43 kg drogë dhe 1 kg kokainë nga Shqipëria kapen në Greqi

Një makinë me lëndë narkotike që vinte nga kufiri shqiptar është ndaluar në Janinë. Mësohet se pas ndjekjes nga policia, makina është kapur në Metsovo. Pasi ka ndaluar mjetin, drejtuesi i saj e braktisi atë dhe u largua me vrap, duke lënë pas 2 çanta me 26 pako që përmbanin 43 kg 380 gr marijuanë. Sakaq, nga hetimet e policisë greke, mjeti rezulton i vjedhur në Greqi. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim shoferin shqiptar, rreth 35 vjeç, ndërsa po punohet për kapjen e tij.
Njësia Antidrogë e Athinës ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, që akuzohen për trafik droge. Edhe pse mosha e të arrestuarve është e njëjtë, 38 vjeç, ata janë arrestuar në dy operacione të ndryshme. Shtetasi i parë u arrestua, pasi më parë ishte vënë nën mbikëqyrje, i dyshuar si trafikant droge. Në mjetin e tij, policia gjeti një sasi kokaine me peshë 2 kilogramë e 15 gramë.
Nga verifikimi rezultoi se 38-vjeçari ishte dënuar dy herë në mungesë për çështje droge dhe se ndaj tij ishin nxjerrë dy urdhera arresti. Një tjetër shtetas shqiptar u arrestua afër qendrës së Athinës dhe akuzohet për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 1,3 kg kokainë, një armë zjarri të tipit pistoletë dhe 38 fishekë, si dhe dy peshore precizioni.

Artikulli paraprakDrogë me avion nga Shqipëria, Italia kërkon 75 vite burg për trafikantët
Artikulli tjetërKapet me 6 kg kokainë në Itali një shqiptar