4 ton drogë nga Shqipëria janë sekuestruar nga policia italiane mbrëmjen e së enjtes në dy operacione. Mediat italiane pohojnë se, 2.2 tonë drogë u bllokuan nga Guardia Di financa, në brigjet e Garganos, në Pulia. Sipas mediave italiane, droga ishte nisur nga Shqipëria me një skaf që ka një gjatësi tetë metra dhe me 2 motorë me nga 200 kuaj fuqi. Skafi u braktis nga dy drejtuesit e tij, që dyshohet se janë shqiptarë.
Sapo skafi me drogë ishte afruar pranë plazhit të Kelnelas kanë ndërhyrë forcat e Guardia di Finanza. Pak para braktisjes, skafi ishte sinjalizuar nga Guardia di Finanza dhe në atë pikë trafikantët u përpoqën të arrinin plazhin. Këta të fundit arritën të largoheshin, duke braktisur sasinë e madhe të drogës. Ata e lanë skafin në breg pas disa orë ndjekjeje nga motovedetat e Guardia Di Financës. Lënda narkotike ishte e ndarë në 57 pako të mëdha secila. Policia dyshon se ajo ishte destinuar për t’u trafikuar në Veri të Italisë. Përllogaritet që ajo do të sillte 22 milionë euro fitim për grupet e narkotrafikut. Policia italiane po vijon hetimet për zbardhjen e rrjetit të trafikantëve.
Po të enjten në mbrëmje, policia italiane sekuestroi 1.8 ton drogë në kuadër të një operacioni të ndërmarrë në lokalitetin Teneca di Molfeta. Mediat italiane bëjë në ditur se, sekuestrimi është bërë në zonën Bishelia, ku lënda narkotike ishte fshehur në dy furgonë, e ndarë në 101 pako.
Sipas hetuesve, me t’u hedhur në treg droga do të kapte vlerën e 13 milionë eurove. Ndërkohë, në pranga kanë rënë 4 persona, dy shtetas italianë dhe dy shqiptarë, të moshave nga 27 në 50 vjeç. Dy prej tyre, 40 dhe 50 vjeç, tentuan t’i shpëtonin forcave të policisë, duke u hedhur nga një lartësi prej 5 metrash, veprim nga i cili mbetën të lënduar dhe u prangosën lehtë nga uniformat blu. Arrestimi i tyre u bë pas sinjalizimit të një patrulle policie, e cila kishte identifikuar një furgon që udhëtonte me drita të fikura me drejtim në qytezën Bisceglie. Në zonën industriale të asaj komune furgonit i është bashkuar një furgon i dytë. Forcat italiane të rendit kanë aktivizuar menjëherë operacionin e ndjekjes e pas disa minutash kanë mundur të ndalojnë të 2 furgonat e të arrestojnë 4 persona; 2 shtetas shqiptarë e 2 italianë.
Gjatë ndalimit 2 prej të arrestuarve kanë tentuar arratisjen, duke u hedhur nga një lartësi prej 5 metrash, fakt që i ka shkaktuar plagë në trup, duke detyruar shtrimin e kurimin e tyre pranë spitaleve të Barit e Andrias. Gjatë ditëve të fundit, Policia Financiare e Barit ka sekuestruar rreth 8 tonë marijuanë si përmes operacioneve detare ashtu dhe në ato tokësore.
Droga nga Shqipëria drejt Italisë vijon të mbetet një problem shumë serioz. Droga po trafikohet nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe më pas në Itali. Një javë më parë, policia malazeze sekuestroi në Ulqin 1.5 ton drogë që ishte futur nga Shqipëria dhe kishte destinacion Italinë. Televizioni shtetëror i Malit të Zi informoi se, lënda narkotike është sekuestruar rreth orës 10:30 minuta të ditës së djeshme rreth 8 milje larg bregut. Lënda narkotike e llojit kanabis sativa ka shkuar nga Shqipëria në Malin e Zi, ndërsa ishte e ndarë në 78 pako, e vendosur në një skaf drejtuar nga dy shtetas shqiptar. Sipas gazetës, pakot ishin me nga 20 kg secila. Skafi ka zbarkuar në afërsi të Ulqinit pas një ndjekjeje të gjatë në det. Gazeta shkruan se, plani i shqiptarëve ishte trafiku i lëndës narkotike në drejtim të Italisë.
