Nëse mes Juventusit dhe Buffonit duket të jetë koha e përkryer për atë që do të jetë e ardhmja e kapitenit në klubin e tij, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për numrin 1 të axurrëve dhe FIGC (Federatës italiane të Futbollit) në lidhje me rolin e tij në ekipin kombëtar. Fjalët në këtë drejtim të trajnerit të përkohshëm, Gigi di Biagio, në fakt, nuk ishin pranuar në mënyrën më të mirë nga lojtari me më shumë ndeshje ndonjëherë me Italinë (175 ndeshje). “Buffoni nuk duhet ta përfundojë karrierën me kombëtaren me atë ballafaqim zhgënjyes ndaj Suedisë, në ‘play-off’-in për Botërorin e Rusisë, tha Di Biagio në konferencën për shtyp të ‘inaugurimit’ të tij si trajneri emergjent i axurrëve. Është një çështje e historisë personale, prestigjit, të asaj që Gigi ka dhënë për futbollin”.
Trajneri i ri ka shprehur pikëpamjen e tij, që duket se ndahet edhe nga FIGC, në mirëbesim. Di Biagio ka lënë të kuptohet me të vërtetë se ishte e nevojshme për të përgatitur një lloj parade për lamtumirën e Buffonit nga kombëtarja, pasi ky i fundit nuk mund ta mbyllë aventurën blu me një eliminim të dhembshëm ndaj Suedisë. Buffon, megjithatë, ishte shumë i qartë në kokën e tij. Ai nuk dëshiron në asnjë mënyrë të ndjehet peshë për askënd dhe është i gatshëm të pranojë që të vazhdojë karrierën e tij në kombëtare, vetëm nëse mund të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e të ardhmes së ekipit. Portieri i Juventusit beson se ka qenë gjithmonë një figurë e aftë për të bashkuar dhe jo për të ndarë, ndaj është modeli për t’u ndjekur nga të rinjtë në ekipin kombëtar. Si pasojë, ai kurrë nuk do të pranonte t’u zinte vendin kolegëve të tij të rinj.
Italia do të luajë në “Wembley”, kundër Anglisë, më 27 mars. Edhe pse njerëzit e afërt të tij janë duke u përpjekur për t’ia ndryshuar mendjen, ashtu siç është thënë, sipas “Corriere della Sera”, prania e Buffonit në grupin axurr për këtë miqësore nuk duhet të merret si e mirëqenë. Kapiteni i Juventusit mund të mos e pranojë ftesën, nëse nuk janë respektuar kushtet që ka paraqitur. Krejtësisht i ndryshëm është diskursi në lidhje me marrëdhëniet mes kapitenit dhe Juventusit. Në këtë rast, në mes të palëve ekziston uniteti i qëllimit. Buffon ëndërron për ta mbyllur aventurën si lojtar në klubin bardhezi me një sukses të madh ndërkombëtar, që i ka munguar gjithmonë. Këtu ka parasysh fitimin e Ligës së Kampionëve. Në këtë pikë, gjithmonë në sinergji me klubin, ai do ta shqyrtojë nëse do të dalë në pension pas këtij sezoni apo do të vazhdojë të paktën deri në dhjetor të luajë në nivele të larta.