5 ditë Panair, nis ngjarja më e madhe e librit! 95 ekspozues, Ymeri: Stimulojmë ulje të paktën 20 % !

Ditën e mërkurë pritet të fillojë panairi i 26-të i librit.

Për 5 ditë me radhë, lexuesit do të kenë mundësi të njihen dhe të blejnë botimet e reja. Gjithashtu, do të kenë mundësi të takojnë edhe shkrimtarët e tyre të preferuar.

Në një bisedë për medien, Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që është edhe organizatorja e ngjarjes më të madhe vjetore të Librit, dha detaje lidhur me disa nga të ftuarit specialë përgjatë 5 ditëve të Panairit.

“Do të kemi shumë shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova…, por do të kemi edhe të huaj. Nga këta të fundit më i shquari është Lilian Thuramin (të mërkurën në orën 19.00 në Sofanë e Librit), futbollist i jashtëzakonshëm, por ai këtë radhë vjen në kostumin e shkrimtarit. Pastaj vlen të përmendet Ilide Carmignani, një personalitet i letërsisë, jo vetëm italian por edhe evropian”, tregon më tej Ymeri.

Do të jenë të pranishëm 95 ekspozues, ku  botuesi Petrit Ymeri foli për përfshirjen e shtëpive botuese nga trevat e tjera shqiptare.

“Në radhë të parë nga Kosova, është “Logos”, Maqedonia e Veriut është thuajse inekzistente, ndërsa nga Mali i Zi do të jetë e pranishme një shtëpi botuese me tekste shkollore dhe nja dy librari”, thotë Ymeri.

Rritja e numrit të lexuesve mbetet një sfidë sipas tij, që kërkon angazhim maksimal të institucioneve.

Panairi do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 19 nëntor do të ndahen edhe 4 Çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku.

Artikulli paraprakPRODHIME TË FRESKËTA7 Ushqimet që Kanë më Shumë Kalium se Bananet
Artikulli tjetërIntervista për UEFA-n, Hysaj vlerëson Sylvinhon: Trajneri i preferuar, ka sjellë energji dhe pozitivitet në grup