Pa u mbushur 48 orë nga vrasja e 4 personave, një në Vlorë, një në Poliçan dhe dy të vrarë e katër të plagosur në Shkodër, dy vrasje të tjera kanë ndodhur mesditën e djeshme në Shkodër dhe në Korçë. Vrasjet me armë janë kthyer në ritual të përditshëm në të gjithë vendin, duke rritur pasigurinë e qytetarëve. Rend dhe siguri nuk ka në të gjithë vendin, sepse policia është e angazhuar me kultivimin e kanabisit.
Pas masakrës së Dajçit, Shkodra është tronditur sërish dje nga krimi. Një 47-vjeçar u vra me një plumb në ballë dje rreth orës 11:00 në fshatin Mal i Jushit, Bashkia Vau Dejës të Shkodrës. Viktima u identifikua si Genc Mhillaj (Pjetri), 47 vjeç nga Torovica, i cili u qëllua me armë zjarri dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.
Burime nga policia bënë të ditur se, Mhillaj ka qenë duke drejtuar automjetin tip kamionçinë me targa AA 609 IV, i cili ishte i ngarkuar me miell dhe misër, ndërsa pasagjer me të ndodhej edhe një tjetër person. Me të mbërritur në zonën e Malit të Jushit, aty ku viktima kishte marrë prej kohësh një tokë me qera në të cilën punonte, ai është konfliktuar me personin që kishte në automjet.
Në sherr e sipër ai ka ndaluar, duke braktisur mjetin dhe është larguar me shpejtësi drejt arës, por autori e ka ndjekur, duke e qëlluar për vdekje. Plumbi mësohet se e ka prekur në ballë viktimën, ndërsa policia u lajmërua nga banorët e zonës.
Rreth tre orë më vonë, policia bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar për vrasjen. Sipas policisë, ai është një i ri nga Lezha me të cilin ishte konfliktuar dy ditë më parë fizikisht. “Autor i dyshuar i vrasjes është shtetasi Jozef Mujeci, 21 vjeç, banues në Lezhë. Motivi i kësaj ngjarje është një konflikt i ndodhur para 2 ditësh në fshatin Torovicë, ku viktima e ka vazhduar konfliktin edhe fizikisht”, njoftoi policia. Autori ende është i lirë, ndërsa policia bëri të ditur se është vënë në kërkim të tij.
Vetëm një orë pas ngjarjes së Shkodrës, një tjetër vrasje ka ndodhur në Korçë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vreshtas të Korçës. Ku vëllai i vëllai i kryeplakut të fshatit ka dhunuar për vdekje një 44-vjeçar. Bëhet e ditur se, 44-vjeçari Besnik Bazelli ka ndërruar jetë rrugës për në spital si pasojë e plagëve të marra pas dhunës së ushtruar ndaj tij. Viktima dhe autori janë konfliktuar për motive banale në qendër të fshatit Vreshtas dhe më pas sherri ka vijuar edhe me përplasje fizike.
Policia ka marrë njoftimin se në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Korçës, ka mbërritur trupi i pajetë i 44-vjeçarit Besnik Bazelli, banues në fshatin Vreshtas. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ky shtetas në qendër të fshatit Vreshtas, është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me bashkëfshatarin e tij shtetasin Klisman Lika, 28 vjeç, ku si pasojë e dëmtimeve trupore të marra 44-vjeçari gjatë rrugës për në Spital, ka ndërruar jetë.
Autori i dyshuar i ngjarjes ndodhet i shoqëruar nga shërbimet e Policisë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në fshatin Vreshtas të Korçës është vrarë Besnik Bazelli. Policia thotë se, viktima u përfshi në një sherr të dhunshëm me fqinjin dhe vdiq rrugës për në spital.
Fill pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Korçë, xhaxhai i viktimës, Pëllumb Bazeli, ka treguar detaje nga krimi. Sipas të moshuarit, autori i ngjarjes, 28-vjeçari Lika i kishte vjedhur disa herë dyqanin nipit të tij, viktimës Besnik Bazelli. Për këta arsye, sipas tij, ata kishin nisur të debatonin, ndërsa vëllai i kryeplakut të fshatit Vreshtas e rrahu shumë keq, ndërsa më pas 44-vjeçari ndërroi jetë. “Janë persona problematikë dhe të pa dëshirueshëm. Nipi la 3 fëmijë, punonte për të mbajtur familjen”, tha Bazeli. Më tej, xhaxhai i viktimës i bëri apel drejtësisë që të zbardhë ngjarjen dhe të dënojë autorin, pasi në të kundërt do të marrin hak si familje.
R.POLISI