KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Emri
Partia mban emrin Partia Demokratike e Shqipërisë dhe akronimin zyrtar PD.
Neni 2
Vlerat themelore politike
Partia Demokratike e Shqipërisë (në vijim PDSH) është parti politike që bashkon në gjirin e saj shtetasit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që besojnë, respektojnë dhe mbrojnë:
lirinë dhe demokracinë;
ndërtimin e një shteti të së drejtës, demokratik e social, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dinjitetin dhe personalitetin njerëzor, si dhe prosperitetin e të gjithë kombit;
vlerat themelore të familjes tradicionale në shoqëri;
shenjtërinë e pronës private;
dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare si një mision i vazhdueshëm;
humanizimin e solidaritetin shoqëror dhe frymën e tolerancës e të bashkëjetesës fetare;
Vlerat, parimet dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s
aspiratën për integrimin e plotë europian të Shqipërisë, nëpërmjet jetësimit të dëshirës së përhershme, qasjes perëndimore dhe thirrjes së brendshme të anëtarëve të saj “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, si dhe
drejtësinë, paqen, harmoninë dhe bashkëpunimin ndërmjet kombeve si ndër vlerat më të larta të njerëzimit;
PDSH promovon në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve:
të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;
zhvillimin e nismës së lirë e barazinë në shanse, tregun e lirë e konkurrencën si mjet të zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit;
sigurinë e individit e të pronës;
drejtësinë shoqërore e dialogun social;
paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror;
pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, rendin kushtetues, pluralizmin, identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare;
ruajtjen e natyrës dhe të mjedisit;
autoritetin e shtetit dhe vetëqeverisjen lokale.
PDSH është anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe udhëhiqet në veprimtarinë e saj nga të njëjtat vlera e ideologji.
Neni 3
Qëllimet politike
PDSH njeh dhe promovon pjesëmarrjen e gjerë popullore në jetën politike, shoqërore dhe në institucione, si dhe kujdeset për formimin e një vullneti të gjerë e të qendrueshëm popullor në dobi të mbrojtjes dhe zhvillimit të traditave më të larta shoqërore, politike dhe kulturore të shqiptarëve, në dobi të realizimit dhe zhvillimit të shpejtë të aspiratave euroatlantike të Shqipërisë, si dhe rezatimin pozitiv të imazhit të vendit kudo në botë, për përjetësimin e kombit shqiptar, identitetin e kulturës së tij.
PDSH udhëhiqet nga vlerat tradicionale të spektrit të djathtë, liria, demokracia, besimi tek Zoti, familja tradicionale dhe shenjtëria e pronës private. Në thelb të filozofisë së saj, qendron liria dhe dinjiteti i individit, konkurrenca e ndershme dhe meritokracia.
PDSH i realizon objektivat e veta politike nëpërmjet komunikimit e angazhimit politik, publik dhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, në përputhje dhe respektim të plotë të kuadrit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Shqipërisë.
PDSH synon:
të ndërtojë një demokraci të të drejtave njerëzore të njohura e të marra në mbrojtje nga dokumentat ndërkombëtare, të mbështetur në bashkësinë e njerëzve të lirë, të përgjegjshëm, që bashkëpunojnë, respektojnë e ndërmarrin përgjegjësi të përbashkëta;
të ndërtojë shtetin ligjor me raporte të balancuara e të ndara qartë të pushteteve, garant të jetës, lirive dhe të drejtave të sanksionuara me ligj të qytetarëve;
të nxisë dhe zhvillojë ekonominë e tregut nëpërmjet nxitjes së iniciativës së lirë ekonomike e shtimit të pronës private si forma mbisunduese në krijimin dhe pronësimin e pasurisë kombëtare, nëpërmjet privatizimit të ndërmarrjeve ekonomike publike, liberalizimit të tregut e licencimeve, zbatimit të politikave favorizuese fiskale e të kreditimit, etj.;
të garantojë të drejtën e pronës private, paprekshmërinë e saj dhe të drejtën e pronarëve për ta disponuar atë lirisht, trashëguar apo dëmshpërblyer me vlerë të plotë tregu;
të përfaqësojë interesat e grupeve shoqërore të të përndjekurve politik dhe pronarëve të ligjshëm të shpronësuar gjatë regjimit komunist, duke promovuar, ndërmarrë dhe zbatuar çdo normë ligjore, që garanton vendosjen e drejtësisë dhe rikthimin e dinjitetit të munguar, si dhe duke korrigjuar të gjitha pasojat financiare të padrejtësive të bëra ndaj tyre gjatë komunizmit.
