Shqipëria po përballet me efektet e dukshme të moshimit të popullatës, si pasojë e një periudhe tranzicioni të shpejtë demografik. Gjatë dekadës së fundit, është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të të moshuarve, ndërkohë që numri i fëmijëve ka pësuar ulje për shkak të rënies së fertilitetit. Paralelisht, emigracioni masiv ka kontribuar në reduktimin e grupmoshës së re.
Ky transformim demografik ka ndikuar në zvogëlimin e madhësisë mesatare të familjeve, e cila ka kaluar nga 3.9 anëtarë që raportonte Cens2011, në 3.2 anëtarë sipas të dhënave të Cens-it 2023. Këto ndryshime janë reflektuar edhe në raportet e varësisë. Në vitin 2011, raporti i varësisë së të rinjve ishte 30.4%, ndërsa në periudhën aktuale ka rënë në 24%. Ndërkohë, raporti i varësisë së të moshuarve ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke u rritur nga 16.7% në vitin 2011 në 30.4% në vitin 2023.
Një aspekt interesant i kësaj analize është edhe numri i personave mbi 100 vjeç që jetojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel” bazuar në shifrat e Cens-it 2023, në vendin tone janë 364 persona që i përkasin kësaj grupmoshe, prej të cilëve 63 janë burra dhe 301 janë gra, një trend që lidhet me jetëgjatësinë më të lartë të grave krahasuar me burrat.
Shoqata e Gerontologjisë, e krijuar për të evidentuar problemet e të moshuarve, ka zbuluar se rreth 60% e të moshuarve në Shqipëri vuajnë nga sëmundje kronike. Gjithashtu, vështirësitë ekonomike, pamjaftueshmëria financiare dhe të jetuarit vetëm që shpesh çon në një jetesë të izoluar, janë problemet kryesore me të cilat përballen të moshuarit. Konkretisht, në Shqipëri me shume se 64 mije të moshuar jetojneë të vetmuar për shkak të emigracionit të fëmijëve ose braktisjes prej tyre.
Sipas publikimit të një analize mbi hartëzimin e shërbimeve sociale, që i përket vitit 2023, rezulton se në Shqipëri ofrojnë shërbime të përkujdesit shoqëror 391 institucione ose 16% më shumë se sa në vitin 2021. Nëse i kategorizojmë sipas tipologjisë rezulton se shërbimet për të moshuarit përbëjnë 13% të totalit. Por, kjo grupmoshë është kategoria e dytë me peshën më të lartë të atyre që janë në nevojë për këtë shërbim./SCAN