Banorët e fshatit Mesaplik të Vlorës ankohen në Fiks Fare se nuk kanë rrugë dhe ujë të pijshëm. Rruga që të çon në fshat, nga segmenti kryesor i rrugës së lumit të Vlorës, nuk është më shumë se 7 km, por ka gropa, dhe në të mund të kalohet vetëm me fuoristradë.
Fshati ka vetëm dy të tilla. Për çdo hall apo problem shëndetësor ata janë të detyruar të zbresin në Vlorë me fuoristrada, pasi mjet transporti tjetër nuk ka. Rruga është aq e keqe sa nuk përshkohet dot as nga mjetet e vogla. Ndërsa në rrethinat e Mesaplikut shkohet vetëm me kafshë se nuk ka fare rrugë.
Pas ankesës së banorëve të bërë në redaksinë e emisionit Fiks Fare nëpërmjet postës elektronike, gazetarët e Fiksit u nisën drejt Mesaplikut. Rruga në ndërtim e sipër e Lumit të Vlorës nga ku shkon për në fshat është rreth 30 km. Këto 30 km u bënë për 3 orë, sidomos në segmentin 7 km para se të ktheheshe për në fshat rruga ish aq e keqe sa edhe furositrada nuk bënte punë.
Gazetarët intervistuan një grup të madh banorësh që kishin dalë për t’i pritur. Ata ankohen që nuk kanë ujë e rrugë, bashkia i ka harruar. Ata thonë – “Partitë kujtohen të vijnë vetëm kur kanë vota për të marrë. Është e pamundur të jetohet pa ujë, sidomos gjatë periudhës së verës nuk ka thuajse fare, gjatë dimrit edhe ka se ujë është me vet rrjedhje. Për të zbritur në Vlorë na duhen më shumë se 3 orë, ndërkohë që nuk janë më shumë se 30 km”.
Ata janë të irrituar më pushtetin lokal dhe qendror që i ka harruar në këtë zonë. Ata thonë se për ujësjellësin janë dhënë disa herë fonde, por ujë nuk ka. Sipas tyre para dy javësh për shkak të emergjencave pas shirave të rënduar, nga Bashkia Selenicë u sistemua rruga rreth 7 km dhe veprat e artit, por në vend të rregullohej, sipas banorëve ajo u shkatërrua më keq. Njëri prej tyre tregon se si para dy ditësh kishin varrosur një bashkëfshatar, dhe makina e mortit ngeci në mes të rrugës. Nuk e çonin dot tek varrezat e fshatit. Gropat e thella dhe shirat e rrëmbyeshëm e kishin bërë të pamundur kalimin.
Në këtë segment rrugor, nuk është ndërhyrë asnjëherë seriozisht apo me projekt konkret, për sistemimin e tij, as nga Bashkia Selenicë, por as nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili në përgjigjen kthyer për Fiksin thotë se për këtë segment të shkurtër, nuk kanë patur asnjëherë kërkesë për sistemim.
Kryetari i Bashkisë Selinicë, Përparim Shahmetaj, u shpreh për Fiksin që pikërisht në këtë rrugë janë bërë disa sistemime, por nuk janë të mjaftueshme dhe rruga ka tek-tuk ka ndonjë gropë. Sipas tij, pas ndërhyrjes që është bërë nga bashkia me sistemin e rrugës me çakull, kanaleve dhe veprave të artit, situata ka ndryshuar.
“Nuk e kuptoj pse ankohen banorët” shprehet i çuditur kreu i bashkisë.
Për këtë sistemim nuk pati një fond pasi u bë me mjetet dhe punëtorët e bashkisë. Ndërsa për Ujësjellësin ai thotë se janë bërë investime të pjesshme. Por nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi rrjeti amortizohet nga lumi i Vlorës. Por ndryshe nga çfarë thotë numri 1 i bashkisë ne faqen zyrtare të saj të publikuar, ofrohet një tjetër e vërtet. Investimi i fundit është ai i vitit 2017 ku për të gjithë ujësjellësit e Selenicës, mirëmbajtjen dhe sistemimin, sipas shpalljes së bërë në tender është shpenzuar rreth 140 milionë lekë. Përpos kësaj, sot banorët nuk kanë ujë.
Fiksi kontaktoi edhe me FSHZH-it. Sipas tyre në Komunën Brataj nga FSHZH-it është ndërhyrë gjatë viteve 2004 – 2005 ku është zbatuar një investim prej rreth 6.1 mln lekë financuar nga Banka Islamike. Projekti konsistonte në pastrimin dhe sistemimin e veprave të artit ekzistuese, pastrimin e kanaleve, shtrimin me çakull dhe stabilizant.
Gjatësia e trajtuar në total është rreth 2 km. Kjo është e vetmja përfshirje e FSHZH-së në këtë zonë në të shkuarën. Gjithashtu Fiksi u informua se pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk ka asnjë kërkesë për financim të këtij segmenti rrugor.