50 vite “makth” ndaj Italisë

Të gjithë e dinë që Italia është rivali më i frikshëm për Gjermaninë. Rivaliteti mes tyre mbart një histori 50-vjeçare që nga 31 maji 1962 deri më 28 qershor 2012. Italia dhe Gjermania do të përballen serish, tani në çerekfinalen e Euro 2016. Në tetë sfida legjendare në Europian dhe Botëror, “pancerat” nuk arritën dot të fitonin asnjëherë.
Botërori 1962 në Kili, 31 maj 1962 (0-0)
Ndeshja e parë zyrtare mes Gjermanisë dhe Italisë përfundoi pa gola dhe pa shumë shanse. Të vetmin shans të madh e pati Uve Zeler në minutën e 12-të, por në “Santiago de Kili” e dënoi traversa. Pas fitores ndaj Zvicrës dhe Kili, “pancerat” kaluan grupin, ndërsa Italia u skualifikua si vend i tretë.
Botërori 1970 në Meksikë, 17 qershor 1970 (Gjysmëfinale 3-4)
Gjysmëfinalja e shekullit dhe mitike. Në mes të vapës (40 gradë) para 110 mijë spektatorëve në “Aztekenstadion” të Meksikos, Roberto Boninsenja kalon në avantazh Italinë në minutën e 8-të, ndërsa Bekenbauer luan me sup të dëmtuar nga minuta e 65-të. Karl-Hainc Shnelinger barazon dhe ndeshja shkon në shtesë. Gjermania kalon në avantazh (Gerd Myler), Italia barazon (Burgnish). Të kaltrit i përmbysin (Riva), “pancerat” barazojnë (Gerd Myler 110′), ndërsa Xhani Rivera vulos 3-4. Pesë gola për 17 minuta, një gjysmëfinale historike. Italia e humb finalen 1-4 ndaj Brazilit.
Botërori 1978 në Argjentinë, 14 qershor 1978 (0-0)
Në mjegullën e Buenos Airesit, Gjermania i falet superformës së portierit Zep Maier. Ekipi i Helmut Shën del me një barazim pa gola kundër Italisë në fazën në grupe. Si ndaj Polonisë dhe Tunizisë, “pancerat” nuk shënuan. Ish-kampionët në fuqi të botës skualifikohen në turin e dytë 2-3 ndaj Austrisë, e cila quhet edhe “Turpi i Kordobës”, ndërsa Italia e mbyll turneun në vend të katërt
Botërori 1982 në Spanjë, 11 korrik 1982 (Finalja 1- 3)
Pas humbjes në gjysmëfinale 1970, finalja në Madrid ka qenë humbja më dëshpëruese. Ishte finalja e parë mes tyre dhe Italia e fitoi. Pas barazimit pa gola në pjesën e parë, brenda 24 minutave Paolo Rosi (57′), Marko Tardeli (69′) dhe Alesandro Altobeli (81′) i dhanë avantazhin 3-0 “axurrëve”. Pol Brajtner shënoi golin e nderit (83′). Italia mundi Argjentinën, Brazilin dhe në finale Gjermaninë, duke çuar në Romë kupën e tretë të botës.
Europiani 1988 në Gjermani, 10 qershor 1988 (1-1)
Gjermani-Itali çeli Europianin në Dyseldorf. Trajneri aktual i Interit, Roberto Mançini, i jep avantazhin në minutën e 53-të, ndërsa Andreas Brehme barazon pas 3 minutash nga një goditje dënimi. Ekipi i drejtuar nga Bekenbauer skualifikohet në gjysmë-finale nga Holanda (1-2). Në këtë fazë skualifikohet edhe Italia
Europiani 1996 në Angli, 19 qershor 1996 (0-0)
Edhe pse doli barazim pa gola, Gjermania doli nga fusha moralisht fituese. Ishte ndeshja e tretë në grup dhe Andreas Këpke i pret penalltinë Xhanfrako Zolës dhe ndeshja mbyllet pa gola. Gjermania e mbyll e para grupin, ndërsa Italia shokohet pas barazimit në minutën e fundit mes Rusisë dhe Çekisë, pasi skualifikohet. Këpke shndërrohet në heroin e gjysmëfinales ndaj Anglisë dhe “pancerat” e Berti Fogst fitojnë trofeun e tretë Europian në “Uembli” pas “goldengolit” të Bierhofit ndaj Çekisë.
Botërori 2006 në Gjermani, 4 korrik 2006 në Dortmund (Gjysmëfinale 0- 2)
Në gjysmëfinale, në stadiumin e Dortmundit, Italia u shkatërron gjermanëve ëndrrën për të fituar Botërorin në shtëpi. Në një duel të barabartë pa gola dhe kur të gjithë mendonin se do vulosej nga penalltitë, Fabio Groso (119′) dhe Alesandro Del Piero (120′) shënojnë në dy minutat e fundit të shtesës dhe Balak shpërthen në lot. Pesë ditë më pas fitojnë kupën në mes të Berlinit me penallti ndaj Francës.
Europiani 2012 në Poloni-Ukrainë, 28 qershor 2012 (Gjysmëfinale 1-2)
Mario Baloteli, tmerri i Gjermanisë. Me dy golat e tij (20′, 36′) vulosi fitoren e Italisë. Në golin e tij të dytë ai pozon si figurë “bodybuilding”, duke u treguar muskujt gjermanëve. Goli i Ozilit në minutën e fundit nuk shmangu dot humbjen. Momenti më i hidhur për Lwv-in në fushën e Varshavës, të cilën e rikuperon 2 vite më vonë me triumfin në Botëror. Por, në finale, Italia shkatërrohet 0-4 nga Spanja.

Exit mobile version