“E gjetën gati projektin për Rrugën së Arbrit. Tani po u vjen fundi dhe nuk kanë guximin të vijnë t’u thonë dibranëve të vërtetën. E gjitha bota e ka marrë vesh që është prish me bankën kineze për shkak se kanë kërkuar ryshfet 40 milionë euro për të ndërtuar tunelin, prandaj nuk u ndërtua tuneli”
Në shtator 2015 China Exim Bank e refuzoi përfundimisht financimin e “Rrugës së Arbërit”, pasi e klasifikoi si një projekt superkorruptiv
Një ryshfet i kërkuar nga qeveria Rama prej 40 milionë eurosh është arsyeja se për kinezët u tërhoqën nga financimi i Rrugës së Arbrit. Denoncimi është bërë dje nga kreu i PD, Basha në një takim me dibranë ku dhe shprehu angazhimin e tij për të përfunduar Rrugën e Arbrit e cila u nis nga qeveria e Partisë Demokratike dhe do përfundohet prej saj. “E gjetën gati projektin për Rrugën së Arbrit. Tani po u vjen fundi dhe nuk kanë guximin të vijnë t’u thonë dibranëve të vërtetën. E gjitha bota e ka marrë vesh që është prish me bankën kineze për shkak se kanë kërkuar ryshfet 40 milionë euro për të ndërtuar tunelin, prandaj nuk u ndërtua tuneli. Kjo është një mundësi për t’i treguar kësaj qeverie me votë se dibranët në emër të gjithë shqiptarëve i thonë jo kësaj politike të mashtrimit, të poshtërimit, të sh’punësimit,” theksoi Basha.
Afera me Rrugën e Arbrit
Në shtator 2015 China Exim Bank e refuzoi përfundimisht financimin e “Rrugës së Arbërit”, pasi e klasifikoi si një projekt superkorruptiv dhe me kosto shumë të fryra. Këtë vendim të Exim Bank e amplifikoi edhe takimi sekret i ministrit Arben Ahmetaj (ekzekutorit të punëve të pista të qeverisë Rama), binzesmenit D.T. (ortaku i Koço Kokëdhimës) dhe përfaqësuesve të CSCEC dhe Exim Bank në Ohër të Maqedonisë, ku shërbime të specializuara i filmuan me zë e figurë në tentativë për të korruptuar zyrtarët kinezë. Duke humbur mbështetjen e bankave kineze, CSCEC dorëzoi në fund të tetorit një propozim me kosto edhe më të fryrë se më parë, pasi mendon ta vetëfinancoje. Në këtë rast sipas rregullave të shtetit kinez, ndërmarrjet shtetërore kineze nuk lejohet të bëjnë asnjë financim me paratë e tyre, në se nuk sigurojnë një IRR mbi 13%. Që domethënë se CSCEC duhet ta vetëshlyejë (plus fitimin) “Rrugën e Arbërit” brenda 8 vitesh. Kjo e ka bërë të papërballueshme këtë ofertë për qeverinë shqiptare. Për zgjidhjen e këtij ngërçi, në mesin e janarit 2016, kumbari dhe nënkontraktori kryesor i “Rrugës së Arbërit”, ai që i ka fryrë realisht kostot e saj, Koço Kokëdhima vizitoi kompaninë kineze në Pekin, por nuk arriti dot kompromis me kinezët.
Shehu: Bashkia do nxisë shitjen e produkteve bujqësore të dibranëve
Kandidati për kryetar i Bashkisë së Dibrës, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takuan me banorë të fshatrave Staravec, Shimçan, Pilafe dhe Tomin. Problem i madh i banorëve të këtyre zonave është punësimi, theksoi Shehu i cili parashtroi dhe planin e tij. Investimet në bujqësi, në turizmin malor, stimulimi dhe nxitja e sipërmarrësve do të rrisin punësimin në këtë zonë. Ndarja administrative, theksoi Shehu u dëshmua gjatë kësaj kohe se ishte vetëm për qëllime elektorale, pasi qytetarëve u është përkeqësuar shërbimi dhe buxhetit të shtetit i është rritur kostoja nga 60 në 80 milion dollarë. Shehu bëri të ditur dhe programin për nxitjen e shitjes së produkteve bujqësore. “Bashkia do të bëhet ndërmjetëse midis fermerëve, tregtarëve dhe përpunuesve të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Dhe bashkia do të bëjë atë që quhet marketingu, sepse ju jeni fermerë të vegjël, ju nuk mund të kontraktoni në mënyrë individuale. Menjëherë do të fillojë përmirësimi dhe zgjidhja përfundimtare e problemit të ujit të pijshëm, ashtu siç do të bëjmë edhe për Peshkopinë,”- u shpreh Shehu. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se zgjedhjet në Dibër janë një mundësi për t’i thënë jo mashtrimin, poshtërimit, arrogancës, varfërimit të qytetarëve dhe pasurimit të qeveritarëve.