Mediat malazeze shkruanin se, bllokimi i skafit me drogë është bërë pas një ndjekjeje të gjatë në hapësirën detare të Ulqinit në Mal të Zi. Ndërkohë, nga mediat e Ulqinit bëhet me dije se, hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë nga autoritetet e Malit të Zi.
Para tre ditësh, policia malazeze sekuestroi 7 kg heroinë që po transportohej nga një shtetas shqiptar me makinë nga Durrësi. Droga ishte fshehur në pjesën e përparme të makinës dhe sipas policisë malazeze, droga ka ardhur nga Durrësi me destinacion vendet e Europës.
Arrestohet në Itali bosi shqiptar i trafikut të drogës në Europë
Policia italiane ka arrestuar 47-vjeçarin shqiptar me inicialet H.Z, i cili konsiderohet të jetë bosi i trafikut të drogës në Europë. Shtetasi shqiptar dhe një korrier u arrestuan dhe iu sekuestruan në Ozimo rreth 2.5 kilogramë kokainë të pastër. 47-vjeçari shqiptar me inicialet H.Z është arrestuar nga policia italianë në Ozimo, pasi konsiderohet të jetë “bosi” i një organizate trafiku droge italo-shqiptare.
Mediat vendase kanë publikuar fotografi të momentit të arrestimit. Shqiptari si dhe një korrier droge, italian, kishin me vete në momentin e arrestimit rreth 2.5 kg kokainë të pastër. Korrieri i drogës që furnizonte organizatën kriminale, një italian me iniciale B.R., 65 vjeç është ndaluar nga efektivët gjatë natës së dy ditëve më parë teksa lëvizte me një automjet tip “Fiat Croma” në autostradën, në Modena.
Në automjetin që vinte nga Roterdami i Holandës, u gjetën të fshehura dy paketime, brenda së cilave ishin 2.5 kg kokainë e pastër, e mbështjellë me celofan. Droga ishte fshehur në sediljen e pasme. Lënda narkotike, së bashku me automjetin u sekuestruan. I arrestuari ka evituar kontrollet doganore në kufi me Belgjikën, Luksemburgun, Francën dhe Zvicrën.
Droga, me vlerë 400.000 euro, ishte parashikuar të ndahej në doza të vogla në banesën e korrierit italian. Në të njëjtën kohë, u arrit të identifikohej dhe u arrestua në komunën Jesi të Ancona-s edhe shqiptari, koka e organizatës së drogës. 47-vjeçari H.Z., pa një vendbanim fiks në Itali, i martuar, ka precedentë të mëparshëm. Leja e tij e qëndrimit në shtetin fqinj ishte e rregullt, ndërsa raportohet se shqiptari rezultonte i papunë. Ai u gjurmua mëngjesin e së enjtes dhe u ndalua në rrugën “Erbarella”, teksa lëvizte me një makinë. Automjeti u bllokua dhe 47-vjeçari u zbrit nga efektivët, të cilët e prangosën në rrugë nën akuzën e posedimit dhe importimit të substancave narkotike me qëllim shitjen, e kryer në bashkëpunim. Në kuadër të aksionit, agjentët kontrolluan në një banesë në Punta Marina Terme, Ravenna, e një të afërmi të të arrestuarit. Pikërisht në atë banesë, H.Z. kishte fjetur një natë më parë. Në dhomën e gjumit të banesës, të fshehura nën dyshek, u gjetën 10.600 euro të cilat u sekuestruan, pasi dyshohen se vijnë nga trafiku i drogës.
Kokainë dhe mijëra euro
Tre persona, mes të cilëve dy shqiptarë u arrestuan nga policia italiane, pasi u kapën me lëndë narkotike të llojit kokainë. Operacioni u zhvillua në një lagje Reggio Emilias, ndërsa në pranga kanë rënë dy vëllezërit shqiptarë Viktor Ndoj, 38 vjeç dhe Gjin Ndoj, 35 vjeç si dhe shtetasja rumune Alina Gianina Savin 31 vjeç.
Sipas reggionline.com, në momentin e arrestimit, karabinierët kanë sekuestruar gjysmë kilogram kokainë të ndarë në pako, 17 mijë euro cash si dhe disa telefona. Policia ka ndërhyrë në momentin kur dy vëllezërit shqiptarë i shitën një sasi kokaine një klienti në Mameli dhe më pas janë takuar në një lokal me shtetasen rumune.
R.POLISI