480 mijë apartamente me “letra”, sa banesa janë pa adresa. Dhe a do mund t’i jepet fund shërbimit postar… “mesjetar”?!

Censusi i sapo-përfunduar pritet të dalë me të dhënat më të fundit përsa i përket numrit të popullsisë së mbetur në Shqipëri dhe banesave.

Vështirë se mund të gjendet një vend tjetër në Europë pa numër të saktë banesash, ose kryeqytet më kaotik se Tirana.

Vështirë se mund të haset një shërbim postar më problematik se në vendin tonë, ku shpesh qytetarët në mungesë të adresës duhet të paraqiten në postë, për të bërë punën e postierit.

Në Kuvend është depozituar një nismë e re për aplikimin e një sistemi adresash, ku çdo godinë e rrugë ose familje që kanë ose nuk kanë adresë, duhet të ketë një kod unik dhe emërtimin përkatës.

Ndërtimet pa leje dhe informaliteti i lartë kanë ndikuar në këtë situatë, çka edhe kërkohet t’i jepet zgjidhje.

Sa ndërtesa dhe apartamente ka në Shqipëri?

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave (RKA), rezulton se në Shqipëri numërohen 471 mijë e 945 apartamente. Numërohen edhe 774 mijë e 431 ndërtesa.

Procesi i emërtimit ka përfunduar për 150 mijë segmente rrugore në të gjithë vendin si dhe për 115 mijë e 11 ndërtesa që janë të lidhura me segmentet rrugore ku pozicionohen, sipas të dhënave teknike.

Përpjekjet për ndërtimin e një sistemi adresave kanë qenë të hershme, por janë lënë pas dore duke mos përfunduar.

Si për qytetarët, ashtu dhe për qeverinë ky proces do të jetë fryt-dhënës në ndikimet ekonomike që do të kenë të gjitha grupet e përfshira. Adresat e përmirësuara pritet të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik duke lehtësuar planifikimin dhe zhvillimin më të mirë të infrastrukturës.

Adresimi i plotë i pjesëve të territorit publik ndihmon gjithashtu në identifikimin e zonave për rritje potenciale, tërheqjen e investimeve dhe mbështetjen e bizneseve lokale.

Për të kuptuar problematikën e mbartur ndër vite mjafton një fakt: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar partive politike të regjistruara në regjistrin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku i ka njoftuar për detyrimin që kanë për të dorëzuar raportet financiare vjetore në KQZ.

Nga 132 (njëqind e tridhjetë e dy) parti politike të cilave ju dërgua njoftimi, 37 (tridhjetë e shtatë) parti politike e kanë marrë njoftimin ndërkohë që për 95 (nëntëdhjetë e pesë) parti politike është kthyer zarfi për shkak të adresës së pasaktë” thuhet në raport.

Exit mobile version