të zhdukë privilegjet dhe pabarazitë që nuk përligjen as nga puna e prona, as nga talenti e as nga shërbimet e kryera ndaj vendit;
të promovojë respektimin e barazisë gjinore në jetën e partisë dhe pjesëmarrjen e grave në organet e zgjedhura dhe ato ekzekutive;
të integrojë Shqipërinë si anëtare dinjitoze në Bashkimin Europian;
të garantojë sigurinë kombëtare dhe të kontribuojë si vend anëtar i NATO-s dhe në bashkëpunim me institucionet europiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjera organizma ndërkombëtarë për të siguruar paqen, lirinë, demokracinë, garancinë ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit për të gjithë rajonet dhe më gjerë.
të mbrojë interesat kombëtare dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve kudo që janë, duke respektuar aktet e marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke kërkuar standardet e pranuara botërisht për të gjithë; etj.
Qëllimet politike dhe vlerat themelore politike të PDSH-së detajohen dhe pasqyrohet në programin e saj, si dhe dokumente të tjera që miratohen në përputhje me Statutin nga organet e saj qendrore.
Neni 4
Selia Qendrore
PDSH e ka selinë qendrore të saj në Kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, Tiranë.
Neni 5
Organizimi i partisë
PDSH është një organizim politik i qytetarëve të grupuar me vullnet të lirë në strukturat e saj, të organizuara mbi bazën e ndarjes territoriale administrative të vendit, njësive elektorale, dhe/ose mbi baza socio-profesionale, si dhe në nivel kombëtar.
Struktura organizative e partisë përcaktohet me vendim të Kryesisë së PDSH, mbi bazën e kritereve specifike apo rrethanave të caktuara, si dhe propozimeve të ardhura nga Degët e PDSH.
Neni 6
Simboli
Simboli i PDSH përbëhet nga gërmat “P” e “D” me ngjyrë blu, ku e para është vendosur brenda të dytës në mënyrë të stilizuar. Ky simbol përdoret nga organet përfaqësuese të PDSH ose me autorizim të tyre.
Neni 7
Flamuri
Flamuri i PDSH është me ngjyrë blu në qendër të të cilit ndodhet simboli i saj në ngjyrë të bardhë.
Neni 8
Vula
Vula e PDSH është e rrumbullakët, e përbërë nga dy rrathë bashkëqendrorë në hapësirën midis së cilëve është shkruar me gërma të mëdha “Partia Demokratike e Shqipërisë” dhe në qendër ndodhet simboli i PDSH-së.
Vula përdoret vetëm në emër të Organeve Qendrore të PDSH dhe administratës ekzekutive të Selisë Qendrore. Degët e PDSH në rrethe kanë vulat e tyre që ruajnë modelin e mësipërm, duke shtuar emrin përkatës të degës.
Rregullat për ruajtjen dhe përdorimin e vulës përcaktohen me vendim të Kryesisë së PDSH.
KREU II
RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË PARTISË
Seksioni 1
PARIMET THEMELORE TË FUNKSIONIMIT
Neni 9
Bazat e funksionimit
Funksionimi i PDSH bazohet në:
1.demokracinë e brendshme, e shprehur përmes votës së anëtarëve të saj, drejtpërsëdrejti dhe/ose përfaqësuesve të mandatuar prej tyre, në propozimin apo zgjedhjen e organeve drejtuese të partisë dhe kandidaturave elektorale, sipas rasteve dhe rregullave të përcaktuara në këtë Statut. Vota e përfaqësuar u njihet vetëm përfaqësuesve të mandatuar prej anëtarëve.
2.lirinë e shfaqjes së mendimit, e cila është e garantuar në çdo mbledhje të strukturave të partisë apo veprim të PDSH. Çdo anëtar është i lirë të shprehë mendimin dhe propozimin e tij për përmirësimin e punës apo veprimeve politike të PDSH.
3.kolegjialitetin në marrjen e vendimeve, duke respektuar përfshirjen e të gjithë anëtarëve, personalisht apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, në çdo vendim apo veprim politik të PDSH. Organet dhe funksionarët e partisë gjatë veprimtarisë së tyre përfaqësojnë dhe i shërbejnë vullnetit të anëtarëve, si dhe tërheqin dhe parashtrojnë mendimin e anëtarëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë partiake, përfshirë edhe mendimet ndryshe.
