60 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

60 kilogramë marijuanë u gjetën në një makinë të braktisur në Patra ditën e sotme. Sipas policisë greke, mjeti i cili vinte nga kufiri me Shqipërinë, u braktis nga drejtuesi, pasi në kilometrin 72.6 të aksit Patra-Athinë kishte pësuar defekt. Nga hetimet me metoda speciale, policia greke thotë se ka zbuluar që, mjeti ishte braktisur nga dy shqiptarë 26 dhe 28 vjeç, të cilët po transportonin marijuanën drejt Athinës.
Pasi kishin braktisur mjetin, u ndihmuan nga një tjetër shqiptar 32-vjeçar. Policia greke ka vënë në pranga këtë të fundit në Shën Theodhor të Korinthit, ndërsa ka shpallur në kërkim dy të rinjtë e tjerë shqiptarë, të cilët transportonin lëndën narkotike.
Para dy ditësh policia greke sekuestroi 78 kg drogë në vendin e quajtur Fusha e Kestrinës në Igumenicë, 10 km larg doganës shqiptare të Qafë Botës. Në pranga janë vënë dy transportuesit e lëndës narkotike, shtetas shqiptarë nga 26 vjeç. Policia ka deklaruar se i diktoi dy të rinjtë gjatë orëve të natës, në kohën që po kalonin nëpër fushat e zonës për të mos u zbuluar nga agjentët, të cilët janë vënë në gatishmëri kohët e fundit për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria. Dy të arrestuarit i thanë policisë se do ta transportonin kanabisin deri në afërsi të Igumenicës, ku edhe do t’ia dorëzonin një personi, të cilin e kishin kontaktuar vetëm nëpërmjet telefonit, pa e njohur më parë.

Artikulli paraprakTrafikuan drogë në Belgjikë, u sekuestrohen pasuritë
Artikulli tjetërNën hetim gjyqtarët që liruan Lul Berishën, shmangën qëllimisht Prokurorinë