7 pikëpyetje mbi marrëveshjen me Greqinë, PD interpelancë me Bushatin

Opozita i ka kërkuar kryetares së Komisionit të Jashtëm për të thirrur në një seancë dëgjimore me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati për të raportuar në lidhje me delimitimin e hapësirave detare ndërmjet dy vendeve Shqipërisë dhe Greqisë.
Për opozitën ka një mungesë totale të transparencës nga ana e qeverisë shqiptare dhe përkatësisht të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Opozita kërkon që seanca dëgjimore të zhvillohet në datën 21 shkurt.
Pyetjet që ngre opozita lidhen me kushtet e procedurat se, kur deklarohet që është arritur apo ka marrë formë marrëveshja (që do të thotë se është ngritur grupi negociator), janë zhvilluar negociatat, palët në nivel ekspertësh kanë rënë dakort, dhe më pas zhvillohen diskutimet në nivele politike. Gjithashtu këto pyetje bazohen edhe në faktin, se nga Presidenti i Republikës deklarohet që deri më tani nuk është dhënë asnjë Plotfuqishmëri për këtë proces shumë të rëndësishëm.

Kërkesa e deputetëve të PD

Në kuadrin e deklaratave të ministrit të Jashtëm grek lidhur me delimitimin e hapësirave detare ndërmjet dy vendeve, si dhe në mungesën totale të transparencës nga ana e qeverisë shqiptare dhe përkatësisht të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, kërkohet kjo seancë dëgjimore për të informuar Komisionin e Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe opinionin e gjërë publik për këtë çështje me interesa të gjëra publike.
Nga ana e ministrit të Jashtëm, Kotzias pas takimeve hermetike të Kretës dhe të Korçës, është deklaruar “se palët tashmë kanë arritur në marrëveshje për delimitimin e hapësirave detare si dhe pala shqiptare ka pranuar që pala greke të zgjerojë ujërat e saja territoriale deri në 12 milje”. Këto deklarime nuk janë mohuar nga ana e qeverisë shqiptare, ç’ka i bën akoma më të besueshme deklarimet e ministrit të Jashtëm grek.
Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 15, datë 15.04.2010, ka shqyrtuar “pajtueshmërinë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.Ky vendim erdhi si pasojë e ankimimit që Partia Socialiste në atë kohë në opozitë e përfaqësuar nga ana ez. Saimir Tahiri, z. Damian Gjiknuri dhe z. Myslym Pashai, pretenduan një sërë parregullsish në marrëveshjen e vitit 2009.

Kjo Gjykatë me një argumentim të gjerë ka arritur në përfundimin, që shprehet në mënyrë të përmbledhur në faktin se parregullsia kryesore e konstatuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese ishte:
Zhvillimi i negociatave dhe arritja e marrëveshjes nga ana e grupit negociator pa patur Plotfuqishmërinë e Presidentit të Republikës.
Në këto kushte, në përputhje me pikën 2 të nenit 32 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Mbledhjet e Komisionit të Përhershëm thirren edhe me kërkesën e jo më pak se ¼ së anëtarëve të Komisionit, duke përcaktuar në kërkesë dhe çështjet që do të diskutohen në mbledhje”, si dhe nenit 36 të saj, ku parashikohet se: “Komisioni është i detyruar të zhvillojë seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, në rast se një e treta e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon atë në mënyrë të motivuar me shkrim”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi këtëçështje dhe pyetjet që e shoqërojnë.

KËRKOJMË:

“Thirrjen e mbledhjes së Komisionit për Punët e Jashtme, ditën e mërkurë, datë 21.02.2018, ora 11.00”, me këtë rend dite:
Zhvillimin e një seance dëgjimore publike me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, me qëllim informimin e anëtarëve të Komisionit mbi pa qartësitë e renditura më poshtë.
Pyetjet tona lidhen me kushtet e procedurat se kur deklarohet që është arritur apo ka marrë formë marrëveshja (që do të thotë se është ngritur grupi negociator), janë zhvilluar negociatat, palët në nivel ekspertësh kanë rënë dakort, dhe më pas zhvillohen diskutimet në nivele politike. Gjithashtu, këto pyetje bazohen edhe në faktin se nga Presidenti i Republikës deklarohet që deri më tani nuk është dhënë asnjë Plotfuqishmëri për këtë proces shumë të rëndësishëm. Kjo u konfirmua edhe nga kërkesa e bërë vetëm dje nga ministri Bushati për të kërkuar Plotfuqishmërinë:
a. Përse një marrëveshje e tillë zhvillohet në një mungesë totale të informimit të institucioneve kryesore të vendit, Kuvendi i Shqipërisë, opozita, Shoqëria Civile?
b. Tashmë që u qartësua fakti i mos pasjes akoma të Plotfuqishmërisë, ne kërkojmë të dimë edhe vlerësimin tuaj për këtë situatë jo normale, si dhe për vlefshmërinë e procedurave të ndjekura deri më tani?
c.A është kordinuar me Presidentin për hapat e deri tanishme dhe mbi ç’bazë legale janë bërë ato, sidoqoftë përgjigja për pjesën e parë?
d. Cili është grupi negociator, çfarë përbërje ka, cili është niveli i përfaqësimit në këtë grup i ekspertëve të fushave, i ekspertëve nga opozita dhe nga Shoqëria Civile, në mënyrë që ky grup të jetë i pakontestueshëm dhe të përfaqësojë në mënyrë të drejtë të gjithë interesat kombëtare?

e.Nëse është ngritur ky grup ekspertësh për të negociuar, cili është tagri që ka ky grup? Cilat zona po delimitohen dhe a duhej te përcaktoheshin me pare ato në aktin e Plotfuqishmërise së Presidentit të Republikës?
f. Nëse është arritur marrëveshja në nivel politik sikurse është deklaruar nga ana e ministrit të Jashtëm të Republikës së Greqisë, a është kjo në shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,kur ka munguar edhe Plotfuqishmëria e Presidentit?
g.Nëse marrëveshja është arritur në nivel politik – çfarë u ngelet ekspertëve të bëjnë? Thjesht çertifikimin e marrëveshjes politike në një kohë që duhet të jetë e kundërta, bëhen negociatat në nivel eksperti e më pas nënshkruhet marrëveshja politikisht?
Kjo kërkesë e një grupi deputetësh, që përbëjnë 1/3 e anëtarëve të Komisionit për Punët e Jashtme, bazohet edhe në nenin 7 të Kushtetutës, ku sanksionohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nën dritën e këtij parimi, merr përparësi funksioni i kontrollit parlamentar, i cili nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga organet e pushtetit publik, brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e paligjshmërisë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sipas rasteve konkrete. Të gjitha çështjet që përmbajnë në vetvete një interes publik përfshihen brenda funksionit të kontrollit parlamentar. Pa asnjë dyshim kjo çështje mbart në vetvete një interes të lartë publik dhe shtetëror, që absolutisht nuk mund të anashkalohet.
Përsa më lart, lutemi thirrjen e mbledhjes së Komisionit në orën dhe datën e propozuar nga ana jonë, për të diskutuar mbi çështjen objekt të kësaj kërkese.

Artikulli paraprakShoqata e Bashkive takim në bashkinë Kamëz: Qeveria vazhdon të diskriminojë bashkitë e djathta
Artikulli tjetërÇështja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet të zgjidhet në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare