Nga Sidi Hasanaj
Sali Berisha ka nënshkruar një kontratë lobimi prej 6 milionë dollarësh në SHBA me synimin për të zhbërë shpalljen “NonGrata” për korrupsion masiv dhe minimin e demokracisë. Ky veprim i tij i fundit është një akt dëshpërimi për të mbrojtur interesat e veta personale dhe familjare, dhe një vetëdemaskim spektakolar i gjithë propagandës së tij të dekadës së fundit.
1. Një kontratë dyvjeçare, mdërkohë që ka dhënë një premtim për Dorëheqje nëse humb 11 Majin?!
Nëse Berisha vërtet do të respektonte statutin e PD që e detyron të japë dorëheqje në rast humbjeje në zgjedhjet e 11 majit, ai nuk do të nënshkruante një kontratë lobimi që shtrihet përtej këtij afati. Nënshkrimi i kësaj kontrate provon që Berisha nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i PD, edhe pas humbjesh të reja. Për të, PD është një pronë private, një instrument për mbrojtjen e vetes dhe pasurisë së tij familjare.
U demaskua se nuk do japë dorëheqjen po humbi 11Majin!
2. Nga opozitar 12 vjet në miliarder: Ku i gjen Berisha 6 milionë dollarë?
Pas 12 vitesh në opozitë, Berisha gjen mundësinë të shpenzojë miliona, jo vetëm për avokatë në Angli (ku dështoi për të rrëzuar NonGratën) edhe pse pagoi 500mijë paund avokatë, por edhe për një fushatë lobimi që kushton 260 mijë dollarë në muaj. Ndërkohë, miliona të tjera janë paguar për drejtues fushatash të Donald Trump, si LaCivita dhe kompani lobimi nga më të shtrenjtat në botë.
Kjo ngre pyetjen thelbësore: Sa shumë para ka akumuluar Sali Berisha, që paguan dhe paguan e nuk ndalet kurrë? E në ç’mënyrë?!
3. Rrëzimi i mitit të “armikut Soros”
Prej vitesh, Berisha ka pretenduar se shpallja e tij “NonGrata” është rezultat i lobimit të George Soros. Por, nëse kjo do të ishte e vërtetë, ardhja e një administrate anti-Soros në SHBA (si ajo e Trump) do ta kishte shfuqizuar automatikisht këtë vendim. Fakti që Berisha paguan miliona për ta hequr NonGratën, pikërisht duke lobuar tek e njëjta kamp konservator, provon se problemi nuk është Sorosi, por dosjet e rënda të korrupsionit dhe minimit të demokracisë.
Dhe përsëri paguan miliona dollarë te Trump, e përsëri ai është Nongrata në SHBA!
4. Përralla DonKishioteske “Sovraniteti i rremë dhe blerja e opozitës”
Për vite me radhë, Berisha predikoi retorikën e “sovranitetit” dhe “luftës kundër superfuqive arrogante si Amerika”.
Tashmë faktoi që Lulzim Basha ka pasur dhe ka shumë të drejtë kur tha se “SHBA dhe partneriteti me ta është kruciale dhe jetike për PD”, e jo përrallat e Berishës me Sovranitet ndaj superfuqisë arrogante amerikane!
Sot Berisha po paguan miliona dollarë për të bërë çfarë?
Atë që shprehu Basha:
krijuar partneritet me SHBA-në, ndërkohë që në 2021 PD e kishte si kurrë më parë në dekadën e fundit!
Gabriel Escobar tha nga shkallët e selisë së PD se “kryetari i Pd Basha është aleat i afërt i joni, dhe mezi presim ta shoohim PD parti fituese”.
Në realitet, Berisha nuk ka më një parti, ka një ushtri mercenarësh: deputetë, drejtues dhe militantë të cilët blihen dhe shiten si plaçkë, njësoj siç dikur blihej vota me para të pista.
5. Një opozitë e blerë nuk mund të rrëzojë një pushtet të korruptuar
Nëse Sali Berisha përdor miliona për të blerë opozitën, median dhe opinionin publik, atëherë si mund të pretendojë se do të sjellë një ndryshim real kundër një qeverie të korruptuar si ajo e Edi Ramës?
Nuk mund të luftosh korrupsionin me korrupsionin.
Nuk mund të çlirosh një vend nga një regjim i kalbur duke e kthyer në duart e një tjetër që kërkon të mbrojë milionat e veta.
Berisha nuk po përpiqet të shpëtojë demokracinë shqiptare. Ai po përpiqet të shpëtojë pasurinë dhe lirinë e tij personale.
6 milionë dollarët për lobim janë vetëm maja e ajsbergut.
Në thelb, pas kësaj fshihet një betejë ekzistenciale për të ruajtur pasuritë e vjedhura dhe për të shmangur përballjen me drejtësinë.