70 vjet nga Masakra e Maliqit

Mes të pushkatuarve Zyraka Mano shtatzënë

70 vite më parë, në tetor të vitit  1946, me urdhër të Prokurorit Ushtarak, Nevzat Haznedari, u arrestuan dhe u dërguan menjëherë prapa hekurave të qelisë një grup intelektualësh nga më të iluminuarit që kishte Shqipëria e asaj kohe, të cilët ishin diplomuar në universitetet më të njohura të Perëndimit. Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra, Jani Vasili, Vasil dhe Zyraka Mano, Pandeli Zografi, Mihal Stratobërdha, Vasil Risto, si dhe dy shtetasit italianë, Eugenio Scaturo e Mario Guarnieri, të njohur ndryshe nga propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës si “Grupi sabotator tekniko-inxhinier i Kënetës së Maliqit”, më 18 nëntor të po atij viti, u nxorën para një gjykate ushtarake speciale të improvizuar, ashtu siç ndodhte në atë kohë në të gjitha vendet e Lindjes Komuniste. Dhe pas disa seancash gjyqësore të zhvilluara plot bujë në sallën e kinema “Nacional” në qendër të Tiranës, ku merrnin pjesë e asistonin edhe gazetarë të huaj e misionet ushtarake, jugosllave, sovjetike, franceze, britanike e amerikane që ishin atashuar në Shqipërinë e porsadalë nga lufta, ajo trupë gjykate ushtarake speciale iu dha pesë të pandehurve dënimin kapital. Dy me varje dhe tre me pushkatim, ndërsa të tjerëve burgime të përjetshme. Akuza kryesore ndaj tyre ishte se gjoja ata kishin sabotuar punimet për tharjen e Kënetës së Maliqit dhe kishin pasur lidhje me agjenturën-anglo-amerikane, të kryesuar nga Harry Fultz. Dhe direkt pas këtij gjyqi, misioni amerikan, i kryesuar nga Harry Fultz, në shenjë proteste u largua përfundimisht nga Shqipëria, çka çoi automatikisht edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve. Në fakt, i gjithë ky proces gjyqësor nuk do të shërbente për gjë tjetër, veçse për demaskimin dhe diskreditimin e amerikanëve në Shqipëri në përgjithësi dhe figurës së Harry Fultz-it në veçanti. Dhe kjo, pasi prej vitesh diplomati dhe inxhinieri i mirënjohur amerikan, Harry Fultz, vijonte të zhvillonte veprimtarinë e tij në dobi të zhvillimit të ekonomisë dhe arsimit profesional shqiptar.

Dënimi sipas arkivave të Sigurimit të Shtetit
Republika Popullore e Shqipërisë. Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Lartë Ushtarake.
Akt-Gjykim. Në emër të popullit shqiptar, Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Lartë Ushtarake për gjykimin e sabotatorëve të Maliqit, i formuar prej N/Kolonel Gaqo Floqit, Kryetar, Kapiten i.I. Veledin Zeneli, anëtar Kapiten.I. Nexhat Hyseni anëtar, i asistuar prej Sekretarit Aspirant, Thoma Rino dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit Kapiten i.I. Nevzat Haznedari, sot më datën 18 nëntor 1946 ora 11 paradite, i mbledhur në sallën e kinemasë “Nacional” në Tiranë dha këtë Vendim:
Këta persona akuzohen për shkak se kanë kryer,
a) Vepra sabotazhi në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike.
b) Vepra spiunazhi në favor të agjentëve të huaj.
c) Kanë formuar një grup tekniko-profesional për të sabotuar rindërtimin, fuqinë ekonomike të vendit e si pasojë për të ndryshuar gjendjen e stabilizuar në vendin tonë, në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe reaksionin e jashtëm.
Në procesin gjyqësor të rrjedhur botërisht dhe faqësisht të pandehurit Abdyl Sharra, Mario Guarnieri dhe Jani Vasili përfaqësohen prej avokat Burhan Rusi: Vasil Mano, Zyraka Mano, Pandeli Zografi e Mihal Stratobërdha përfaqësohen prej avokat, Efthim Cancos dhe Kujtim Beqiri, Eugenio Scaturo e Anastas Risto, përfaqësohen prej avokat Vasil Xhajës. Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Lartë mbasi shqyrtoi procesverbalet e mbajtura kundra të pandehurve nga organet e Sigurimit të Shtetit. Mbasi shqyrtoi procesverbalet e mbajtura prej Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë Ushtarake. Mbasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve. Mbasi dëgjoi pretencën e prokurorit, i cili kërkoi fajësinë e gjithë të pandehurve dhe dënimin e Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit me vdekje, duke u varur në litar. Të Vasil Manos, Zyraka Manos, Pandeli Zografit dhe Eugenio Scaturos me vdekje me pushkatim. Të Mario Guarnierit me burgim të përjetshëm, të Mihal Stratobërdhës me 15 vjet burgim, të Anastas Ristos me 5 vjet burgim dhe të Jani Vasilit me 1 vit burgim kondicional dhe për të gjithë të dënuarit me 5 vjet e lart konfiskimin e pasurisë të luajtshme e të paluajtshme.