4.transparencën në vendimmarrje dhe në veprimtarinë politike të PDSH, duke informuar anëtarët dhe simpatizantët mbi to. Mbledhjet dhe veprimtaria e organeve të partisë është e hapur për anëtarët e saj, me përjashtim të rasteve, kur shumica e anëtarëve të organit vendos ndryshe, me qëllim ruajtjen e karakterit konfidencial të mbledhjes apo veprimtarisë. Në çdo rast, vendimet që merren dhe dokumentet që pasqyrojnë veprimtarinë e organit përkatës, u bëhen të njohura anëtarëve të partisë nëpërmjet strukturave organizative apo mjeteve të tjera të informimit publik.
shanset e barabarta në pjesëmarrje dhe përfaqësim midis grave dhe burrave, duke synuar dhe nxitur që në çdo organ apo nivel, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave, të jetë jo më pak se 30 për qind të numrit të përgjithshëm të anëtarëve në atë organ apo nivel përfaqësimi.
solidaritetin dhe mbështetjen midis anëtarëve dhe strukturave drejtuese të partisë. Anëtarët e PDSH, të organizatave të saj partnere, si dhe simpatizantët e tyre, veprojnë në bashkëpunim dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Organet qendrore të PDSH-së, si dhe strukturat e saj ekzekutive, kujdesen për marrjen në mbrojtje të veprimtarëve të tyre nga çdo pasojë e mundshme që rrjedh prej pjesëmarrjes në veprimtarinë politike të kryer në përputhje me këtë Statut, apo bindjeve të tyre politike.
Neni 10
E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur
Çdo anëtar që përmbush kushtet e parashikuara në këtë Statut, apo kriteret e posaçme për një funksion partiak të caktuar, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Vota e çdo anëtari është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
Organizimi i brendshëm i partisë bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, dhe periodike. Mandati i organeve në PDSH është jo më shumë se katër vjet.
Sistemi zgjedhor brenda partisë, garanton parimin e konkurimit të lirë dhe shanseve të barabarta midis kandidatëve, sipas kritereve të shpallura dhe njohura paraprakisht. Kandidatëve për çdo organ të partisë i garantohet aksesi i barabartë në procesin zgjedhor dhe kontrollin mbi mënyrën e realizimit të tij. Realizimi i çdo procesi zgjedhor brenda partisë udhëhiqet nga parimet demokratike dhe transparenca.
Karriera e çdo anëtari dhe/ose simpatizanti të PDSH, në funksionet brenda organeve të partisë apo funksionet politike përfaqësuese dhe/ose shtetërore, bazuar në meritokracinë dhe kontributin politik, elektoral dhe profesional të tij, është e garantuar. Zgjedhja apo caktimi në këto funksione bëhet bazuar në kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj; kontributit në fushata elektorale; kontributit profesional e politik në parti si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH; aktivizimit në jetën politike e publike të vendit; mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH; si dhe reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi.
Si rregull dhe për rastet kur kjo është e zbatueshme sipas Statutit, në çdo organ të partisë, numri i anëtarëve të zgjedhur duhet të jetë më i madh se numri i atyre që hyjnë drejtpërdrejt si anëtarë të organit për shkak të funksionit të tyre.
Rregullat e detajuara për të garantuar të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, kriteret e posaçme për çdo funksion politik brenda partisë apo për përfaqësimin politik në organet qendrore apo lokale, si dhe rregullat që garantojnë një proces zgjedhor demokratik dhe transparent, përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH dhe/ose udhëzimet e miratuara rast pas rasti nga Kryesia e PDSH.
Neni 11
Llogaridhënia dhe vlerësimi i performancës
Organet e partisë dhe funksionarët politik të PDSH japin llogari në mënyrë periodike për punën e tyre përpara organeve të tjera drejtuese të partisë, sipas hierarkisë, si dhe përpara anëtarëve të PDSH, sa herë kërkohet nga më shumë se 1/4 e tyre, sipas organizimit dhe nivelit të përfaqësimit.
Organet e partisë dhe funksionarët politik të PDSH detyrohen të marrin dhe të parashtrojnë mendimin e zgjedhësve të tyre, përfshirë dhe mendimin ndryshe, si dhe raportojnë e përgjigjen përpara tyre për vendimet e marra dhe veprimtarinë e tyre.
Anëtarët e PDSH, organet e partisë dhe funksionarët politik të PDSH i nënshtrohen procesit periodik të vlerësimit të performancës dhe kontributit, nëpërmjet analizës dhe diskutimit të hapur me anëtarët, apo sondazheve të organizuara nga PDSH, sipas organizimit dhe nivelit të pjesëmarrjes apo përfaqësimit. Vlerësimi periodik i performancës dhe kontributit mbahet në konsideratë gjatë ecurisë në karrierë të tyre brenda organeve të partisë apo funksioneve përfaqësuese politike.
