Kristiano Ronaldo shënoi të martën në darkë golin e tij numër 400 me fanellën e Real Madridit dhe ka qenë vetëm presidenti Florentino Perez ai që i dhuroi portugezit sot gjatë seancës stërvitore fanellën përkujtimore të kësaj arritjeje të veçantë.
Më pas, futbollisti lëshoi disa deklarata, ndër të cilat edhe një thumbim të qartë për Lionel Mesin. Ky i fundit cilësohet shpesh si “jashtëtokësor” për ato që bën në fushën e lojës ndërsa portugezi u shpreh i lumtur që ishte “nga ky planet”.
“Ndjehem mirë, përgatitem për fazën finale të kampionatit dhe të Ligës së Kampioneve. Sigurisht që duhet edhe pak fat, pasi gjërat që përgatit, po realizohen me sukses, si për mua si për ekipin. Për këtë arsye them se me përkushtim e duke punuar shumë, të gjitha gjërat realizohen në mënyrë të natyrshme. Jam i lumtur dhe me fat, si dhe jam nga ky planet”, deklaroi ai.
“Arritja e shifrës së 400 golave është shumë e veçantë. Është një sasi e madhe golash, nuk e prisja. Është fryt i punës së të gjithë ekipit, të të gjithë njerëzve që punojnë në klub dhe të tifozerisë që na mbështet. Unë do të mundohem të bëj më të mirën në vitet që kam në kontratë me Realin, të shënoj gola si gjithmonë dhe të bëj të mundur që Reali të vazhdojë të fitojë trofe”, deklaroi ai.
Mesazh i fortë për të apasionuarit e futbollit, të cilin e forcoi edhe në deklaratën pas ndeshjes. “Kërkoj vetëm mos të më fërshëllejnë. Përsa i takon ndeshjes jap gjithmonë më të mirën. Avantazhi i tri golave është i rëndësishëm, por kemi edhe një ndeshje për të luajtur dhe duhet të jemi të përqendruar”, u shpreh Cristiano Ronaldo.