Ditën e djeshme përgjatë gjithë ditës Shkodra mbajti në ankth median dhe jo vetëm, pasi forca Renea dhe Njësitë operacionale kishin mësyrë në disa nga lagjet më problematike të qytetit, në pritje të kapjeve të kriminelëve që tronditën me 6 vrasje mafioze në muajt e fundit.
Pas më shumë se 24 orësh nga aksioni, Policia doli sot në një deklaratë nën etiketën ‘’Forca e Ligjit”, ku njoftonte se ishin arrestuar 4 persona nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, dhe se ishin sekuestruar disa makina të blinduara.
Pra ende asnjë autorë për vrasjet, mes tyre dhe të një ish-polici dhe gruas së tij apo të një biznesmeni, pra një operacion që fare mirë mund të kryhej dhe nga policia lokale.
Personat e arrestuar janë:
Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër;
Emrah Plaku, 22 vjeç, lindur e banues në Shkodër;
Astmer Bilali, 29 vjeç, lindur e banues në Shkodër;
Erogen Brajoviç, 36 vjeç, lindur e banues në Shkodër;
Ndërsa ajo se çfarë iu është sekuestruar janë disa mjete të blinduara dhe 3 armë zjarri :
3 armë zjarri, (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë);
6 mjete të blinduara;
rreth 800 fishekë;
1 armë e ftohtë
10.500 euro;
3 makina lojërash fati;
njësi kompjuterike, DVR, CD dhe USB;
telefona celularë dhe karta telefonike;
2 veshje antiplumb.