Rregullat e detajuara për të garantuar llogaridhënien dhe vlerësimin e performancës përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH.
Neni 12
Zgjedhja e funksionarëve politikë, në nivel qendror apo lokal
Demokracia e brendshme dhe kolegjialiteti zbatohet edhe në përcaktimin e kandidaturave elektorale të partisë. Anëtarët e partisë kanë të drejtën e identifikimit dhe propozimit të kandidaturave të mundshme elektorale, sipas rregullave dhe kushteve të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme dhe/ose udhëzimet e Kryesisë së PDSH-së.
Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor dhe Kuvendin e Shqipërisë përzgjidhen dhe seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH. Kryesia e PDSH miraton me udhëzim rregullat për realizimin e procedurës së përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave, si dhe për realizimin e këtij procesi. Pas konsultimit me anëtarësinë, me propozimin e Kryetarit të Partisë, Kryesia e PDSH vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale. Kjo listë i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar të PDSH.
Kryesitë e Degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore. Kryesia e PDSH duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidaturave. Ajo ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme. Përjashtimisht, për Bashkitë qendër qarku, lista e këshilltarëve përgatitet dhe propozohet nga Kryesia e Degës, dhe miratohet nga Kryesia e PDSH.
Neni 13
Disiplina e brendshme
Anëtarët kujdesen për ruajtjen e etikës në komunikim dhe respektit të ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë.
Anëtarët dhe organet e partisë veprojnë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH. Çdo vlerësim apo iniciativë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH. Anëtarët e PDSH veçanërisht shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH.
Rregullat e detajuara për të garantuar disiplinën e brendshme dhe masat disiplinore në rast të cenimit të saj, përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH.
Neni 14
Format e veprimit dhe bashkëpunimit
Partia Demokratike e Shqipërisë për realizimin e synimeve të saj vepron nëpërmjet:
a) veprimtarisë së anëtarëve të saj, organeve lokale e qendrore, strukturave ekzekutive;
b) zbatimit të platformës dhe programeve të saj kur qeveris e vetme ose në koalicion si dhe nëpërmjet qeverisjes lokale që përfaqëson PDSH;
c) grupit parlamentar;
d) organizatave partnere dhe organizatave e shoqatave të tjera të afërta me PDSH;
e) bashkëpunimit me partnerë të huaj, organizata e institucione ndërkombëtare;
PDSH për realizimin e objektivave dhe funksioneve të saj përdor mediat publike dhe private, dhe çdo formë tjetër komunikimi publik, manifestime e protesta, takime të hapura e tubime, konferenca e seminare, si dhe çdo formë tjetër të ligjshme.
Neni 15
Veprimtari publike
1.PDSH në përputhje me legjislacionin në fuqi organizon, për qëllime të realizimit të objektivave të veta të ligjshme dhe promovimit të vlerave të saj themelore, edhe veprimtari ekonomike, studimore, klube, institute, apo forma të tjera të organizimit shoqëror.
Veprimtaritë e PDSH janë publike me përjashtim të rasteve, kur në këtë Statut ose në rregullore përcaktohet ndryshe. Ato zhvillohen si brenda territorit të vendit, ashtu edhe jashtë tij, kur një gjë e tillë është e lejueshme në vendet përkatëse.
Seksioni 2
PROCEDURA E MBLEDHJES TË ORGANEVE TË PARTISË
Neni 16
Garantimi i shprehjes së lirë të çdo anëtari në mbledhje
Çdokush nga anëtarët ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij në strukturat dhe organet e PDSH.
Në çdo rast duhet respektuar dhe garantuar shprehja e mendimit ndryshe. Për këtë, kur diskutohen çështje për të cilat ka mendime “pro” dhe “kundra”, të garantohet shprehja e të paktën një mendimi pro dhe kundër propozimit.
Neni 17
Aftësia vendimmarrëse
Organet e Partisë kanë aftësi vendimmarrëse kur:
a) ato janë thirrur duke respektuar procedurat dhe afatet e parashikuara në këtë Statut;
b) kanë marrë pjesë në votime mbi 50% e anëtarëve me të drejtë vote me përjashtim të rasteve, kur në Statut parashikohet një shumicë më e madhe se kjo për marrjen e vendimeve.
Në rast se në mbledhje nuk janë të pranishëm anëtarët e nevojshëm për të siguruar shumicën e kërkuar për vendimmarrje, drejtuesi i mbledhjes duhet të ndërpresë mbledhjen dhe të njoftojë për datën, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes tjetër. Në këtë rast, ai mund të mos marrë parasysh afatet e përcaktuara në Statut. Mbledhja tjetër është në çdo rast me aftësi vendimmarrëse. Kjo u njoftohet anëtarëve.