Mbasi dëgjoi mbrojtjen e avokatëve dhe fjalën e fundit të të pandehurve, të cilët kërkuan lehtësimin e fajit të tyre.
Konstaton: Qysh në verë të vitit 1945 në bashkëpunim me agjentë të huaj formohet një grup tekniko-profesional për të kryer shkatërrime e sabotime në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike për të minuar pushtetin në sektorin më vital të ekonomisë kombëtare dhe me konsekuencë të pakësojnë rezistencën e popullit shqiptar, duke dëshiruar një ndërhyrje të monarko-fashistëve grekë dhe të reaksionit të jashtëm. Për të kurorëzuar qëllimin e mësipërm dhe aktivitetin e tyre antipopullor, të pandehurit Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri e Zyraka Mano bashkë me elementë të tjerë janë vënë në kontakt herë mbas here me agjentët e reaksionit të huaj të maskuar me funksione legale, për t’u shërbyer qëllimeve të tyre imperialiste bëhen spiunë dhe vegla të verbra në shërbim të tyre. Konsekuentë të vijës së tyre politike antipopullore, të pandehurit Abdyl Sharra, ish-oficer i fashizmit dhe i rrethuar nga një ambient familjar, që u vu në dispozicion të Ballit e të okupatorëve dhe Kujtim Beqiri, anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit në Vlorë në kohën e okupacionit filluan me anë të agjitacionit dhe propagandës të villnin vrer kundra pushtetit të rekrutojnë elementë antipushtet, të mbjellin disfatizëm për ta prezantuar gjendje të paqëndrueshme dhe ndërhyrjen e reaksionit grek e ndërkombëtar të paevitueshëm. Me metoda të ndryshme, duke abuzuar me besimin që u kishte ngarkuar pushteti, i përvishen punës shkatërrimtare të sabotimit me vullnetin e tyre të veprave të sapo ndërtuara.
Aktiviteti i tyre kriminal filloi pikërisht të merrte hov të gjerë me zbatimin e planit të ri të pushtetit. I pandehuri Kujtim Beqiri, i emëruar si inxhinier drejtues i aksionit të rinisë në rrugën Kukës-Peshkopi, sabotoi një pjesë të rrugës në sektorin B, kurse i pandehuri Abdyl Sharra, i emëruar drejtor i punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqit, para se të nisej për në krye të detyrës, merr udhëzime nga agjentët e huaj në Tiranë, duke u shpërblyer me një rrogë të përmuajshme prej 50 stërlinash. Njëkohësisht, Abdyl Sharrës iu dhanë premtime se në të njëjtën mënyrë do të shpërbleheshin gjithë elementët e tjerë që do të bashkëpunonin me të. Qysh prej mbërritjes së tij e deri më 26-27 korrik 1946 që u largua nga përgjegjësia si drejtues i Kantierit të Maliqit, i pandehuri ushtroi një aktivitet antipopullor të gjerë: rekrutoi të pandehurit Jani Vasili, Zyraka Mano, Vasil Mano, Pandeli Zografin, Mihal Stratobërdhën dhe fashistët Eugenio Scaturo dhe Mario Guarnierin. Në këtë mënyrë, ata bënin shpeshherë mbledhje të fshehta për të sabotuar programin e pushtetit të ri popullor. Në këtë mënyrë: Abdyl Sharra i ndihmuar nga Mihal Stratobërdha dhe Mario Guarnieri saboton punën në kanalin kryesor, i pandehuri Vasil Mano sabotoi punën në ofiçinën e kantierit, Pandeli Zografi sabotoi instalimin e linjës së dekovilave dhe lokomotorëve, Eugenio Scaturo sabotoi në intendancë dhe ushqime, Jani Vasili sabotoi punën në gurore. E pandehura Zyraka Mano ishte në lidhje të vazhdueshme midis grupit sabotator dhe agjentit të huaj. Në përgjithësi, anëtarët e këtij grupi sabotatorësh të kryesuar fillimisht prej Abdyl Sharrës dhe më pas prej Kujtim Beqirit, iu kushtuan me plot ndërgjegje punës sabotuese në çdo ndërmarrje. Duke përfituar nga dijenia tekniko-profesionale, si dhe nga përgjegjësia që u ishte ngarkuar nga pushteti, penguan në mënyra të ndryshme dhe të rafinuara mbarëvajtje dhe përfundimin e punimeve brenda datës 1 tetor 1946, të caktuar në planin e përgjithshëm të shtetit. Zbatuan keq dhe së mbrapshti planin për punimin e çeljes së kanalit, nuk veshën skarpatet me mur, nuk bënë briljet çdo 50 metra, nuk filluan punën për ndërtimin e urës në kohën e caktuar, sabotuan argjinaturat etj. Të gjitha këto i bënë me qëllim që t’i zvarrisnin punimet deri në sezonin e shirave.
