6 ditë afat Aubamejang

Me objektiv të qartë, Aubamejang, Milani vazhdon të ëndërrojë fuqishëm. Pas zgjidhjes së problemit “Donaruma”, puna në “Casa Milan” vazhdon me ritme të larta. Ditën e parë të grumbullimit kuqezi, administratori Fasone deklaroi qartë se, klubi është ende në kërkim të një përforcimi të bujshëm dhe jo vetëm, sepse drejtuesit kanë ende buxhet në dispozicion.
Sipas disa zërave nga brenda Milanit, flitet se pronarët kinezë kanë shtuar buxhetin për merkato me qëllim që të realizohet një blerje e madhe në repartin e avancuar. Vështirësitë e gjetjes së akordit me Fiorentinën për Nikola Kaliniç janë ende të pranishme. Kuqezinjtë ofrojnë 20 milionë euro, ndërkohë që në Firence nuk pranojnë të flasin për më pak se 30.
Kroati ka ditë që kërkon largimin nga Toskana, por kërkesa e tij për momentin bie në vesh të shurdhër. Vonesat e tjera në këtë çështje janë si pasojë e interesimit për Pier Emerik Aubamejang nga ana e “Djallit”. Tianjin i Fabio Kanavaros është rivali kryesor i kuqezinjve për sulmuesin e Borusias së Dortmundit.
Kinezët kërkojnë të ecin sa më shumë në Ligën e Kampioneve aziatike dhe nuk po ndalin shpenzimet. Për fatin e Milanit, merkato për Kinën përfundon më 15 korrik dhe nëse Kanavaro nuk blen sulmuesin në ditët e mbetura, Milani, i mbetur pa rivalë, do t’i bëjë ofertën e tij klubit gjerman.
28-vjeçarit i janë ofruar deri në 7.5-8 milionë euro në sezon, por ai ka luajtur lojën e pritjes me shpresën që kuqezinjtë të arrijnë në një ofertë 10 milionëshe në sezon. Me buxhetin ende të mbushur, por edhe me një shitje të mundshme të Karlos Bakës te Marseja, “Djalli” do të ishte në gjendje të kënaqte dëshirat e Aubamejang, por edhe të Dortmundit. Siç e përmendëm edhe më sipër, Milani po kërkon të shesë Karlos Bakën.
Kolumbiani, megjithëse pati deklaruar dëshirën e tij për të qëndruar ende në Milano, dje me sa duket është bindur për largimin. Kjo mundësi dëshmohet në njëfarë mënyre edhe nga fshirja që i ka bërë futbollisti të gjitha fotove që e lidhin me Milanin.
Kuqezinjtë kërkojnë 20 milionë euro për 31-vjeçarin, por do të mjaftohen me 15 milionët që ofron Marseja, e cila po punon për të arritur një akord me futbollistin mbi pagën vjetore.

Artikulli paraprakWayne Rooney: U riktheva te Everton për të arritur suksese
Artikulli tjetërRudiger me Chelsea deri në vitin 2022