Kryetari i PD, Basha reagoi dje pas raporteve të njëpasnjëshme ndërkombëtare që faktojnë situatën e rëndë në të cilën qeveria Rama ka futur vendin. “Rënia e besimit të biznesit dhe konsumatorëve në nivele rekord poshtë mesatares historike… Ky është lajmi i fundit që përmbyll një javë raportesh dramatike. Banka Botërore, Freedom House, Dhoma gjermane e Tregtisë, Departamenti amerikan i Shtetit, Shoqata e Investitorëve të Huaj dhe së fundi anketa e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë atë që çdo shqiptar përjeton dhe ndjen përditë: përkeqësimin, thellimin e krizës, rënien ekonomike. Por Rama, Koço, Beqaj dhe Ahmetaj me shokë, këta shkaktarë të këtij përkeqësimi që për vete kanë grabitur mbi 1 miliard euro me taksa të larta e korrupsion në tendera dhe koncesione, nuk duan t’ja dinë, nuk duan ta shohin, nuk duan ta dëgjojnë.
Hapi i parë në programin tonë për daljen nga kriza Rama dhe nxjerrjen e shqiptarëve nga varfëria është ulja e taksave, tarifave dhe faturave që do t’i kthejë shqiptarëve dhe ekonomisë 1 miliard euro çdo vit. Liri për të punuar, prodhuar dhe ndërtuar mirëqenie për çdo shqiptar. Mbështetje dhe jo terror ndaj biznesit dhe fermerëve. Investime publike që ndihmojnë ekonominë dhe hapin vende të reja pune me paga më të mira. Bashkë do të ndërtojmë një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për të gjithë. Por së pari të largojmë me votë të lirë regjimin e korruptuar të gangsterëve dhe plaçkitësve” shprehet Basha.