LSI ka reaguar pas akuzave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ngarkon me përgjegjësi përfaqësuesit e partisë së drejtuar nga Monika Kryemadhi, lidhur me Arbitrazhin që dënoi Shqipvrinë me 44 mln euro, pas padisë së një kompanie greke.
“Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Belinda Balluku.
Por i menjëhershëm ishte reagimi nga LSI, e cila e konsideron hedhje balte nga ministrja Balluku.
“Për të informuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Fugën që përgatit Deklaratat e Ministrive të Rilindjes, iu bëjmë me dije se para se të përmendni emrin e LSI duhet të thërrisni që t’iu sqarojnë:
Znj. Eridana Çano ish Zv Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit të Rilindjes Edi Rama. Personi i ngarkuar nga Rama për ndjekjen e mbarëvajtjes së këtij projekti dhe komunikimin me ARRSH, Ministrinë dhe firmën greke AKTOR.
- Arben Ahmetaj, ish Ministër i Financave dhe personi që firmoste dhe aprovonte buxhetet, shpronësimet dhe rimbursimin e TVSH-së. Arbitrazhi është humbur pikërisht për mosrimbursimin e TVSH-së dhe shpronësimeve.
- Afrim Qendron, që ishte kryetari i Këshillit Teknik dhe ishte ai që miratonte çdo ndryshim projekti që kishte efekt në buxhet.
Dhe si mund të evitoni Taulant Ballën nga marrja në pyetje, që jo vetëm përdori kunatin dhe motrën për lëvizjen e parave por edhe listën e njerëzve që punësonte në Elbasan.
Cila është lidhja e Kristlen Kerrit me Taulantin?”, thuhet në reagimin e LSI.
Në vijim kjo parti i bën thirrje Prokurorisë, të zbulojë pse janë zhdukur e-mailet e komunikimit mes Eridana Çano-s dhe drejtuesve të njësisë së menaxhimit të projektit Z. Aksel Gjurduka dhe Z. Albens Alite?
“Përpara se Znj. Balluku të bëjë deklarata inati ndaj Damian Gjiknurit, e këshillojmë që të shikojë letrat mirë. Meqënëse është dhe ish-studente e Fakultetit Juridik Tiranë.
Ankesa e firmës Greke AKTOR ka ardhur në ARRSH, një javë pasi Dashamir Xhika ka dhënë dorëheqjen. Trajtimi i këtyre ankesave duhet të ishte marrë në konsideratë nga Damian Gjiknuri dhe Afrim Qëndro.
Kur LSI qenka kaq e rëndësishme, përse firma Greke ka nisur gjyqin me qeverinë shqiptare në 2019-ën, 2 vite pasi LSI ishte në opozitë dhe pse kryeministri Rama nuk ka marrë asnjë veprim ndaj informimit që Ministri i LSI-së Z. Haxhinasto i bëri në Mars 2016-ën, me anë të një letre zyrtare mbi problematikat me firmën Greke në rrugën Tiranë-Elbasan”, thuhet në reagimin e LSI.