Nëse mungesa e numrit të nevojshëm të anëtarëve për marrjen e vendimit gjatë mbledhjes vërtetohet në çastin e votimit, atëherë votimi shtyhet për në mbledhjen tjetër.
Në përcaktimin e numrit të nevojshëm për të siguruar aftësinë vendimmarrëse llogariten edhe abstenimet dhe/ose votat e pavlefshme.
Neni 18
Shumica të kërkuara për vendimmarrje
Vendimet quhen të miratuara nëse votat “pro” përbëjnë mbi 50% të votave të vlefshme të pjesëmarrësve në votim me përjashtim të rasteve, kur në Statut parashikohet ndryshe. Kur votat janë të barabarta propozimi i votuar konsiderohet i refuzuar. Abstenimet merren në konsideratë për llogaritjen e kuorumit.
Për ndryshime statutore nevojitet shumica absolute e anëtarëve me të drejtë vote.
Për miratimin e vendimit për shpërndarjen apo bashkimin e PDSH me një parti tjetër, duhet një shumicë prej 3/4 e votave.
Neni 19
Llojet e votimit
Votimi bëhet i hapur duke ngritur dorën ose mandatin.
Votimi bëhet i fshehtë në rastet e përcaktuara nga Statuti si edhe kur propozimi për votim të fshehtë mbështetet nga 1/6 e anëtarëve me të drejtë vote. Format e votimit të fshehtë përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të Partisë.
Neni 20
Afatet e zgjedhjeve
Të gjitha organet e Partisë duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet.
Neni 21
Dokumentimi i vendimeve
Vendimet e Kuvendit Kombëtar, të Këshillit Kombëtar, të Kryesisë së PDSH, si dhe urdhrat dhe udhëzimet e Kryetarit të Partisë, dokumentohen, protokollohen dhe arkivohen sipas rregullave dhe nga personat e caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm.
Për organet vendore të Partisë ndiqet e njëjta procedurë e parashikuar në pikën 1 nga Sekretari i degës.
KREU III
ANËTARËSIA
Neni 22
Kushte dhe kritere të anëtarësisë
Anëtar i PDSH mund të jetë, çdo shtetas shqiptar që:
a) është mbi 15 vjeç;
b) pranon kushtet e anëtarësimit dhe përkrah e mbron vlerat themelore të PDSH;
c) nuk është anëtar i partive politike, apo i organizatave që nuk janë në partneritet të deklaruar e pranuar nga PDSH.
2.Konsiderohen anëtarë të PDSH, me të drejtë vote, të gjithë ata që:
a) kanë bërë anëtarësimin e tyre individual dhe janë pranuar e regjistruar si anëtar jo më vonë se 6 muaj përpara datës së zgjedhjes ku ai merr pjesë;
b) kanë paguar kuotën vjetorë të anëtarësisë në masën e caktuar me vendim të Kryesisë së PDSH.
c) ndaj tyre nuk është marrë masa disiplinore e përjashtimit apo pezullimit nga partia apo nuk kanë dhënë dorëheqjen.
d) marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e organeve ku bëjnë pjesë.
Mospagimi për 2 vjet rrjesht i kuotës së anëtarësisë, si dhe mospjesëmarrja për gjashtë muaj në mbledhje të njëpasnjëshme të organeve ku bën pjesë, pa shkaqe të përligjura, sjell humbjen e të drejtës së votës si anëtar i PDSH, me vendim të Kryesisë së Degës. Personi që ka humbur të drejtën e votës mund të ankohet në Komisionin e Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit.
Neni 23
Pranimi i anëtarit të PDSH
Kërkesa për anëtarësim duhet të paraqitet me shkrim duke plotësuar formularin përkatës:
a) në Seksionin e Partisë të vendbanimit të kërkuesit;
b) në Degën e PDSH;
c) në selinë qendrore të PDSH;
d) në formë elektronike në faqen ëeb të PDSH.
Pranimi në seksionin apo degën e PDSH bëhet vetëm për anëtarët që banojnë në territorin përkatës.
Konfirmimi i pranimit të anëtarit të PDSH bëhet nga Dega e PDSH.
Në rast refuzimi të kërkesës, personi mund të ankohet në organin epror më të afërt të organit që ka hedhur poshtë kërkesën për regjistrim, vendimi i të cilit mund të ankimohet në Komisionin e Apelimit.
