6 miliardë e 700 milionë lekë tendera Qefalisë në 3 vite

Duke nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo Bashkia Durrës e Bashkia Patos miliona para nga fondet publike i janë dhënë kompanisë “Vllaznia”, e cila është në pronësi të deputetit socialist Qefalia, por që së fundmi është e regjistruar në emrin e nipërve të tij, me qëllim fshehjen e emrit të deputetit socialist si zotërues 100% i aksioneve të kësaj kompanie
PD publikon dokumentacionin e plotë se si kompania e deputetit socialist ka kaluar në emër të nipave, sa për formalitet
Gati 7 miliardë lekë tendera ka marrë firma e deputetit socialist Xhemal Qefalia në tri vite të qeverisjes Rama. Duke nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo Bashkia Durrës e Bashkia Patos miliona para nga fondet publike i janë dhënë kompanisë “Vllaznia”, e cila është në pronësi të deputetit socialist Qefalia, por që së fundmi është e regjistruar në emrin e nipërve të tij, me qëllim fshehjen e emrit të deputetit socialist si zotërues 100% i aksioneve të kësaj kompanie. Partia Demokratike publikoi dokumentet që faktojnë fondet prej qindra milionë lekësh që kompania e Qefalisë ka marrë në tre vitet e fundit nga institucionet publike. Sipas dokumenteve të bëra publike dje, rezulton se nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kompania e Qefalisë ka përfituar një shumë prej 520 milionë lekësh të vjetra për një tender, shërbimi i të cilit është “Blerje ushqimesh bazë”. Pra, vetëm përmes një tenderi kompania e deputetit socialist ka përfituar plot gjysmë miliardi lekë. Po sipas dokumenteve, rezulton se ky tender ka qenë i ndarë në tri lote, ku krahas lotit të parë prej 520 milionë lekësh, në dy lote të tjera, kompania e Qefalisë ka përfituar përkatësisht 124 milionë lekë në lotin e dytë dhe shumën prej 432 milionë lekësh në lotin e tretë. Përmes një tenderi tjetër, të përfituar nga Bashkia Patos, Qefalia ka përfituar një tender për rikonstruksionin e një rruge dhe për të njëjtin shërbim ai ka përfituar një tjetër tender edhe nga Bashkia Durrës. Krahas dokumenteve të tenderave të përfituar, Duma publikoi dje edhe dokumentet e QKR, në të cilat rezulton se Qefalia ka regjistruar kompaninë e tij në emrin e nipërve me qëllim fshehjen e emrit të tij si pronari real i kompanisë. “Edi Rama kujdeset vetëm për miqtë dhe klientët. Ja një shembull tipik se si përfitojnë njerëzit e tij nga paratë e shqiptarëve. Firma e deputetit socialist, Qefalia, ka pasur një aktivitet modest dhe në vitin 2013 s’ka marrë asnjë lekë nga shteti. Por pasi Edi Rama erdhi në pushtet, rezulton se deputetit të tij Qefalia i ka ndritur fati dhe ka marrë 6 miliardë e 700 milionë lekë tendera në 3 vite. Njësoj si me raste të tjera, si për shembull rasti i Sadriut, Qefalia fshihet pas emrit të nipave të tij. Kemi dokumentacionin e plotë se si firma kalon në emër të nipave, sa për formalitet. Të gjithë e dinë, se në të vërtetë është deputeti dhe vëllezërit e tij që po ndajnë llokmat e mëdha të buxhetit”, u shpreh sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Duma dje në një konforencë për shtyp. Duke denoncuar keqqeverisjen e Ramës, Duma u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen me protestën e PD më 18 shkurt për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe zhvatjes së parave të tyre. “Kjo pra, është arsyeja pse populli zhytet në varfëri dhe s’ka para për shkolla, për ngrohje, për ilaçe, për hallet e njerëzve. Sepse paratë janë për miqtë dhe klientët e Edi Ramës. Ky pra, është shteti i Edi Ramës, një ndërmarrje private që ndan pasurinë mes një grushti njerëzish. Më 18 shkurt ne ngrihemi bashkë dhe e ndalim këtë korrupsion, i ndalim zhvatësit. Do të hapim rrugën që qytetarët të zgjedhin të lirë, të zgjedhin qeverinë për njerëzit, qeverinë e tyre”, tha sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD.

Nis fushata me fondet buxhetore, në një ditë tenderohen 8 milion euro investime

Në vite të zakonshme në muajin janar shpenzimet buxhetore përqendrohen vetëm në pagesat e emergjencës për spitalet dhe qendrat sociale, rrogat dhe pensionet, teksa fondet e investimeve  zakonisht s’postohen në gjashtëmujorin e dytë. Por 2017 duket se do të bëjë përjashtimin nga kjo rutinë si çdo vit tjetër buxhetor qe ka zgjedhje. Vetëm në një buletin të prokurimit publik u nxorën për tenderime punë publike me vlerë 1,06 miliardë lekë (8 milionë euro). Kjo praktikë nuk ishte e zakonte për prokurimet e janarit referuar historikut të viteve të shkuara. Nga fondi 1 miliardësh që u hodh që u hodh për tenderim vetëm ne buletinin numër 4 të prokurimeve publike 336 milionë lekë janë investime të OSHHE për linjën e re 20 kilovolt në Bashkinë e Fushë-Krujës. Fondi tjetër shpërndahet për ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve dhe sistemeve të ujitjes në qytete të tilla si Skrapari, Puka, Shijaku, Gramshi, Ura Vajgurore etj. Ajo që bie në sy është se në 18 tenderët e investimeve kane afat kryesor për përfundimin e punimeve vetëm 3-4 muaj. Tenderët janë planifikuar të finalizohen në javën e parë të shkurtit, ndërsa punimet sipas afateve të vëna në secilin nga tenderët pritet të përfundojnë në fillim të qershorit.

Arben Shahini

Artikulli paraprakBarcelona shënjestron Timothy Tillman
Artikulli tjetër“The Guardian”: Britania e alarmuar nga fluksi i emigrantëve shqiptarë