Modernizimi i Portit të Durrësit shihet si domosdoshmëri për rritjen e konkurrueshmërisë në transportin me konteinerë, si në kohën e dorëzimit, atë të ekonomisë së shkallës, por edhe në përpunimin e shpejtë. Në një dokument të muajit prill të Bankës Botërore thuhet se projekti i përmirësimit të infrastrukturës parashikon në total një kosto prej rreth 40 milionë euro, nga të cilat një pjesë do të mbulohen nga BERZH dhe pjesa tjetër nga BEI.
Projekti përfshin përmirësimin e ndërtesës së terminalit të pasagjerëve, si dhe rizhvillimin e kalatave 7 dhe 8. Kapaciteti i përpunimit për pasagjerët do të jetë rreth 1,900, për makinat 520 mbërritje dhe 720 nisje.
Në dokument thuhet se, Porti i Durrësit është me rëndësi jetike për ekonominë shqiptare, pasi krijon akses për një treg me rreth 40 milionë konsumatorë, ndaj nevoja për modernizimin dhe përmirësimin është urgjente.
Porti i Durrësit trajton rreth 90% të transportit detar ndërkombëtar dhe rreth 85% të gjithë eksportit dhe importit të vendit. Në total punëson rreth 600 persona, ndërsa krijon mijëra vende pune në mënyrë indirekte në transport, shpërndarje, sistem bankar etj. Trafiku mesatar vjetor i mallrave është rreth 3.8 milionë ton, ndërsa ai i pasagjerëve llogaritet në rreth 80,000.
Në dokumentin e përgatitur nga Banka Botërore thuhet se, përmirësimi i infrastrukturës do të rrisë kapacitetin e terminalit të trageteve për pasagjerët, si dhe do të përmirësojë cilësinë.
36% e borxhit nga energjia dhe transporti
Sektorët e transportit, energjisë dhe buxheti i shtetit janë kredimarrësit më të mëdhenj në tregun e jashtëm. Në fund të tremujorit të parë të vitit, borxhi i jashtëm i vendit arriti në 5 miliardë euro. Rreth 36 për qind e kësaj shume ka shkuar si mbështetje për buxhetin e shtetit, për të mbuluar shpenzimet që nuk janë mbuluar nga të ardhurat.
Pjesa tjetër prej 24 për qind e detyrimeve të jashtme dominohen nga sektori i transportit. Këto hua, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, janë marrë në dy dekadat e fundit për hartimin e projekteve dhe ndërtimin e rrugëve nacionale në vend. Pjesa më e madhe e huasë mbi 300 milionë euro është marrë për ndërtimin e rrugës së Kombit.
Huamarrësi i tretë më i madhe është sektori i energjisë me 12 për qind të totalit të borxhit. Huatë e dhëna për zhvillimin infrastrukturor dhe strukturor të sektorit, duket se nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
Aktualisht, sektori energjetik në vend vuan pasojat e një administrimi të dobët dhe asetet tërësisht të amortizuara. Detyrimet e sektorit sipas të dhënave të Ministrisë së Energjetikës arrijnë 1 miliard dollarë.
Teksa shihet se dy sektorët jetikë arsimi dhe shëndetësia kanë kontribut më të ulët. Arsimi mbart vetëm 1.4 për qind të borxhit të jashtëm, ndërsa shëndetësia 2.1 për qind.
Që nga viti 2015 dhe përgjatë këtij viti vlerat neto ndërmjet borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm janë ngushtuar ndjeshëm. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti borxhi i jashtëm shënoi 556 miliardë lekë, ndërsa borxhi i brendshëm 502 miliardë lekë.
Diferenca ndërmjet detyrimeve të jashtëm dhe të brendshëm është vetëm 54 miliardë lekë. Në vitin 2015, kjo diferencë ishte 60 miliardë lekë dhe në vitin 2014, kjo diferencë ishte 152 miliardë lekë në favor të borxhit të jashtëm.
Emetimi e një Eurobondi të dytë me vlerë 450 milionë euro vitin që shkoi duket të ketë qenë arsyeja kryesore që rriti balancën. Ekspertët e fushës pohojnë se, balancimi i detyrimeve rrit diversifikimin e rrezikut që vjen nga portofoli i borxhit.