Neni 24
Regjistri i anëtarësisë
1.Evidentimi i anëtarëve të Partisë Demokratike bëhet në Regjistrin Bazë
të Anëtarësisë në format elektronik dhe shkresor, i cili përmban të dhënat e përditësuara për të gjithë anëtarët e regjistruar në Partinë Demokratike.
Rregullat e hollësishme për formatin e regjistrit, administrimin, përditësimin dhe aksesimin e tij, përcaktohen me udhëzim të Kryetarit të Partisë.
Neni 25
Të drejtat dhe detyrat e anëtarit
1.Anëtari i PDSH ka të drejtë:
a) të marrë pjesë në mbledhjet e zgjedhjet sipas Statutit si dhe në çdo veprimtari të PDSH dhe të shprehë aty lirisht mendimin e tij;
b) të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e Partisë;
c) të propozojë për të gjitha organet legjislative e ekzekutive që përfaqësojnë PDSH sipas kushteve që parashikohen në këtë Statut, si dhe mund t’u drejtohet për çështje vetjake e të Partisë të gjitha organeve drejtuese të saj;
Anëtari i PDSH ka për detyrë:
a) të jetë aktiv në veprimtarinë politike e elektorale të PDSH dhe të ndjekë jetën e brendshme organizative të saj.
b) t’i paguajë Partisë kuotën vjetore të anëtarësisë. Masa e kuotës vjetore dhe rregullat për shpërndarjen e saj ndërmjet selisë qendrore dhe strukturave lokale përcaktohen me vendim nga Kryesia e PDSH.
c) të paguajë kuotën e anëtarësisë brenda 60 ditëve nga data e thirrjes për pagimin e saj. Me përfundimin e afatit të njoftuar për pagimin e kuotës, anëtarët që nuk kanë paguar atë, humbasin të drejtën e votës, deri në rinovimin e anëtarësisë dhe shlyerjen e detyrimeve financiare të prapambetura.
d) të respektojë disiplinën e Partisë të përcaktuar në këtë Statut dhe në aktet politike të shpallura nga PDSH.
Anëtarët e Partisë nuk mund të jenë njëkohësisht në më shumë se dy kryesi të organeve të Partisë pavarësisht nga niveli i tyre, me përjashtim të rasteve të pjesëmarrjes për shkak të funksionit që mban. Përkatësia në kryesitë e organizatave partnere nuk llogaritet.
Neni 26
Përfundimi i anëtarësisë
Anëtarësia përfundon kur anëtari vdes, largohet me kërkesën e tij ose përjashtohet.
Çdo anëtar mund të largohet nga Partia me vullnetin e tij, duke njoftuar seksionin ku bën pjesë ose organin ku është i zgjedhur.
Neni 27
Masat disiplinore
Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH.
Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH, dhe konfirmohen dhe/osemund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit. Ato mund të bëhen publike.
Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit dhe Zbatimit të Statutit brenda 5 ditëve nga marrja e ankimit.
Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e rretheve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera.
Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurate dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinorepër anëtarët përcaktohen në Rregulloren e Brendshme.
Neni 28
Simpatizantët
PDSH quan simpatizant të saj çdo qytetar që mbështet politikën apo veprimtarinë e saj dhe voton për të. Ajo nxit pjesëmarrjen e tyre në veprimtaritë publike dhe politike të saj.
2. Për evidentimin e simpatizantëve të PDSH krijohet Regjistri Bazë i Simpatizantëve në format elektronik, i cili përmban të dhënat e përditësuara në mënyrë periodike për të gjithë simpatizantët e PDSH. Të dhënat hartohen nga Kryetari i Seksionit, nën përgjegjësinë e Kryetarit të Grupseksionit, dhe i nënshtrohen përditësimit të paktën çdo 2 vjet.
Rregullat e hollësishme për formatin e regjistrit, administrimin, përditësimin dhe aksesimin e tij, përcaktohen me udhëzim të Kryetarit të Partisë.
KREU IV
ORGANIZIMI VENDOR I PARTISË
Neni 29
Organizimi Vendor i PDSH
Organizimi vendor i PDSH bëhet mbi bazën e njësive territoriale administrative, njësive elektorale ose mbi bazën e kritereve specifike.
Njësitë organizative të PDSH në nivel vendor janë:
a) Seksionet;
b) Grupseksionet;
c) Degët e Partisë Demokratike.
Neni 30
Seksioni
Seksioni është njësia bazë organizative e Partisë.
Si rregull, ai organizohet mbi bazë territoriale të qendrave të votimit ose, në raste të veçanta dhe me miratim të Kryesisë së PDSH, mbi bazën e kritereve specifike apo rrethanave të caktuara.
