4800 shqiptarë ikën me ambasadat në ’90, 300 mijë plotësuan dokumentat në 2015

26 vjet më parë, rreth 4 800 shqiptarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë hynë në ambasadat kryesore në Tiranë për të kërkuar largimin nga Shqipëria-shpëtimin nga izolimi, varfëria dhe dhuna politike.
Mbas një krize disa ditore, ndërsa ambasadat nuk pranuan t’i nxjerrin ata jashtë, regjimi komunist u detyrua të lejonte largimin e tyre nga vendi—rreth 3 200 shkuan në Gjermani, mbi 800 në Itali, rreth 600 në Francë, disa dhjetëra në Turqi, Poloni, Çekosllovaki, etj. Në çerek shekullin që pasoi atyre iu bashkuan më shumë se 1,3 milionë shqiptarë të tjerë, ndërsa, me shumë gjasa, qindra mijëra do t’u bashkohen në dekadat e ardhshme.

Histori e shkurtër e emigrimit

Rënia e regjimit komunist, në dhjetor 1990, shënoi fillimin e eksodit të pandalshëm të shqiptarëve drejt botës perëndimore.
Nga dhjetori 1990, për më shumë se dy vjet, mijëra e dhjetëra mijëra shqiptarë iu drejtuan çdo muaj Greqisë, duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.
Në shkurt-mars 1991, mbi 30 mijë qytetarë mësynë portet e vendit, kryesisht atë të Durrësit e të Vlorës, ku morën në kontroll mjetet lundruese që mundën dhe detyruan ekuipazhet t’i transportonin për në Itali. Në muajt që pasuan, mijëra të tjerë iu drejtuan Italisë me barka dhe çdo mjet tjetër.
Pas vitit 1992, gjendja shoqërore dhe politike në vend u qetësua disi, por situata e re nuk e ndali emigrimin: mijëra shqiptarë vazhduan të emigrojnë çdo vit, duke provuar çdo mundësi, nga kalimet e paligjshme të kufirit tek udhëtimet me dokumenta të rregullta për të mos u kthyer më.
Gjeografia e emigrimit u zgjerua përtej Italisë dhe Greqisë, në të gjitha vendet perëndimore në Evropë, SHBA, Kanada, Australi e deri në Zelandë të Re.
Reth 450 mijë shqiptarë u larguan nga Shqipëria, në periudhën 1990-1996, rreth 75 për qind e tyre në Greqi.
Në vitin 1997, me rënien e piramidave dhe tronditjen tërësore shoqërore e ekonomike të vendit, shpërtheu një valë e re emigrimi. Dy kanalet kryesore qenë, përsëri, kufiri drejt Greqisë dhe deti drejt Italisë. Kanali i Otrantos u shndërrua në një autostradë gomonesh dhe mjetesh të tjera lundruese.
Në total, rreth 150 mijë shqiptarë emigruan pas rënies së piramidave gjatë viteve 1997-1998.
Në periudhën 1999-2000, përzënia me dhunë e kosovarëve nga makineria ushtarake serbe u shfrytëzua nga mijëra shqiptarë, të cilët sajuan identitete kosovare dhe kërkuan strehim në vende perëndimore-duke përfituar nga gjuha e kultura e përbashkët dhe mungesa e nevojës për të treguar dokumente identifikimi.
Pas vitit 2000, ritmet e emigrimit u ulën në krahasim me periudhat kulmore, por emigrimi vazhdoi, gjithsesi, në mënyrë të qendrueshme. Krahas emigrimit të paligjshëm, mijëra shqiptarë emigruan çdo vit në mënyrë të ligjshme, përmes bashkimit familjar, punësimit, programeve qeveritare të emigrimit të vendeve të ndryshme, etj.
Nga viti 2000 e deri më sot, çdo vit kanë emigruar mesatarisht rreth 30-40 mijë persona.

Shtrirja e emigracionit shqiptar në botë

Të paktën 1,3 milionë shqiptarë jetojnë sot jashtë Shqipërisë, të cilët kanë emigruar në periudhën e pas vitit 1990. Kjo do të thotë se, brenda një çerek shekulli rreth 32 për qind e popullsisë e ka braktisur vendin. Tashmë, popullsia që jeton jashtë Shqipërisë është gati sa 47 për qind e asaj që jeton në Shqipëri.
Me shumë gjasa, shifra e vërtetë e emigrantëve shqiptarë në botë është ndjeshëm më e lartë nga shifra e mësipërme, pasi shumë prej tyre jetojnë në mënyrë të paligjshme, një pjesë janë regjistruar me nënshtetësi të rreme, ndërsa për shumë vende mungojnë të dhënat zyrtare. Një vlerësim indirekt i joni e çon shifrën totale të emigracionit në rreth 1,45 milionë persona.
Më poshtë është një pasqyrë e shkurtër e shtrirjes gjeografike të emigracionit shqiptar në botë.

Itali: Mbi 561 mijë shqiptarë

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane, në fund të dhjetorit 2015, në Itali kishte mbi 467 mijë shqiptarë me leje qëndrimi-rreth 9,3 për qind e të gjithë të huajve rezidentë në vend. Gjithashtu, në Itali jetojnë rreth 94 mijë italo-shqiptarë-emigrantë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë italiane.
Ndërkohë, mijëra shqiptarë të tjerë, mendohet, se jetojnë në Itali pa leje qëndrimi.
Italia ka krijuar lehtësira për fitimin e nënshtetësisë dhe numri i shqiptarëve që fitojnë nënshtetësinë italiane ka ardhur, duke u rritur në mënyrë të ndjeshme vit pas viti-në vitin 2015 morën nënshtetësinë rreth 36 320 shqiptarë, në vitin 2014 rreth 21 148, në vitin 2013 rreth 9 500.

