Kryetari i opozitës Basha denoncoi dje në një takim me strukturat e PD se vetëm në një vit Rama ka dhënë tendera për 11 miq të tij në shumën e 45 milionë dollarëve. Basha e ka rënduar akoma më shumë pozitën e Ramës në abuzimin e fondeve publike duke kujtuar se nëse 45 milionë dollarëve për 11 miqtë e tij u shtohen edhe fondet për luksin e zyrave të pushtetit atëherë abuzimi arrin në shifra marramendëse, duke kapur shumën e 234 milionë dollarëve.
Korrupsioni në shifrat marramendëse i Ramës po denoncohet për çdo ditë nga kreu i opozitës në takimet me strukturat e Partisë Demokratike. Revolta është në prag. Irritimi i njerëzve ndjehet në çdo takim. Nga njëra anë varfëria thellohet për qytetarët dhe nga ana tjetër rritet pasurimi në kurriz të takspaguesve shqiptarë.
Qeveria dhe kryefundërrina në krye të saj nuk mundet dot që të përgënjeshtrojë denoncimet e Bashës. Ai hesht dhe për çdo ditë tallet me shqiptarët dhe varfërinë e tyre. I përqesh ato përmes faqes së tij të Facebookut.
Denoncimi i Bashës
“Vetëm këtë vit 45 milionë dollarë fonde publike për 11-shen e miqve të vet, bashkë me shpenzimet për orendi, shpenzime luksi, karburant, makina 234 milionë dollarë kanë shkuar në xhepat e miqve të Edi Ramës, shifër e barabartë me ndihmën ekonomike për një vit për 200 mijë familje. Shifër e barabartë me rrogën 300 mijë lekë në muaj për 55 mijë të punësuar. Në qoftë se këto para do të shpenzoheshin për subvencione për bujqësinë çdo fermer shqiptar do të merrte 500 mijë lekë”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi dje me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Kuçovë dhe në Urën Vajgurore. Zoti Basha renditi krimin dhe korrupsionin si shkaktarët kryesorë të situatës në të cilën ndodhet vendi sot. Duke iu referuar përfitimeve që 11 miqtë e Edi Ramës kanë marrë me tendera, theksoi se do të ishin hapur 55 mijë vende të reja pune në një vit, si dhe do t’u jepej ndihmë ekonomike 200 mijë familjeve në nevojë.
Pushteti i Edi Ramës, tha Basha është përqendruar në duart e një grushti kriminelësh dhe të korruptuarish që ndajnë paratë me të dhe kërkojnë me çdo çmim të mbajnë pushtetin, ndërsa varfëria dhe mjerimi për qytetarët shtohet.
“Edi Rama ka ndërtuar një kazermë tiranike të krimit dhe të korrupsionit së bashku me kriminelët më në zë të Shqipërisë. Shikoni si i ka ndarë punët: buxhetin për vete, drogën me kriminelët me të cilët ka ardhur në pushtet. Çfarë mbetet për popullin?! Varfëria, emigracioni, burgu po nuk pagove dot faturën apo do të lidhin sytë në mëngjes dhe do të çojnë tek arat e drogës dhe do t’i lidhin prapë në darkë e do të kthejnë në shtëpi, si argat, si skllav i drogës. Nuk na duhet thjesht një rotacion, largimi i tyre dhe ardhja jonë. Na duhet një ndryshim epokal në qendër të së cilit do të jetë fuqizimi i qytetarit shqiptar dhe kufizimi i pushtetit të ardhshëm sipas një modeli europian”.