Nga Sidi Hasanaj
Niveli më i i rafinuar i mashtrimit në luftën kryesore për pushtet, politikën, padyshim besoj se është që qëllimet e tua sado të liga egoiste deri në meskinitet, ti kamuflosh dhe ti shesësh si qëllime të pastra dhe ideale.
Nxënësit e shkollës Makiaveliste, aq sa të errët kanë mendjen dhe zemrën për të kapur me çdo mjet dhe pa asnjë principë (madje dhe pa cipë) pushtetin në kuptimin më të ngushtë të interesit personal, aq dhe latante e të kadifenjtë e kanë gjuhën e tyre. Gjuha e tyre flet për aksione politike në funksion të zenithit të vlerave njerëzore, për idealet më fisnike… kamuflon mjeshtërisht intrigat, pazaret dhe interesat më të pista vetjake.
Dikur Sali Berisha mund të quhej një student i dalluar i filozofisë Makiaveliste, ama dikur… sot ligjërata e tijë politike vetëm sa i jep nota humori grotesk veprimeve dhe qëllimeve të tijë, të kuptueshme për këdo qytetarë… thuajse për këdo sepse janë disa dhjetëra apo qindra që ende gënjehen nga kjo gjuhë.
Shembulli janë ata qytetarë që këto ditë të para të filiim Vitit, i kalojnë poshtë shtëpisë së Berishës, i cili ju flet me autoparlant nga kati i fundit ku po kryen arrestin e shtëpisë.
Mbase jo të gjithë këta përkrahës së Berishës janë pjesë e një teatri të pështirë manipulues që ka për qëllim “rezistencën” për të ruajtur milionat e dikurshme nga sekuestrot e SPAK, mbase… mes tyre ka vërtet njerëz që i besojnë gjuhës së Berishës dhe faji për këtë nuk është kurrsesi i tyre!
Për ta kam disa pyetje, që shpresoj ti lexojnë dhe të reflektojnë me sinqeritet me veten e tyre, tju japin përgjigje koshiencës së tyre:
1. Përse do të duhej që të investoheshin dhjetëra miliona euro nga taksat e SHBA-BE për të krijuar reformën në drejtësi, vetëm e vetëm që ajo të kthehej në vegël të Edi Ramës?? Edi Rama e kishte sistemin e vjetër të drejtësisë totalisht nën kthetrat e tijë, e mbani mend sesi kurrë nuk u hetua për korrupsionin e tijë si kryetar bashkie dikur ku shkatërroi Tiranën në beton? E mbani mend sesi për Kanabizimin e Vendit në 2015-17 , ku avionët e drogës binin çdo ditë, drejtësia e vjetër nuk ngriti asnjë akuzë për Ramën? Sesi Tahirin e shpalli të pafajshëm dhe u desh ndërhyrja dhe prezenca e ambasadës Amerikane në seancat gjyqësore që Tahiri të dënohej sado pak?? Përse? Përse SHBA dhe BE do shkatërronin besueshmërinë e tyre para shqipëtarëve, për ti dhuruar Ramës diçka që e ka pasur prej kohës??
2. Nëse ju mendoni se dikur drejtësia e vjetër varej nga 3 banda, pra Rama-Berisha-Meta dhe tani varet vetëm nga Rama, vërtet mendoni se Rama nuk ja merrte dot Berishës e Metës ata pak gjykatës e prokurorë që kishin lidhje me ta? Rama i morri Berishës oligarkët si Mane, Frangaj, Gjoka, Sallillari, Ulaj, Hysenbelliu, Kastrati etj kanë qenë njerëzit kryesorë që dikur përfitonin tendera e prona me 1€ nga Berisha, sot ata janë ortakët e Ramës. Vërtet mendoni ju se Rama nuk i merrte dot Berishës ndonjë Gjin Gjon?! Vërtet mendoni se drejtësia e vjetër e pengonte Ramën ta zaptonte me kthetrat e tijë të pushtetit, dhe ndaj u krijua reforma e re e drejtësisë??
3. Ju kur protestoni bërtisni fjalinë klishe “liri demokraci, poshtë komunizmi”. Unë mendoj se kjo është një thirrje aspak e vjetëruar, e duhur për kohën ku jetojmë në një demokraci hibride… por përse ka ende bijë etërish në sferat e politikës Shqipëtare??? Përse Berisha 13vjet në krye të shtetit nuk bëri të mundur atë që kanë bërë gjithë shtetet post komuniste ose edhe Nazi-Fashiste?? Nga Hungaria, Çekia, Rumania… deri te Gjermania mbeturinat e regjimeve të kaluara as roje shkolle publike nuk bëhen dot! Nëse ke qenë pjesë e sistemit qeverisës komunist në Poloni dikur, sot nuk bëhesh dot as roja i një shkolle fshati atje. Sepse kudo u hapën dosjet e sigurimit, u realizua lustracioni dhe u ndëshkuan komunistët për krimet e tyre. E më pas u vendos ligj që ata të ishin jashtë politikës, njësoj si dekrimknalizimi në Shqipëri që nxorri jashtë politikës e administratës përdhunues e trafikantë droge. Përse Berisha nuk e realizoi kurrë këtë proces dekomunistizimi në Shqipëri, që sot ju mos të bërtisni ende si në 1990 “liri demokraci”??
