“5 vjetori i SPAK”, Dumani: Drejtësia nuk ka anë e kah. Ka patur përpjekje për ta minuar punën tonë

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka festuar sot 5 vjetorin e krijimit të saj.

Në një fjalim të mbajtur për këtë rast, kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se drejtësia nuk ka anë e kah dhe se nuk ka persona të paprekshëm.

Ai theksoi se përballë kërcënimeve, shpifjeve dhe fyerjeve ndaj trupës së prokurorëve dhe familjarëve të tyre, institucionet janë qëndruar të bashkuara, duke ruajtur pavarësinë dhe integritetin.

Dumani bëri një bilanc të punës 5-vjeçare të SPAK, duke u shprehur se janë hetuar 1036 persona për korrupsion, përfshirë 61 zyrtarë të nivelit të lartë.

Ai njoftoi se 70% e këtyre rasteve janë dërguar për gjykim dhe se janë ngritur 42 skuadra të përbashkëta hetimore me partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, SPAK ka sekuestruar 182 milionë euro asete të përfituara në mënyra të paligjshme.

“Ne jemi betuar për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Sot, SPAK është më i fortë,” u shpreh Dumani, duke nënvizuar angazhimin e prokurorisë për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet e shtetit.

“Dhamë mesazh të qartë se drejtësia nuk ka anë e kah.

Përpjekja jonë e deritanishme nuk ka kaluar pa vështirësi. Korrupsioni apo krimi nuk mund të zhduket brenda ditës. Jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë.

Me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë por përballë tyre jemi mbledhur bashkë si trupë e vetme kolegësh e kemi kuptuar sa e rëndësishme është pavarësia e institucionit dhe sa i vyer është integriteti i secilit nga ne.

Jemi betuar për ti shërbyer vendit dhe qytetarëve shqiptarë. SPAK sot është më i fortë.” tha Dumani duke bërë një bilanc të punës 5 vjeçare. 

“Lidhur me korrupsionit, janë 1036 persona nën hetim, 61 zyrtar të nivelit shumë të lartë dhe 70 përqind e tyre janë dërguar për gjykim.

Janë ngritur 42 skuadra të përbashkëta hetimore në lidhje me bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

Kemi sekuestruar 182 mln euro asete të përfituara në mënyra të paligjshme.

Kemi hetuar zyrtarë të të gjitha niveleve, mesazh që drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe nuk ka persona të paprekshëm”, tha ai.

Exit mobile version