5 mln euro/ Ligji u shfuqizua, por profesionistëve të lirë nuk do t’u kthehen pagesat

Nga Boldnews.al

Profesionistëve të lirë nuk do t’u kthehen rreth 5 milionë euro, të cilat u paguan gjatë fillimit të vitit 2024, në kuadër të një ligji që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar në një vendim të datës 16 Shtator 2024 se vendimi i marrë prej saj në 27 qershor 2024 për shfuqizimin e disa neneve të ligjit “Për Taksat” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të tij, mori fuqi ligjore pas Botimit në Fletore Zyrtare.

Ai vendim i Kushtetueses hyri në fuqi në Gusht të këtij viti. Kjo do të thotë se të gjithë taksat e paguara para kësaj date konsiderohen “të rregullta” dhe nuk do t’i kthehen biznesit, megjithëse ato janë paguar, bazuar mbi një ligj anti-kushtetues.

Ministria e Financave përllogarit se taksën e kundërshtuar e kanë paguar mbi 6500 biznese, për një vlerë totale prej 501 milionë lekë të reja. Tashmë, kjo shumë do të mbetet në arkën e Shtetit.

“Sqarimi” i Kushtetueses

Në 27 Qershor 2024, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e 1/5 të deputetëve, Dhomës së Avokatisë dhe të Institutit të Ekspertëve Kontabël, duke shfuqizuar disa nene të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të miratuar në vitin 2023, si edhe një nen të Vendimit të Këshillit të Ministrave që bazohej mbi atë ligj.

Ligji i vitit 2023 parashikonte që në listën e subjekteve privatë që përfshiheshin në detyrimin për tatimin mbi fitimin përfshiheshin për herë të parë edhe profesionet e lira. Zbatimi i këtij ligjir nisi zbatimin në prill 2024, ku shumë biznese nga lista e profesionistëve të lirë paguan këstin e parë të kësaj takse të re.

Qëndrimi politik i maxhorancës socialiste, i përkthyer në ligj e më pas në vendim të Këshillit të Ministrave, shkaktoi reagimin e kategorive të ndryshme të profesioneve të lira dhe opozitës së djathtë.

Ligji dhe VKM-ja vijuese u kundërshtuan në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, në fund të qershorit të këtij viti, shfuqizoi disa nene. Përfundimi ishte që profesionet e lira duhet të nisin të paguajë tatimin mbi fitimin, duke filluar nga viti 2029.

WhatsApp Image 2024 09 20 at 1.41.01 PM
Në foto: Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene për tatimin e profesioneve të lira në Qershor 2024

Por, problemi që shoqëroi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte fakti që çfarë do të ndodhte me pagesat e kryera tashmë nga profesionistët e lirë dhe nëse ato u duheshin kthyer pas apo jo nga administrata tatimore.

Sërish në Kushtetuese

Për të sqaruar këtë çështje, Këshilli i Ministrave, në datë 10 shtator 2024, iu drejtua sërish Gjykatës Kushtetuese, me një kërkesë për plotësimin e vendimit që gjykata kishte marrë në qershor të këtij viti.

Më saktësisht, Këshilli i Ministrave kërkonte që, me plotësimin e vendimit të saj, Gjykata Kushtetuese të shprehej qartë se çfarë duhej bërë me tatimin që profesionet e lira kishin paguar para shfuqizimit të neneve të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

WhatsApp Image 2024 09 20 at 1.41.01 PM 2
Në foto: Këshilli i Ministrave kërkoi nga Gjykata Kushtetuese “plotësimin e vendimit”

Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar njëzëri këtë kërkesë për plotësim vendimi, në datën 16 Shtator 2024, duke argumentuar se vendimi i mëparshëm nuk ka nevojë për plotësim, pasi është i qartë dhe me referencat e duhura kushtetuese e ligjore.

Gjykata Kushtetuese shprehet se: “…sa u takon efekteve që vendimi i Gjykatës sjell ndaj pasojave të dispozitave ligjore dhe nënligjore të shfuqizuara, neni 132, pika 2, i Kushtetutës parashikon se vendimet e Gjykatës hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare dhe se Gjykata mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër”, thuhet në vendim.

Më tej, trupa gjykuese shprehet se, sipas nenit 26, pikat 2 dhe 3, të ligjit nr. 8577/2000, vendimet, si rregull, hyjnë në fuqi ditën e publikimit, përveçse kur është parashikuar ndryshe në këtë ligj dhe Gjykata mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.

WhatsApp Image 2024 09 20 at 1.41.00 PM
Në foto: Në 16 shtator 2024, Gjykata Kushtetuese nuk kaloi në seancë plenare kërkesën e Këshillit të Ministrave për “plotësim vendimi”

Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se Gjykata në vendimin nr. 52/2024, ndërsa ka vendosur shfuqizimin e një pjese të dispozitave ligjore dhe nënligjore të kundërshtuara, duke dhënë edhe argumentet përkatëse për antikushtetutshmërinë e tyre, është shprehur edhe për efektet e vendimit në dispozitivin e tij përmes rregullit të përgjithshëm, sipas të cilit vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet më tej në vendim.

Në mënyrë më të thjeshtuar, shfuqizimi i dispozitave të ligjit ka hyrë në fuqi në Gusht 2024 dhe prej atij momenti, profesionistët e lirë nuk mund të paguajnë më tatimin mbi të ardhurat.

Rrjedhimisht, për pagesat e kryera para gushtit 2024, kur u botua në Fletore Zyrtare vendimi i Kushtetueses, pagesat e kryera nga profesionistët e lira konsiderohen të ligjshme dhe shifra prej mbi 5 milionë euro do të qëndrojë në arkën e Shtetit.

Artikulli paraprakEkspertët për VOA: Ndalimi i importeve nga Serbia mund të ketë pasoja për Kosovën
Artikulli tjetërDemokratët Euroatlantikë trajnim me Institutin Republikan Amerikan