4 viktima nga i ftohti, Rama 530 milionë lekë për kondicionerë

Dje u shënua viktima e katërt nga i ftohti. Një 52-vjeçar u gjet i pajetë pranë pallatit ku punonte si roje në Lushnjë. Një ditë më parë, gjetën vdekje dy persona të tjerë, njëri në Sarandë dhe tjetri në Gjirokastër, si pasojë e të ftohtit të madh. Ndërsa të shtunën u regjistrua viktima e parë e të ftohtit në Durrës.
Numri i viktimave nga i ftohti po shtohet dita-ditës, ndërsa Rama dhe qeveritarët harxhojnë miliona e miliona lekë të planifikuar për emergjencat për luks dhe jetë të shfrenuar. Vetëm për blerje kondicionerësh në Kryeministri Rama shpenzon 530 milionë lekë nga buxheti i shtetit ndërsa 67 milionë lekë për karrige dhe tavolina. Rama shpenzon 30-fishin e fondit që jep për emergjencat civile, pasi më emergjente konsideron ngritjen e fushës së tenisit, apo blerjen e kondicionerëve të rinj nëpër ambjentet ku rri ai dhe detashmenti i tij, ndërkohë që të pastrehët po vdesin nga i ftohti. Me këto para që harxhon kryeministri për luks mund të ndihmoheshin qindra mijëra persona në nevojë në këtë situatë aspak të zakontë.
10 milionë euro ka planifikuar kryeministri Rama të harxhojë këtë vit për luks dhe argëtim në Kryeministri. Kreu i PD, Basha në këtë infrastrukturë përfshihet ngritja në selinë e Kryeministrisë e një restoranti, bari, sallë për konjak e puro, sallë masazhi dhe fizioterapie, salla kinemaje, ekspozitash, basketbolli. Të gjitha për qejfin e kryeministrit dhe jo për hallet e njerëzve që po vdesin nga i ftohti në mes të katër rrugëve.

Leonard Arapi në Sarandë

Një tjetër i pastrehë ka gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit të madh në qytetin bregdetar të Sarandës. 53-vjeçari Leonard Arapi u gjet nga banorët i pajetë si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte. Arapi është gjetur i pajetë në lagjen nr.2 të qytetit të Sarandës, në një banesë të improvizuar. Problemin e strehimit ai e kishte ngritur disa herë tek strukturat shtetërore, por askush nga qeveritarët nuk i erdhi në ndihmë për t’i siguruar një strehë.
Nardi erdhi në jetë në një pragdimri të vitit 1962. Duke u endur dyerve dhe korridoreve të zhurmëshme të institucioneve të jetimoreve të kohës, pa ditur psenë e shumë pikëpyetjeve të asaj braktisjeje që do ta mundonte gjatë gjithë jetës së tij. Leonardi shkollën fillore dhe 8-vjeçare e kreu në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Më pas do të mësonte profesionin e gurëgdhëndësit në një shkollë profesionale në Korçë, profesion që e përvetësoi dhe e bëri mjeshtër të zot në këtë zanat.
Leonardi ishte i pastrehë, por kudo që shkonte, i përplasej dera në fytyrë. Duke humbur shpresat për ndihmë, mes përpjekjeve raskapitëse e torturuese për mbijetesë, ai vendosi të mbyllet në vetvete dhe i nënshtrohet mjerisht fatit, duke zgjedhur të bëjë jetën e një endacaku vetmitar. Prej vitesh jetonte në rrënojat e një ndërtese si invalid, ku çfarë binte jashtë, hynte brenda.
I pafuqishëm për t’ia dalë mbanë, i pa asistuar nga shteti për të përfituar së paku një ndihmë ekonomike, ai zgjodhi këtë mënyrë jetese.
Leonardin e njihnin të gjithë në qytetin e Sarandës. Të gjithë bashkëqytetarët ndjenin dhembshuri e respekt për të, secili prej tyre, sipas mundësive e ndihmonin me ushqim e veshmbathje. Vetëm ata që e kishin dhe e kanë për detyrë të interesoheshin dhe kujdeseshin për të, ishin zyrtarët e shtetit dhe të pushtetit lokal, atje në Sarandë, të cilët, për fat të keq tregoheshin indiferentë, gjithmonë e më shumë të huaj për të.
Ashtu si për çdo jetim të këtij qyteti, këta zyrtarë lokalë gjithmonë e kanë bërë një vesh shurdh e një sy qorr edhe për fatkeqin jetim, sepse për ta, Leonard Arapi nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistonte asnjëherë.
Edhe pse Ligji “Për statusin e jetimit” u jep përparësi të gjithë jetimëve që të ndihmohen dhe përkrahen nga shteti me strehim dhe punësim, ky ligj, kurrë nuk ka gjetur zbatim nga agjensitë e ligjit zbatues të përfaqësuar nga njerëzit e shtetit dhe të pushtetit.
Ikja i tij, në heshtje dhe pa bezdisur askënd, është protesta kundër një regjimi pa sistem vlerash, e një administrate shtetërore luksokrate, e ndërtuar mbi një padrejtësi dhe hendeku social, kundër kulltukofagëve shpirtëzinj dhe pa sentiment njerëzor që përdorin dhe keqpërdorin pushtetin, duke jetuar në luks të shfrenuar mbi fatkeqësinë e shumicës, të më të dobtëve të shoqërisë.