Si rregull, për çdo Qendër Votimi (QV), ngrihet një seksion. Numri minimal i anëtarëve të një seksioni është 7.
Kryesia e Degës, përgjigjet për koherencën e organizimit të seksioneve në territorin përkatës të partisë dhe informon Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë. Krijimi, shkrirja, bashkimi ose ndarja e seksioneve vendoset nga Kryesia e Degës përkatëse dhe miratohet me vendim të Kryesisë së PDSH.
3.Në raste të veçanta, me vendim të Kryesisë së PDSH, seksioni organizohet edhe në nivel dege ose kombëtar mbi bazë specialitetesh, gjendjeje shoqërore e profesionale, studentore, shkollore, moshore.
Seksioni drejtohet dhe përfaqësohet nga Kryetari.
Kryetari dhe sekretari zgjidhen çdo katër vjet, me votim të fshehtë, nga mbledhja e të gjithë anëtarëve të seksionit, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Numri i kandidaturave që i nënshtrohen votimit duhet të jetë të paktën dy për çdo pozicion.
Kryesia e Seksionit përbëhet si rregull nga 3 deri në 5 anëtarë, në varësi të numrit të anëtarëve të seksionit, sipas rregullave të përcaktuara me udhëzim të Kryesisë së PDSH. Kryesia zgjidhet çdo katër vjet, me votim të fshehtë, nga mbledhja e të gjithë anëtarëve të seksionit, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Numri i kandidaturave që i nënshtrohen votimit duhet të jetë të paktën dy herë më i madh se numri i vendeve në Kryesi.
Mbledhja e seksionit thirret nga kryetari, nga 1/4 e anëtarëve, apo nga Kryetari i Grupseksionit ku bën pjesë seksioni. Mbledhja thirret të paktën një herë në dy muaj.
Seksioni:
a) organizon veprimtarinë politike në territorin e tij në përputhje me orientimet dhe qëndrimet e shpallura të PDSH-së;
b) identifikon dhe mban kontakt të vazhdueshëm me votuesit në territorin përkatës dhe organizon punën për operacionet elektorale gjatë zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore;
c) identifikon dhe angazhon në veprimtari politike simpatizantët e PDSH me banim në territorin përkatës;
d) bën pranimin e anëtarëve të rinj të PDSH-së.
e) bën propozime për kandidatura për drejtues dhe përfaqësues lokalë të Partisë, për deputetin e pushtetarë lokalë etj.
d) i bën sugjerime dhe propozime Degës/Grupseksionit për çdo problem që gjykon se është në interes të Partisë.
Neni 31
Grupseksioni
Grupseksioni krijohet në bazë lagjeje, grup lagjesh apo në bazë fshatrash, ose në raste të veçanta dhe me miratim të Kryesisë së PDSH, mbi bazën e kritereve specifike apo rrethanave të caktuara. Ai përbëhet nga seksionet e atyndodhura dhe secili grupseksion duhet të mbulojë një numër të përafërt zgjedhësish, sipas rregullave dhe numrit minimal e maksimal të zgjedhësve të përcaktuara me vendim të Kryesisë së PDSH.
Kryesia e Degës vendos për ndarjen e degës në grupseksione dhe përcakton hartën dhe shtrirjen territoriale të çdo grupseksioni, të cilat miratohen me vendim të Kryesisë së PDSH. Kryesia e Degës mund të vendosë edhe për ngritjen e grupseksioneve në emigracion apo mbi baza profesionale.
Grupseksioni drejtohet nga Kryetari.
Kryetari zgjidhen çdo katër vjet, me votim të fshehtë, nga mbledhja e të gjithë anëtarëve të seksioneve në përbërje të atij Grupseksioni, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”.
Numri i kandidaturave që i nënshtrohen votimit duhet të jetë të paktën dy. Të drejtën për të propozuar kandidatë e kanë 1/5 e anëtarëve të seksioneve që përfshihen në atë grupseksion, Kryesia e Degës, si dhe Kryetari i Degës.
Kryetari i Grupseksionit është përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës në territorin e Grupseksionit. Veprimtaria e Kryetarit të Grupseksionit kontrollohet në mënyrë periodike nga Kryetari i Degës, i cili çdo 6 muaj raporton tek Sekretari i Përgjithshëm i PDSH.
Sekretari i grupseksionit emërohet nga Kryesia e Degës me propozim të Kryetarit të Degës.
