Nga Aranit Muraçi
Përafërsisht 8.5 për qind e popullsisë globale aktualisht jeton aktualisht në varfëri ekstreme, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, i titulluar “Varfëria, Prosperiteti dhe Planeti 2024”.
Kjo përkthehet në rreth 692 milionë njerëz që mbijetojnë me më pak se 2,15 dollarë për person në ditë. Ndërkohë që ka përparim të konsiderueshëm krahasuar me 37.9 për qind në vitin 1990, teksa shkalla e përmirësimit është ngadalësuar ndjeshëm.
Për zhdukjen e varfërisë ka ndikuar teknologjia dhe politikat sociale të qeverive. Ky është një nga problematikat më të mprehta të vendit tonë, teksa sipas të dhënave të fundit zyrtare të INSTAT, varfëria është vlerësuar në rreth 20 për qind. Krahasuar me Europën, niveli mesatar i varfërisë është 16 për qind. Megjithatë, ka dallime të dukshme teksa në Shqipëri nuk njihet minimumi jetik dhe politikat sociale lënë shpesh për të dëshiruar, çka do të thotë se ka shumë njerëz në pamundësi që janë lënë në mëshirë të fatit.
Dekada nga 2020 deri në 2030 është në rrezik të bëhet një “dekadë e humbur” për shkak të sfidave të ndryshme të mbivendosura, duke përfshirë rritjen e ngadaltë ekonomike, rritjen e brishtësisë, rreziqet klimatike dhe pasigurinë e shtuar. Kjo e bën dhe më të vështirë misionin e politik-bërësve në vende me ekonomi të brishtë si Shqipëria.
Afrika “Sub-Sahariane” ka përqendrimin më të lartë të njerëzve që jetojnë në varfëri. Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut janë të vetmet rajone ku varfëria ekstreme po rritet. Diku tjetër, nivelet e varfërisë ose po ngecin ose po bien ngadalë.
Bjellorusia si shembull është ndër vendet që zhdukën varfërinë ekstreme, siç përcaktohet nga kufiri ndërkombëtar i varfërisë, përpara se të fillonte zbatimi i Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Në vitin 2023, 3.6% e popullsisë jetonte nën kufirin kombëtar të varfërisë , që është nën objektivin prej 4% të vendosur për vitin 2030. Përpjekjet e mëtejshme fokusohen në uljen e pabarazive rajonale të të ardhurave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Tradicionalisht, varfëria është matur vetëm nëpërmjet treguesve financiarë, si të ardhurat dhe fuqia blerëse. Varfëria shumëdimensionale, megjithatë, ofron një perspektivë më gjithëpërfshirëse për mirëqenien, duke kapur një gamë më të gjerë privimesh me të cilat individët mund të përballen njëkohësisht. Këto variojnë nga aksesi i kufizuar në shërbimet thelbësore si arsimi dhe kujdesi shëndetësor deri te mungesa e infrastrukturës kritike, përfshirë ujin e pastër dhe energjinë elektrike.
Nëse përfshihen variabla të tjera, sot, thotë OKB 1.1 miliardë njerëz janë të varfër shumëdimensionale, duke përbërë mbi 13% të popullsisë globale.
Për të vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse nivelet e varfërisë dhe për të përmirësuar strategjitë për çrrënjosjen e saj, UNDP dhe Iniciativa për Varfërinë dhe Zhvillimin Njerëzor të Oksfordit (OPHI) zhvilluan Indeksin Global Shumëdimensional të Varfërisë (MPI). Ky mjet plotëson kufirin ndërkombëtar të varfërisë ekstreme duke marrë parasysh tre dimensione shtesë të varfërisë – shëndetin, arsimin dhe standardin e jetesës. Ato maten përmes 10 treguesve përkatës, si kequshqyerja, vdekshmëria e fëmijëve, vijimi i shkollës, si dhe aksesi në energji elektrike, ujë të pijshëm të pastër dhe kanalizime. Për më tepër, MPI vlerëson disponueshmërinë e sendeve bazë shtëpiake, si radio, TV dhe telefon.
Megjithatë, MPI globale synon kryesisht vendet më të varfra të botës dhe jo gjithmonë llogarit dallimet në rajonet me të ardhura më të larta. Prandaj, disa shtete zhvillojnë MPI kombëtare në vend të tyre, duke e përshtatur metodologjinë në kontekstin lokal.
Në Europën Lindore ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe Azinë Qendrore, disa vende kanë prezantuar tashmë ose janë në proces të zhvillimit të MPI-ve kombëtare. Armenia, Kirgistani dhe Moldavia kanë miratuar MPI kombëtare, ndërsa Kazakistani dhe Uzbekistani po punojnë në metodologji pilot për llogaritjen e tyre.
Mungesa e studimeve dhe e angazhimeve serioze për ta njohur varfërinë, trajtuar dhe për ta luftuar atë, janë disa nga sfidat e së ardhmes për vendin tonë. Mosnjohja e minimumit jetik nga ana tjetër është një tjetër sfidë për të marrë në konsideratë dhe më seriozisht çështjen dhe betejën ndaj varfërisë./Liberale.al