Në Madrid janë vënë në ndjekje të “Duodecima”, Champions League numër 12. Në rrugën e kampionëve të Spanjës, përveç Juventus-it, janë disa tabu që duhen thyer. E përditshmja spanjolle “Marca” ka zbuluar 6 të tillë: ushqim për dhëmbët e tifozëve apo lojtarëve që janë supersticiozë.
Dy radhazi- Tabuja e parë dihet nga të gjithë tashmë: në epokën e Champions League, asnjë skuadër nuk e ka fituar trofeun për dy vite radhazi. Milan, Ajax, Juventus dhe Manchester United kanë shkuar në finale një vit pasi ishin shpallur kampionë të Europës, por nuk kanë arritur ta mbrojnë titullin.
Kampionë të botës – Nga 2000-shi, viti kur u krijuar Botërori për Klube, asnjë skuadër kampione e botës nuk e ka fituar Champions League. Vetëm United, më 2009-ën, i ka shkuar afër.
Vit tek – Në epokën moderne, Real Madrid nuk ka fituar kurrë një Champions në një vit me numër tek: triumfet e fundit kanë ardhur më 1998, 2000, 2002, 2014 dhe 2016.
Ish-lojtarët – Higuain dhe Khedira paraqesin një rrezik. Po, sepse ish-lojtarët kanë tendencën të shënojnë kur përballen me Real Madrid. Morata e ka bërë në gjysmëfinalet e 2015-ës, Morientes ka eliminuar “Los Blancos” në kohën kur luante me Monaco.
Shtatë – Çdo shtatë vite, një klub italian ulet në fronin e Europës. Milan më 1989, Juventus më 1996, Milan më 2003, Inter më 2010…
Ngjyra e fanellës – Fanella me ngjyrë vjollcë nuk është shumë fatsjellëse për Zidane. Dy nga 5 humbjet e pësuara në sezon (Valencia dhe Sevilla) kanë ardhur kur madrilenët kanë luajtur me uniformën vjollcë.