Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare jetojnë në kushtet e mbijetesës, me të ardhura që nuk mjaftojnë as për nevojat bazë. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Botërore, aktualisht 32.1 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat më pak se 34 mijë lekë në muaj ose 9 mijë lekë në muaj për person. Me këto para, ato duhet të përballojnë shpenzimet për ushqim, strehim dhe faturat e përditshme, në një kohë që kostoja e jetesës rritet nga viti në vit. Ndonëse zyrtarisht këto familje nuk klasifikohen si të varfëra nga qeveria, të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme edhe për nevojat më të domosdoshme të jetesës.
Një studim i Avokatit të Popullit doli në përfundimin se minimum jetik në Shqipëri llogaritet në rreth 16 mijë lekë në muaj për person. Kjo do të thotë se, për një familje me 3.8 veta, që është numri mesatar i personave në një familje shqiptare, të ardhurat duhet të ishin minimalisht 60 mijë lekë në muaj. Sipas Bankës Botërore 70 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat nën nivelin e këtij minimum jetik.