4. Çfarë mendimi keni për metrat katrorë buzë Palasës e Dhërmiut, Lalzit e Qerretit që Berisha dikur ja jepte me 1€ për 99vite oligarkëve? Po për varfërinë ekstreme të naftëtarëve të Ballshit ndërkohë që ARMO në kohën e tijë u privatizua dhe bëri miliarderë Taçin me shokë?! Po për minierat e Bulqizës që Berisha ja dha Samir Manes me koncesion, ndërkohë që fëmijët dhe minatorët e Bulqizës ishin skllevër të vërtetë që vdisnin në punë ose nga uria?? Çfarë mendimi keni për gjëndjen ekonomike të Shqipëtarëve në 2013, kishit mirëqënie e paga të larta atëherë dhe Rilindja jua uli pagat?! Apo blozë ishin pagat atëherë, e blozë janë sot?
5. Ilir Beqja dhe shëndetësia e Rilindjes janë një masakër e vërterë vjedhjesh dhe krimesh në kurriz të të sëmurve, po Tritan Shehu me Nard Ndokën dhe gjëndja e spitaleve deri në 2013 si ishte? Ju kujtohen spitalet e dikurshme si bunkere të bombarduara e të rrënuara? Ku ilaçet mungonin? Edhe më baziket? Ju kujtohet sesi qeverisja e Berishës dorëzoi një sistem shëndetësor po kaq kriminal ndaj jush e neve, i ngjashëm si pika uji me këtë të Ramës e Beqjes? Po universitetet private si kjoska që jepnin diploma pa asnjë vlerë për dritën e syve tuaj, fëmijët tuaj? Që i morrën në qafë duke i mësuar se merrje diplomë pamësuar?!
6. Po, sot ne na vjedh Rama e oborri i tij, jo Berisha. Po, jam dakort se relativizimi i shërben Ramës… por nëse ju rreshtoheni aty poshtë shtëpisë së Berishës me qëllimet më të mira kundra hajdutëve të rilindjes, por krah jush janë ish drejtorët e financave, hipotekave, tatimeve, aluiznit, minierave dhe licensave të naftës, kompesimit të pronave etj që përveçse janë milionerë pasi Berisha u dha atyre një zë, u dha pushtet dhe ky pushtet i dikurshëm mbizotëroi në korrupsion dhe një popull të varfër dikur, kush është karta juaj morale sot?
Mos vallë ju thoni “Sefgjinët, Bodet apo Qirjakot tanë dje, janë më pak hajdutë se Beqjat, Ballukët dhe Ballat e Ramës sot” ???
7. Dhe e fundit, ore çfarë problemi ka nëse Berisha hetohet nga drejtësia? Çfarë problemi ka nëse procedura e masës “detyrim paraqitje” ndaj tijë nuk u bë sipas konceptit tuaj për kushtetutën? E çfarë pastaj? Egziston gjykata e lartë, gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg dhe deri te gjykatat e arbitrazhit apo e Hagës po të doni… ai të drejtën e tijë do e merrte edhe nëse spaku ishte “skapi”. Përse Berisha nuk pranon të hetohet e të përballet me drejtësinë? Përse Berisha nuk flet sesi Gjykata e Strasburgut është shprehur se qeverisja e tijë 13 vjeçare ka lënë mbi 38mijë dosje pronarësh pa i prekur (as kompesim as kthim, asgjë!) duke i lënë një faturë miliarda € shtetit tonë? Përse Berisha këmbënguljen që ka pasur për ti kthyher pronën dhëndrit të tijë, nuke ka pasur për mbi 38mijë familje të tjera fisnike e antikomuniste, por i ka torturuar ato deri në flijim nga vuajtjet? Përse Strasburgu u shpreh se në 21Janar u goditën me plumba jashtë ligjeve protestuesit dhe procesi gjyqësor ndaj tyre u bë në shkelje të rregullave? Përse Gjykata e të drejtave të njeriut, pra ajo e Strasburgut u shpreh se në Gërdec nuk duhej të bëheshin demontime armësh pasi do vdisnin civilë (fëmijë e pleq) siç ndodhi në fakt, e ndërkohë djali i Berishës pranoi se ka folur gjatë shpërthimit të Gërdecit plot 46herë me pronarin e fabrikës, Delijorgjin??? Apo ju i besoni versionit të tijë se ndërkohë që shpërthenin bombat e vriheshin fëmijë, Shkëlzeni telefonte Delijorgjin 46 herë për ta pyetur sa e kishte m2 të një apartamenti në Yzberisht për një mikun e tijë??? Përse, përse, përse???
Këto pyetje nuk kanë qëllim të relativizojnë krimin dhe hajdutërinë e Ramës… aspak. Rama është ai që ju thoni, që edhe unë besoj fort.
Por mos vallë këto 7pyetje na japin përgjigjen e vërtetë se përse një demon politikan si Rama qëndron ende në postin e kryeministrit??