Greqi: mbi 512 mijë shqiptarë

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, në vitin 2011, në Greqi jetonin në mënyrë të ligjshme rreth 481 mijë shqiptarë-rreth 53 për qind e gjithë nënshtetësave të huaj rezidentë në Greqi. Rreth 31 mijë shqiptarë të tjerë, vlerësohet, se kanë marrë nënshtetësinë greke.
Ndërkohë, mendohet se disa dhjetëra mijëra shqiptarë jetojnë pa dokumenta të rregullta ose të padeklaruar-për rrjedhojë, numri i vërtetë i shqiptarëve që jetojnë në Greqi mund të jetë afër 600 mijë personave.

SHBA: mbi 86 mijë shqiptarë

Pas Italisë dhe Greqisë, SHBA-të kanë qenë synimi kryesor i emigrimit shqiptar. Është vlerësuar se në SHBA jetojnë mbi 86 mijë shqiptarë të rregullt, që kanë emigruar pas vitit 1990.
Mijëra të tjerë mendohen se jetojnë pa leje qëndrimi, prandaj numri i vërtetë i shqiptarëve në SHBA mund të jetë mbi 100 mijë.

Pjesa tjetër e botës: të paktën 144 mijë shqiptarë

Sipas të dhënave zyrtare, në Gjermani jetojnë në mënyrë të rregullt rreth 50 mijë shqiptarë-40 mijë me leje qëndrimi dhe të paktën 10 mijë gjermano-shqiptarë, në Kanada jetojnë rreth 29 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar rreth 15 mijë shqiptarë të emigruar pas vitit 1990.
Të paktën 50 mijë shqiptarë të tjerë jetojnë në mënyrë të ligjshme në vende të tjera, si Zvicra, Austria, Turqia, Australia, Belgjika, etj.

15 mijë qytetarë shqiptarë morën leje qëndrimi në Itali

Sikurse kemi theksuar më parë, gjatë vitit 2015, rreth 200 mijë shqiptarë shprehën dëshirën e tyre për të emigruar në SHBA, gjykuar nga numri total i personave që kanë aplikuar direkt apo janë përfshirë si familjarë të aplikuesve.
Gjatë së njëjtës periudhë, rreth 65 mijë qytetarë të tjerë udhëtuan dhe kërkuan azil në një vend të BE-së.
Por, ndërsa shifrat e mësipërme, në rastin më të mirë, dëshmojnë qëllimin e qytetarëve për t’u larguar, të cilin gjithsesi shumë pak e arrijnë, një sërë shifrash të tjera hedhin dritë mbi ritmet e tanishme të emigrimit.
Midis 15-20 mijë persona marrin çdo vit leje qëndrimi në Itali dhe shumica e tyre vendosen në Itali. Në vitin 2015, rreth 15 510 shqiptarë fituan leje qëndrimi të përkohshme apo të përhershme në Itali; në vitin 2014 ishin 16 202 persona. Në vitin 2012, ishin mbi 19 mijë shqiptarët që u pajisën me leje qendrimi.
Rreth 3-4 mijë persona emigrojnë çdo vit drejt SHBA-ve-dy mijë prej tyre fitojnë llotarinë e vizës së shumëllojshmërisë (kartën jeshile), ndërsa 1-2 mijë të tjerë fitojnë leje qëndrimi apo nënshtetësi përmes bashkimit familjar, martesave, punësimit, etj.
Mesatarisht, mbi 40 mijë shqiptarë fitojnë nënshtetësi të një vendi të BE-së çdo vit-në vitin 2014 e fituan 41 mijë shqiptarë (rreth 4,6 për qind e gjithë shtetësive të dhëna në BE gjatë vitit), ndërsa në vitin 2013, morën nënshtetësi 41 700 shqiptarë (mbi 90 për qind e tyre fituan nënshtetësi greke ose italiane).
Është e arsyeshme të besohet se, secili prej tyre mund të kërkojë bashkim familjar dhe të tërheqë në vendin përkatës të BE-së ndonjë familjar që tani jetojnë në Shqipëri. Nëse ky hamendësim është i vërtetë, mijëra në mos dhjetëra mijëra shqiptarë emigrojnë çdo vit në BE përmes bashkimit familjar.
Shifrat e mësipërme dëshmojnë, se të paktën disa dhjetëra mijëra persona arrijnë të emigrojnë çdo vit. Duke patur parasysh se, shtesa natyrore e popullsisë në vend është pak më shumë se 10 mijë persona në vit-në vitin 2015 pati 32 715 lindje dhe 22 418 vdekje-do të thotë se popullsia e Shqipërisë po vazhdon të zvogëlohet me ritme të larta.
Një gjë është e sigurtë, nëse emigrimi i ligjshëm do të ishte i mundur dhjetëra mijëra e ndoshta qindra mijëra shqiptarë do të zgjidhnin të braktisnin vendin e tyre.

Exit mobile version