Përpiluan statistika dhe relacione të rreme për të mashtruar pushtetin. Organizuan keq dhe jo në proporcion të drejtë ndarjen e punës, sistemimin e kanalizimeve, dëmtuan rëndë arkën e shtetit etj. Veprimtaritë kriminale të më sipërme të të pandehurve Abdyl Sharra, Vasil Mano, Zyraka Mano, Kujtim Beqiri, Pandeli Zografi, Mario Guarnieri, Eugenio Scaturo, Mihal Stratobërdha, Jani Vasili e Anastas Ristos e kanë kryer në mënyrë të organizuar dhe konspirative. Sado që avokatët mbrojtjës u përpoqën të lehtësojnë fajin e të pandehurve, duke pretenduar se ishin të mashtruar nga reaksioni i huaj dhe se një pjesë e tyre janë dalluar për aktivitet në lëmin e rindërtimit, por këto nuk janë shkaqe serioze ose ligjore për të lehtësuar fajësinë dhe nga ana tjetër është taktika e sabotatorëve qysh në krye për të fituar besimin ndaj organeve të pushtetit, me qëllim që më vonë të sabotojnë sa më tepër për të mos u diktuar. Për këto arsye, Këshilla Gjyqësore e Gjykatës së Lartë Ushtarake në pjesën më të madhe në konformitet me kërkimin e prokurorit dhe pjesërisht në kundërshtim me të, në bazë të Neneve 1 të Ligjit Nr.21 dt. 15 dhjetor 1944 mbi sabotatorët dhe 15, 17, e 18 të Ligjit Nr.41 dt. 14 janar 1945, mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake.
Vendosi
Fajësinë e gjithë të pandehurve duke i cilësuar si sabotatorë e armiq të popullit dhe ndëshkimin e tyre si vijon:
1) Abdyl Sharra. Me vdekje duke u ekzekutuar me varje në litar.
2) Kujtim Beqiri. Me vdekje duke u ekzekutuar me varje në litar.
3) Vasil Mano, me vdekje me pushkatim.
4) Eugenio Scaturo, me vdekje me pushkatim.
5) Zyraka Mano, me vdekje me pushkatim.
Për 5 të dënuarit. Me vdekje, urdhërohet ekzekutimi i tyre në Maliq.
6) Pandeli Zografi. Me burgim të përjetshëm.
7) Mario Guarnieri. Me burgim të përjetshëm.
8) Mihal Stratobërdha. Me 10 vjet burgim me punë të detyrueshme.
9) Anastas Risto. Me 2 vjet burgim me punë të detyrueshme.
10) Jani Vasili. Me 1 vit burgim kondicional me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira.
Për 8 të dënuarit e parë, urdhërohet konfiskimi i pasurisë së luajtshme e së paluajtshme personale dhe me humbjen e të drejtave qytetare e politike.
Ky vendim është i prerë.
Tiranë, më 18 nëntor 1946 Kryetar (N/Kolonel Gaqo Floqi) dhe Sekretar (Aspirant Thoma Rino).
(Marrë nga AMB, dosja hetimore gjyqësore nr. 1080 aktakuza e Prokurorisë së Gjykatës së Lartë Ushtarake nr. 98-107 dt 06.11.1946, aktgjykimi nr.17 dt 18.11.1946).
Vendimet u ekzekutuan të gjitha në Kenetën e Maliqit ku u mblodhën me dhunë mijëra qytetarë përfshi  edhe fëmijët e shkollave fillore. Zyraka Mano në kohën e pushkatimit ishte shtatzënë.

Artikulli paraprakProkuroria zbulon trafikantët e drogës që vepronin në mbrojtjen e Policisë
Artikulli tjetërGjyqtari Kristo: Eksperimente me kufizimin e të Drejtave të Njeriut