400 familjet e izoluara nga bora në Dukagjin, të braktisura nga qeveria

Më shumë se 400 familje në Dukagjin ndodhen të izoluara dhe në mëshirë të fatit prej më shumë se një jave. Ngricat dhe bora kanë pushtet absolut, ndërsa ndihma nga qeveria është zero kurse banorët mundohen vetë të sigurojnë ushqimin dhe ngrohjen për t’u përballë me acarin.
Qindra pleq, fëmijë e mijëra banorë në Dukagjin vazhdojnë persekutimin nën indiferencën dhe dobësinë reaguese të qeverisë. Ka mbi një javë që mungon energjia elektrike në Pult dhe në Shalë, ndërsa fshatrat Plan, Gjuraj, Mgull, Xhan, Bruçaj janë të bllokuara së bashku me Thethin, Shalën, Shoshin, Shllak e Temal. Mjafton një reshje normale dëbore të tregojë seriozitetin dhe sa mendohet gjatë vitit për t’i bërë ballë situatave normale në Alpe. Një dëborë mesatare dhe dhjetëra ditë pa drita e dhjetëra javë të izoluar.
Së bashku me një grup kolegësh nga media dhe paritë e fshatrave shkuam menjëherë në terren. Më konkretisht me dy miqtë e mi Gegë Tefaj, Martin Marku dhe Pëllumb Sulo e përfaqësues të medias u nisëm për në Bogë për të parë ecurinë e hapjes së rrugës për në Theth dhe Shalë. Nga institucionet dhe mediat morëm informacion se puna vazhdohet dhe situata e dëborës është e rënduar. Në të vërtetë realiteti që gjetëm ishte vetëm një buldozer i braktisur i ushtrisë, i fikur në mes të rrugës dhe asnjë metër rrugë e hapur. Informacioni i dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ishte që punimet janë ndalur për arsye të rrezikut nga dëbora.
Aty ku gjendej buldozeri i braktisur trashësia e dëborës ishte 30 cm. Afro 5 km më tutje, në Qafë të Thorës trashësia e dëborës është rreth 60 cm. Nuk kishte as trashësi 1 apo 2 metër që raportojnë media të ndryshme dhe as ndonjë rrezik siç raportojnë institucionet.
Në Qafë te Thores gjeta vetëm inspektorin e zonave të mbrojtura Nard Polia me disa banorë të zonës të interesuar dhe në pritje të një zgjidhje të mundshme për rreth 160 familje të bllokuara nga dëbora vetëm në zonën e Shalës, Pulti pa drita, 53 familje të bllokuara në Shosh dhe dhjetëra hotele në Theth të rezervuara nga të huajt, por pa akses për turistët, spitale e shkolla të mbyllura.
Të nderuar miq, për fatin e keq jam i detyruar të them që nuk ka seriozitet, përgjegjësi dhe nuk ekziston fare sensi i përkujdesjes dhe interesimit për banorët që jetojnë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në ato zona. Buldozer në mes të rrugës i mbyllur me çelës, dhe askush aty. Kronikën dhe realitetin do e shihni në televizione të ndryshme. Nëse në atë zonë do të kishte filluar puna e prishjes së lumejve nga centralet apo nëse do të mbillej në dimër marijuana, me siguri rruga do të ishte hapur brenda ditës së parë. U desh një vizitë e jona atje që buldozeri i ushtrisë të rifillonte punën për hapjen e rrugës.
Për ju të nderuar miq kolegë dhe të interesuar, për situatën e aksesit në Alpet shqiptare, dy ditë më pas së bashku me Simon Shkrelin, Gegë Tefajn, Martin Markun dhe përfaqësues të mediave zhvilluam ekspeditë në segmentin më të rëndësishëm për akses në zonën e Dukagjinit atë të Shkodër-Prekal-Kir-Mali i Shoshit ku dhe u mbyll vizita jonë.
Mund të ndaj me ju ndjesinë e frikës së madhe që patëm gjatë gjithë udhëtimit, më shumë i ngjante një aventure se një ekspedite rutinë. Kjo rrugë mund të quhet ndryshe dhe rruga e zezë ose rruga e vdekjes. Mbi 75 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve të shkaktuara në këtë aks të tmerrshëm që e thërrasin dhe “Aks rrugor”. Rruga dikur e hapur për të shfrytëzuar lëndën drusore në Mal të Shoshit dhe Dukagjinit, shërbeu më vonë dhe për mbërritshmëri në shumë fshatra pa akses rrugor deri në atë kohë.
Parametrat e atij aksi nuk janë parametra normale të një rruge, ku mund të lëvizet me makinë. Asnjë tabelë që paralajmëron rrezik, asnjë lloj sinjalistike, e shembur në shumë vende, gurë që bien nga sipër, përrenjë që vërshojnë mbi rrugë, gropa të stërmëdha, shtresa akulli të trasha e më në fund dëborë e bëjnë këtë aks një ndjellës vdekjeje, një turp infrastrukturor, një dështim inxhinierik, një neglizhencë e pacipë ndaj një komuniteti, ndaj qeniesh njerëzore që kërkojnë e investojnë për shtet.
E tek kalon në ato peizazhe mahnitesh me bukurinë e tyre, por tkurrja nga frika dhe mendja te lutjet të verbojnë dhe nuk arrin të shijosh pothuajse asgjë.
Në Pult takova fermerë që jetonin pa drita prej 7 ditësh, pa shërbim mjekësor, pa akses e të bllokuar në pjesën më të madhe të fshatrave nga dëbora. Bashkia Shkodër, pa asnjë mbështetje nga strukturat shtetërore të emergjencave dhe rrugëve, me mjete tejet të amortizuara po përballej me situatën, duke bërë të mundur hapjen e Malit të Shoshit nga bllokimi disa ditor. Pavarësisht punës së bërë e që po bëhet është e pamundur të kalohet me furgona apo ambulanca, vetëm makina të forta 4×4 me zinxhirë mund të kalojnë atë aks.
Banorët ndjehen të harruar, të braktisur dhe mbështetjen e gjejnë vetëm tek njëri-tjetri, tek fisnikëria e tyre, forca e madhe dhe shkathtësia e mbijetesës në kushte ekstreme. Ju ftoj të gjithëve të vazhdojmë përpjekjet, të ngremë zërin fort deri sa ta kthejmë atë rrugë nga një rrugë të zezë në një nga rrugët më të rrahura nga turistët në Ballkan.

Mark RUPA

Exit mobile version