Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati dje një drekë pune me shefen e misionit të FMN për Shqipërinë, zonjën Anita Tuladhar dhe përfaqësuesin e FMN në Shqipëri, Jens Reinke. Basha ndau me drejtuesit e misionit të FMN shqetësimet e mëdha të opozitës për gjendjen kritike të ekonomisë shqiptare si rezultat i politikave të gabuara të qeverisë Rama dhe korrupsionit në çdo fushë të menaxhimit të financave publike.
“Ne e kemi paralajmëruar që në fillim që rritja e taksave, si dhe skemat korruptive të koncesioneve këtu do të çonin dhe sot konstatojmë me keqardhje të madhe se paralajmërimet tona kanë qenë të drejta dhe të vërteta”. Keqperformanca fiskale, e cila ka ardhur si rezultat i politikës së taksimit të përshkallëzuar me anë të të cilit janë rritur taksat për qytetarët, për familjarët, për profesionistët, për kompanitë, nuk ka sjellë rritje te të ardhurat sepse abuzimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave kap shifrën mesatare 300-400 milionë euro në vit, siç ishte rasti i vitit të kaluar, theksoi zoti Basha në një prononcim për mediat pas takimit.
“Si opozitë jemi angazhuar këto tri vite jo vetëm duke denoncuar, por edhe duke parandaluar siç ia kemi dalë në disa raste praktikat korruptive të qeverisjes, në veçanti në fushën e asaj që quhet Partneriteti Publik Privat, por që në fakt janë koncesionet korruptive të kësaj qeverie. Koncesionet e tmerrshme në shëndetësi që i marrin buxhetit të shtetit 350 milionë euro pa i dhënë asnjë shërbim qytetarit shqiptar. Koncesione të tjera të planifikuara, si koncesioni i Skavicës apo ai i TVSH-së. Keqperformanca fiskale, e cila ka ardhur si rezultat i politikës së kësaj qeverie, të taksimit të përshkallëzuar me anë të të cilit janë rritur taksat për qytetarët, për familjarët, për profesionistët, për kompanitë, por nuk janë rritur të ardhurat sepse abuzimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave kap shifrën mesatare 300-400 milionë euro në vit, siç ishte rasti i vitit të kaluar. Po kështu, edhe në dogana ku rritja e akcizës për duhanin dhe për naftën, në vend që të sillte më shumë të ardhura për thesarin e shtetit ka sjellë pasurime të majmura të klientelës së kësaj qeverie dhe të qeveritarëve të lidhur me korrupsionin në dogana dhe në tatime”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.
Përkeqësimi i situatës ekonomike si pasojë e përkeqësimit të klimës së biznesit, si pasojë e presioneve korruptive, evazionit, kontrabandës ishin pjesë e diskutimit gjatë takimit të zotit Basha me misionin e FMN.
“Folëm po kështu për përkeqësimin e ndjeshëm të gjendjes ekonomike si rezultat i arbitraritetit qeveritar në raport me biznesin, krijimin e një klime më negative në Europë, siç e vërtetojnë edhe anketat e ndryshme të dhomave të tregtisë. Gjendja ekonomike në vend është rezultat i drejtpërdrejtë i përkeqësimit të klimës së biznesit nga kjo qeveri përmes korrupsionit, përmes evazionit, përmes kontrabandës. Taksat u rritën, tarifat u rritën, akcizat u rritën, por si rezultat i evazionit fiskal, si rezultat i kontrabandës, si rezultat i korrupsionit me koncesionet korruptive Shqipëria humbet plot 1 miliard euro në vit, të cilat vidhen dhe shpërdorohen në vend që të përfundojnë në rroga më të larta, pensione më të larta, shërbime më të mira dhe investime publike, përfundojnë në pasuri në xhepat e qeveritarëve të korruptuar shqiptarë”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalosi edhe para FMN-së, siç ka shpalosur edhe para partnerëve të tjerëve të Shqipërisë planin e Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga kriza. Basha bëri të ditur se plani konsiston në radhë të parë në thjeshtimin e sistemit të taksave në Shqipëri.
“Taksa e sheshtë 9%, ulja e TVSH-së në 15% nga 20% që është aktualisht, taksimi i thjeshtë, taksimi i lehtë, procedura të thjeshta dhe fund abuzimit të ushtrisë së taksidarëve me biznesin e vogël dhe biznesin e madh dhe qytetarëve në tërësi. Së dyti, anulimin e menjëhershëm në bllok të të gjitha koncesioneve korruptive të dhëna nga kjo qeveri. Së treti, fokusimin e të gjithë shpenzimeve qeveritare drejt investimeve që hapin vende pune, investimeve që ndihmojnë sektorë strategjikë të ekonomisë, siç janë ato në bujqësi me një skemë prej 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto mbështetje për bujqësinë. 150 milionë euro në vit do të jetë plani ynë për të nxjerrë bujqësinë nga kriza që e ka zhytur qeverisja Rama. Paratë që sot shkojnë për orendi, për ‘Xhaguar’, për perde, para korruptive që shkojnë për shpenzime qeveritare do të shkojnë në ndihmë të drejtpërdrejtë për shtresat në nevojë dhe investime publike që ndihmojnë ekonominë e vendit. Përfundimin e akseve rrugore, vazhdimin e investimeve në infrastrukturën energjetike, telekomunikacionit për ta bërë Shqipërinë një vend të konkurrues” tha Basha.
“Më shumë para për qytetarin shqiptar, për konsumatorin shqiptar, për biznesin shqiptar, më pak hapësira për korrupsion përmes koncesioneve korruptive dhe skemave të tjera, të cilat iu zhvatin shqiptarëve 1 miliard euro në vit. Kjo është edhe rezerva e artë që Partia Demokratike do të ketë, do të përdorë për nxjerrjen e vendit nga kriza, sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme për të nxjerrë 46% të shqiptarëve nga varfëria dhe për të siguruar vende pune dhe vende pune me paga dinjitoze. Do t’u japim shtresave në nevojë mundësi për të jetuar me paratë e ndihmës sociale, duke marrë përsipër nga buxheti i shtetit pagesën e 300 këw-ve të parë të energjisë dhe pagesën e faturës së ujit, faturë totale kjo që nuk tejkalon 20 milionë euro në vit. Ndërkohë që vetëm për zyrat e veta kjo qeveri harxhon 80 milionë euro në vit. Pra, treguam planin tonë, prioritetet tona që vendosin njerëzit të parët dhe jo qeverinë të parën” u shpreh kreu i PD.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve për paketën fiskale të PD, Basha theksoi se ajo është e panegociueshme. “9% taksë e sheshtë, 15% TVSH, kjo është platforma e palëvizshme e PD, zbatimi i të cilës së bashku me anulimin e koncesioneve korruptive do të nisin jetë që muajin e parë të qeverisjes së demokratëve”.