marijuanë, 227 gram metadon dhe sasi të vogla kokaine dhe heroine. Po ashtu, trafikantit, emri i të cilit nuk dihet, iu sekuestruan dhe 180 euro.

Artikulli paraprakMaskat terror, grabitje në Tiranë, Laç dhe Vlorë
Artikulli tjetërTerrori godet sërish Turqinë