7 kg heroinë nga Durrësi sekuestrohet në Malin e Zi

Policia malazeze sekuestroi dje 7 kg heroinë që po transportohej nga një shtetas shqiptar me makinë nga Durrësi. Mediat malazeze shkruajnë se Maliq Mema, 60 vjeç, nga Xhafzotaj i Durrësit u kap në kufi me Kroacinë, ku ka tentuar të kalojë drogën me automjetin tip “Fiat Punto”. Droga ishte fshehur në pjesën e përparme të makinës dhe sipas policisë malazeze, droga ka ardhur nga Durrësi me destinacion vendet e Europës. 60-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me drogën dhe është shprehur se nuk kishte dijeni që lënda narkotike ndodhej në mjetin e tij. Ai ka kaluar paradreken e ditës së mërkurë përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit në drejtim të Kroacisë përmes pikës së kalimit Debeli Brijeg mes qytetit Herceg Novi dhe Dubrovnikut.
Droga e fortë ka kaluar nga Durrësi dhe ka përshkuar të gjithë rrugën deri në pikën kufitare të Muriqanit pa asnjë problem për policinë. Po ashtu drogë është futur në pikën kufitare shqiptare nën hundën e policisë dhe të doganierëve. Kanë qenë forcat e policisë malazeze që kanë zbuluar drogën dhe kanë vënë në pranga shtetasin shqiptar.
Një javë më parë, policia malazeze sekuestroi në Ulqin 1.5 ton drogë që ishte futur nga Shqipëria dhe kishte destinacion Italinë. Televizioni shtetëror i Malit të Zi informoi se, lënda narkotike është sekuestruar rreth orës 10:30 minuta të ditës së djeshme rreth 8 milje larg bregut. Ndërkohë, gazeta malazeze “Vijesti” shkruante, se të arrestuarit janë Benard Tahiraj 33 vjeç dhe Elton Çaushaj, 43 vjeç, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës.
Lënda narkotike e llojit kanabis sativa ka shkuar nga Shqipëria në Malin e Zi, ndërsa ishte e ndarë në 78 pako, e vendosur në një skaf drejtuar nga dy shtetas shqiptar. Sipas gazetës, pakot ishin me nga 20 kg secila. Skafi ka zbarkuar në afërsi të Ulqinit pas një ndjekje të gjatë në det. Gazeta shkruan se, plani i shqiptarëve ishte trafiku i lëndës narkotike në drejtim të Italisë.
Mediat malazeze shkruajnë se, bllokimi i skafit me drogë është bërë pas një ndjekjeje të gjatë në hapësirën detare të Ulqinit në Mal të Zi. Ndërkohë, nga mediat e Ulqinit bëhet me dije se, hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë nga autoritetet e Malit të Zi.
Një ditë më pas, Antidroga e shtetit malazez zbuloi se, skafi me 1.5 tonë drogë ishte nisur nga Vlora. Pas sekuestrimit të 1.5 drogë, në prangat e policisë malazeze kanë rënë shtetasit Elton Çaushaj dhe Benard Tahiraj nga Vlora, emigrantë në Venecia të Italisë. Ndalimi i tyre është bërë 8 milje në det të hapur, në afërsi të Plazhit të Madh në Ulqin. Në skaf janë sekuestruar 78 thasë me nga 20 kilogram drogë.

Artikulli paraprakKapet me 6 kg kokainë në Itali një shqiptar
Artikulli tjetërEkspertiza, 16-vjeçarja humbi jetën nga “hipertermia malinje”