Nga Sabina Nika
Ndërsa familja Veliaj po zgjedh të reagojë në të gjitha format kundërshtimin e “masës së arrestit me burg”, Prokuroria e Posaçme ka publikuar statistikat e proceseve hetimore të vitit 2024.
Sipas raportit të SPAK, gjatë vitit 2024 janë proceduar 629 persona për vepra penale të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Nga këta, 236 persona (37.5%) janë hetuar nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa 246 të tjerë (39.1%) janë hetuar në gjendje të lirë” – thuhet në njoftimin e SPAK, sipas të cilit pjesa më e madhe e të proceduarve janë ndjekur në gjendje të lirë, rreth 23.4% e rasteve.
Ky raport duket se është një përpjekje e drejt për drejtë nga SPAK për të ofruar më shumë transparencë dhe për t’u përgjigjur kritikave për përdorimin e shpeshtë të paraburgimit.
Shifrat e ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tregojnë se numri i përgjithshëm i personave në paraburgim, arrin në 2791 individë, ku vetëm 270 persona janë në këtë masë sigurie për shkak të procedimeve penale të Prokurorisë së Posaçme.
Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe fshehjen e pasurisë, ka nxitur diskutime të forta në rrjet mbi balancimin e drejtësisë dhe masave të sigurisë.
Edhe kryeministri Rama ka kritikuar SPAK duke thënë se e ka kthyer paraburgimin në normë.
Që nga korrikut 2024 Prokuroria e Posaçme është në qendër të sulmeve, fillimisht nga opozita e tashmë nga vetë qeveria.
Aso kohe opozita ngrinte akuza për ndikim politik të veprimtarisë së SPAK, ç’ka detyroi kreun e saj Altin Dumani të tregonte “vija të kuqe” të Institucionit që ai drejton./ shteg.org