Bilal A*, 54 vjeç, zbuloi se kishte COVID-19 pas një skaneri në 10 gusht. Burri thotë se u shqetësua, por jo aq sa të alarmohej. Ai mori mjekime dhe për 10 ditë u kurua në shtëpi, por gjendja nuk po përmirësohej.
“Temperatura nuk po binte, gjendja u përkeqësua,” i tha ai BIRN, duke kërkuar që të mbetej anonim.
54-vjeçari që drejton një biznes funeral në Tiranë iu drejtua Spitalit Infektiv në ditën e 11-të, i sëmurë rëndë, por qëndroi aty më pak se 48 orë. Ai thotë se një prej mjekëve që kujdesej për të i kishte thënë se aty “nuk mund të shpëtonte”.
“Në spital gjendja ime ishte më e keqe,” tha ai, ndërsa u ankuar se medikamentet nuk i kishin bërë asnjë efekt.
Të afërmit e tij jashtë spitalit mblodhën paratë dhe e nisën drejt Turqisë, përmes një prej shumë kompanive që po veprojnë në biznesin në shpërthim të ambulancave ajrore.
“Kur na u rreziku jeta, bëmë zgjidhje individuale dhe shkuam në Turqi, në Stamboll me charter,” i tha ai BIRN.
Qindra shqiptarë të tjerë kanë bërë të njëjtën zgjedhje të vështirë që prej fillimit të pandemisë për t’u kuruar nga COVID-19.
Autoriteti i Aviacionit Civil, AAC, i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se deri më 18 nëntor kishte pasur 565 “fluturime për qëllime mjekësore” nga Rinasi, shumica dërrmuese e të cilave në muajt tetor dhe nëntor.
Të dhënat e AAC tregojnë se numri i fluturimeve u rrit nga 5 në muajin maj, kur epidemia COVID-19 ishte ende nën kontroll, në 152 fluturime gjatë muajit tetor. Muaji nëntor shënoi një rekord të ri me 206 fluturime për qëllime mjekësore deri me datë 18.
Nga të dhënat e mbledhura nga dy kompani që ofronin shërbimin e avionit ambulancë, pacientët shqiptarë kanë shpenzuar rreth 6.7 milionë euro vetëm për fluturimet jashtë shtetit. Shpenzimet minimale për ditët e qëndrimit të tyre në spitalet e Turqisë llogariten të kenë kushtuar edhe rreth 12 milionë euro të tjera.
BIRN mësoi se çmimi mesatar për një fluturim me charter kushton 12 mijë euro, ndërsa një natë qëndrimi në spitalet e Turqisë kushton mesatarisht 1200 euro. Pacientët e COVID-19 shpenzojnë minimalisht 15 ditë qëndrimi në spital.
“Në total shpenzova 45 mijë euro, vetëm charteri 15 mijë euro dhe 30 mijë euro qëndrimi në spital për 20 ditë,” tregoi Bilal A. Ai shtoi se në shpenzime nuk përfshihej kthimi pas me avion normal pasagjerësh me të vëllanë dhe shpenzimet e tjera të vogla.
“Ça të them? Jemi në borxh, jemi me minus,” tha ai përmes një bisede telefonike./BIRN