Kryeministri Rama u mundua dje të mashtronte sërish shqiptarët duke deklaruar se, “përfaqëson shtresat në nevojë”. Po se si mund të përfaqësojë shtresat në nevojë një njeri si Rama që jeton në luks të shfrenuar në një vilë miliona euroshe në Surrel dhe ka 200 milionë euro pasuri jashtë shtetit dhe që janë investuar në offshore nga i vëllai Olsi Rama në SHBA, kjo e pasqyruar në një raport të OSBE-së që u publikua para disa kohësh.
Gjatë këtyre 3 vjet e gjysëm të qeverisë së Ramës, shtresat në nevojë jetojnë në varfëri dhe mjerim. Rama u hoqi ndihmën ekonomike 50 për qind të familjeve në nevojë, duke i lënë pa asnjë të ardhur.
Për këtë mashtrim të Ramës reagoi dje edhe Partia Demokratike. Kreu i Departamentit për Punësimin dhe Çështjet Sociale në Partinë Demokratike, Kastriot Sulka, tha se, qeveria Rama nxori nga lista e ndihmës ekonomike 1/3 e popullsisë, që konsiderohet edhe si shtresa më e varfër e shoqërisë, ndërsa pagesat kanë mbetur po ato prej më shumë se katër vite. E njëjta situatë sipas tij paraqitet dhe tek personat me aftësi të kufizuar dhe pensionistët, ndërsa vuri theksin dhe tek mungesa e shpërblimeve të fundvitit.
Shtresa më e varfër e shoqërisë është ajo pjesë e popullsisë që trajtohet me ndihmë ekonomike. Në kulmin e vafërisë, me një të rënë të lapsit dhe pa asnjë kriter, u shkurtuan, nga 120 mijë familje që trajtoheshin, në rreth 80 mijë, pra një e treta u hoqën nga lista, duke i konsideruar si jo të varfër.
“Ndihma ekonomike vazhdon prej më shumë se katër vitesh të jetë po e njëjta, pra maksimumi ka qenë dhe vazhdon të jetë 80 mijë lekë të vjetra në muaj për një familje me 6 apo më shumë anëtarë, pavarësisht rritjes së çmimeve si rezultat i inflacionit. Pra, me pak fjalë, kemi një ulje të konsumit gjatë këtyre katër viteve për këto familje”, thuhet në deklaratën e PD.
Po e njëjta situatë është për të paaftët fizikisht dhe shoqëruesit e tyre, të cilëve u janë shtuar procedurat dhe kriteret për të mos përfituar pagesat e paaftësisë. “Sot, duhet të kenë 15 vite punë, më parë ka qenë 10 vite, pra është shtuar me 50% periudha e punësimit, për të mos e marrë këtë pagesë; po ashtu, në 5 vitet e fundit duhet të kenë 1 vit punë, kriter që është shtuar gjatë kësaj periudhe qeverisjeje, kriter përjashtues për shkak se kjo ka qenë edhe periudha më e vështirë për t’u punësuar një njeri normal, jo me këta persona. Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë rritje për pagesat ndaj tyre”, thuhet më tej në deklaratë.
Pagesa e papunësisë, ka qenë, që nëse kishe një vit punë, mund të merrje 1 vit pagesë papunësie, ndërsa tani mund të marrësh vetëm 3 muaj pagesë papunësie. “Pensionet e pensionistëve nuk kanë pasur asnjë rritje, dhe vetëm vitin e fundit kemi një rritje indeksim në nivelin e inflacionit vjetor, pavarësisht se çmimet e produkteve dhe shërbimeve që konsumon kjo shtresë janë shtrenjtuar më shumë se dyfishi i inflacionit. Për 4 vite nuk pati asnjë shpërblim për fundvitin për pensionistët.
Për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës (sipas studimeve të Bankës Botërore edhe për shkak të korrupsionit) kanë ikur nga Shqipëria nga 50 mijë deri në 80 mijë shqiptarë në vit.
Këto janë shtresat në nevojë dhe të varfërit në Shqipëri, kjo është e vërteta e 4 viteve”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.
R.POLISI