61 për qind e francezëve në gjurmët e britanikëve?

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine le Pen, është e ngazëllyer prej votës britanike për daljen nga BE-ja, të cilën e quan si thirrje për liri. Politikani konservator, Nicolas Dupont-Aignan mendon se Bashkimi Evropian është “në fazën e tij përfundimtare”. Ish-Presidenti Nicolas Sarkozy kërkon një marrëveshje të re për BE-në, ndërsa pasardhësi i tij Francois Hollande shpreson të mbështesë themelet e tronditura keq të bllokut.
Kur ka mbetur më pak se një vit prej zgjedhjeve në Francë, prill dhe maj, kandidatët presidencialë të çdo drejtimi politik po përpiqen të përfitojnë prej referendumit britanik. “Çështja evropiane dhe natyrisht vota pro Brexit-it do të jetë një nga çështjet e fushatës”, thotë për “DW” analisti Bruno Cautres nga instituti politik Cevipov në Paris. “Çështjet evropiane ndajnë të majtët dhe të djathtët”.
Anketat tregojnë se shumë votues francezë nuk e kanë shumë për zemër Brukselin dhe burokracinë e tij. Një sondazh i Pew Research Center në Uashington, konstatoi se 61 për qind e francezëve nuk kanë mendim të favorshëm për BE-në – një shifër kjo dukshëm më e lartë se në Britani (48 për qind) ose Gjermani (49 për qind). Po ashtu shumë francezë nuk janë dakord me mënyrën se si Brukseli ka trajtuar çështje me ngarkesë të madhe politike dhe emocionale si emigracioni dhe ekonomia.
“Unë nuk e di se çfarë është duke më dhënë çdo ditë mua Bashkimi Evropian, thotë shitësi Vic Guilloux dhe thekson se i vetmi përfitim është marrëveshja Shengen dhe lëvizja pa viza, që përfshin edhe vendet jashtë BE-së”. “Udhëtim në vende të ndryshme, po. Me përjashtim të kësaj, unë nuk e shoh më tepër”, thotë ai për “DW”.

Brexit-i fuqizim për Le Pen
Në shikim të parë rezultati i Brexit-it është një nxitje e fuqishme për Frontin Kombëtar Le Pen dhe diskursin kundër Evropës dhe emigrantëve të partisë së saj. Ajo e quajti votën britanike si ngjarjen më të rëndësishme të Evropës që nga rënia e Murit të Berlinit dhe u betua që në rast se fiton në zgjedhje do të zhvillojë një referendum të ngjashëm për Frexit.
Edhe pretendentë të tjerë për postin e presidentit po lëshojnë thirrje të forta për reformimin me themel të BE-së. “Ne nuk mund t’i përgjigjemi një krize historike me masa të vogla, ne kemi nevojë për të ndryshuar rregullat”, tha ish-Presidenti Sarkozy, i cili kryeson Partinë Republikane të qendrës së djathtë dhe synon të rizgjidhet në post. “Për të ndryshuar rregullat, ne kemi nevojë për një traktat të ri”, tha ai.

Retorikë kundër Brukselit
“Sarkozy ka intensifikuar retorikën e tij kundër Brukselit dhe ky është një problem i madh”, thotë Alexandra de Hoop Scheffer, drejtuese e zyrës së Parisit e German Marshall Fund of the United State’s. “Nëse partitë popullore adoptojnë retorikën kundër Brukselit të ekstremit të djathtë, kjo është për mua një tendencë tepër e rrezikshme”, tha ajo për “DW”-në.
Presidenti Hollande po ndjek një rrugë diametralisht të kundërt. Ai tha për mediat franceze se shembulli britanik do të jetë një kundërshembull dhe hodhi poshtë idenë e ndonjë referendumi për Francën. Dhe ndoshta pasojat kaotike të Brexit-it mund të jenë për Hollande një mundësi për të shpresuar.
Popullariteti i Hollande është i dobët, thotë analisti Cautres, sepse ekonomia nuk po shkon mirë dhe sepse e majta është e përçarë. Pra, Brexit-i i erdhi si me porosi. Sipas analistit Cautres, zgjedhjet e ardhshme do të kenë në qendër sërish tema të tilla si ekonomia dhe punësimi.
“François Hollande do të luajë ndoshta sipas të njëjtës taktikë si gjatë zgjedhjeve të fundit”, thotë Cautres. “Ai do të bëjë thirrje për një rinegocim dhe riorientim të Evropës. Por kam dyshime të mëdha se kjo do të funksionojë për herë të dytë”.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërRinovimi i Kupolës së Kapitolit