Një gjykatë në Kosovë dënoi me shtatë muaj heqje lirie dhe 800 euro gjobë, një shqiptar nën akuzat për veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës.
Në një njoftim të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ai akuzohet se “në mënyrë publike, me anë të shkrimeve, xhirimeve, duke përfshirë dhe mos u kufizuar në rrjetin social nxit të tjerët që të kryejnë vepra penale të përcaktuar në Ligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit në atë mënyrë që i pandehuri si anëtar në grupin Facebook dhe përmes profilit të tij personal prej muajit maj deri në fund të muajit nëntor 2015, në shkrimet, postimet dhe komentet e tij i lartëson dhe i madhëron personat që luftojnë përkrah ISIS-it si “Trima të vërtet”, “Luana me mjekër”, “Se të gjithë myslimanët e vërtetë janë ISIS”, “Unë jam ISIS”, “Vetëm ISIS-i mund të çlirojë shqiptarët nga serbo sllavët maqedon” “ISISI do ta çlirojë edhe Kosovën”, “ISIS-in do ta presim me lule”, “Mirëseardhshin”, “Insha-Allah ia fillojnë edhe në Kosovë sa më parë”, duke i nxit me këto shkrime në këtë mënyrë persona apo grupe të personave që t’iu bashkohen formacioneve të armatosura të Organizatës Terroriste ISIS”.
Samet Imishti nga fshati Rezhancë i Komunës së Hanit të Elezit, rreth 60 kilometra në Juglindje të Prishtinës, qe arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në një operacion të bashkërenduar me policinë italiane, e cila gjatë bastisjeve në qytetet Brescia, Vicenza e Perugia arrestoi atëbotë tre persona nën dyshimet për “mbrojtje të terrorizmit” dhe “nxitje të urrejtjes racore”.
Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të përfshirjes së qytetarëve të saj në luftën e Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje, ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 60 sish. Mbi 50 shqiptarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në atë zonë.
Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.