Bashkim Çepa në Lushnjë

Në Lushnjë një roje pallati u gjet nga banorët i ngrirë nga i ftohti. Burimet bënë të ditur se është gjetur i pajetë 52-vjeçari Bashkim Çepa nga Golemi, por që punonte në Lushnjë si roje pallatesh. Ishin banorët e pallatit, ata që njoftuan policinë, e cila më pas bëri dërgimin e trupit të pajetë në morg. Punëtori ka qënë me probleme shëndetësore por askush nga zyrtarët nuk u interesua për jetën e tij. Ai ka shfaqur probleme me zemrën dy ditë para se të ndërronte jetë nga i ftohti.
Qeveria la pushim adminsitarën për shkak të ftohtit të madh, por jo punonjësit me probleme shëndetësore, të cilët janë shumë më të ekspozuar nga i ftohti. Krahas të ftohtit acar, Bashkim Çepës i duhej që të punonte për gjithë natën jashtë dhe pa asnjë mjet ngrohjeje.

Vasil Kaçi në Gjirokastër

Në Gjirokastër, një i moshuar gjeti vdekjen mes ngricave, pasi kishte hipur në tarracën e shtëpisë për të pastruar akullin nga tubacioni i ujit. Temperaturat disa gradë nën 0 kanë ngrirë tubacionet e ujit në shumë qytete. Nisur nga kjo situatë 62-vjeçari Vasil Kaçi, banues në lagjen “Granica” të Gjirokastrës ka hipur në tarracën e banesës.
Ndërsa tre ditë më parë, të shtunën u gjet i vdekur në mes të katër rrugëve një i pastrehë në Durrës. Kanë qenë banorët e lagjes nr.17 të qytetit bregdetar, ata që njoftuan për vdekjen e endacakut, i cili ishte i njohur në qytet me emrin Beni. Beni ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur dhe strehohej ku të mundej.
Kjo tragjedi njerëzore e paralajmëruar ka tronditur opinionin publik, por jo qeveritarët që nuk kanë marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe të pastrehëve.

Beni i Durrëst u gjet i ngrirë nga acari

Të shtunën u regjistrua viktima e parë nga i ftohti në Durrës. Një i pastrehë është gjetur i ngrirë dhe i pajetë në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar. Ishin banorët ata që njoftuan për vdekjen e endacakut, i cili ishte i njohur në qytet me emrin Beni. Bëhet me dije se, Beni ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur dhe strehohej ku të mundej. 38-vjeçari është gjetur i vdekur rreth orës 7:30 të mëngjesit të djeshëm.
Kjo ngjarje tragjike ka indinjuar opinionin publik në Durrës, por jo Dakon dhe punonjësit e tjerë të Bashkisë që nuk kanë marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe të pastrehëve. Po ashtu, një reagim i ashpër ka ardhur nga një prej gazetarëve që jetojnë e punojnë në Durrës, Artur Llana. “Ky është Beni, një endacak që donte pak bukë dhe ngrohje. Një djalë që Zoti i kishte lënë pjesën e tij të formimit. Ky shtet kurvë nuk i siguroi Benit pak ngrohje dhe pak bukë.
Ai nuk do i mungojë pushtetit se nuk kishte të drejtë vote … po në fakt, vdekja e tij është fytyra e këtij shteti. Falënderoj mikun tim mjekun Arian Deveja për foton dhe diçiturën që ka bërë …
Rrugëve të Durrësit do t’i mungojë Beni, për pak vëmendje pa të drejtë vote… shumë nga miqtë e mi mund të mos e kuptojnë këtë status, po unë ja dedikoj dy miqve, Borisit dhe Indritit që e respektonin çdo ditë Benin!”, shkruan gazetari.

R.POLISI

Exit mobile version