Kryesia e Grupseksionit përbëhet nga:
a) kryetari dhe sekretari i grupseksionit;
b) kryetarët dhe sekretarët e seksioneve përbërëse;
c) anëtari i Këshillit Kombëtar dhe deputeti me banim aty, si dhe
d) anëtarët e Kryesisë së Degës dhe të zgjedhurit vendorë me banim aty.
Kryesia e Grupseksionit mblidhen të paktën një herë në muaj me kërkesë të kryetarit të tij, Kryesisë apo Kryetarit të Degës, Kryesisë së PDSH, ose me kërkesë të jo më pak se 1/4 të anëtarëve të tij. Kryesia e Grupseksionit organizon punën për ndërmarrjen e aksioneve politike dhe/ose elektorale në territorin që mbulon.
7.Grupseksioni:
a) organizon veprimtarinë politike në territorin e tij në përputhje me orientimet dhe qëndrimet e shpalluara të PDSH-së;
b) përgjigjet për identifikimin dhe përditësimin e informacioneve mbi votuesit në territorin që mbulon duke mbajtur kontakte të vazhdushme me ta;
c) identifikon dhe angazhon në veprimtari politike simpatizantët e PDSH me banim në territorin përkatës;
d) organizon dhe drejton punën për operacionet elektorale gjatë zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore, sipas udhëzimeve të Kryetarit dhe/ose të Kryesisë së Degës;
e) bën pranimin e anëtarëve të rinj të PDSH-së;
f) bën propozime për kandidatura për drejtues dhe përfaqësues lokalë të Partisë, për deputetin dhe pushtetarë lokalë etj;
g) i bën sugjerime dhe propozime Degës për çdo problem që gjykon se është në interes të Partisë.
Kryetari i Grupseksionit, me miratimin paraprak të Kryesisë së Degës, mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme në Seksion, në rastet kur performanca zgjedhore është dukshëm e ulët, kur veprimtaria e seksionit është më e ulët se objektivat e caktuara nga Kryesia e Degës, apo kur kërkohet në mënyrë të argumentuar për shkak të neglizhencës së rëndë të organeve drejtuese të Seksionit.
Neni 32
Dega e PDSH
Dega e PDSH formohet apo shkrihet me vendim të Kryesisë së PDSH. Ajo funksionon përgjithësisht në bazë të njësive të qeverisjes lokale apo çdo ndarje tjetër administrative territoriale të përshtatshme dhe përbëhet nga grupseksionet dhe seksionet e atyndodhura.
Dega drejtohet në periudhën mes kuvendeve nga Kryetari dhe Kryesia e saj.
Neni 33
Organizimet jashtë territorit të Shqipërisë
Shtetasit shqiptarë mund të themelojnë jashtë Shqipërise degë të PDSH. Krijimi i degëve jashtë vendit miratohet nga Kryesia e PDSH. Ato shpërndajnë aty parimet dhe programet e PDSH, duke respektuar ligjet dhe rregullat e vendit përkatës.
Këto degë organizohen dhe funksionojnë sipas rregullave të këtij statuti.
Neni 34
Kuvendi i Degës së PDSH
Kuvendi i Degës është organi më i lartë vendimmarrës i saj.
Kuvendi i Degës përbëhet nga:
a) Kryesia e Degës;
b) Sekretarët e grupseksioneve të Degës;
c) Kryetarët dhe sekretarët e të gjithë seksioneve të Degës.
d) Anëtarët e Bordit të Këshilltarëve.
e) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PDSH, që përfaqësojnë Degën ose janë me banim në degën përkatëse;
f) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, që përfaqësojnë Degën ose janë me banim në degën përkatëse;
g) Kryetarët e Bashkive të Degës, Prefekti, Kryetari i qarkut, si dhe Këshilltarët vendorë, anëtarë të PDSH;
h) Përfaqësues të zgjedhur prej organizatave partnere, LDG dhe FRPD. Numri i përfaqësuesve për secilën organizatë partnere është deri në 5% e numrit të përgjithshëm të gjithë anëtarëve të përcaktuara në shkronjat e mësipërme të kësaj pike.
Kuvendin e Degës e thërret Kryesia e Degës në marrëveshje me Kryesinë e PDSH. Ai mund të thirret edhe kur e kërkon 1/4 e anëtarëve të degës së Partisë ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit të Degës. Në këtë rast, caktimi i datës dhe i rendit të ditës duhet të bëhet jo më vonë se një muaj nga marrja e kërkesës. Njoftimi i datës dhe i rendit të ditës në çdo rast duhet të bëhet 5 ditë përpara.
Kuvendi i Degës së PDSH, me propozim të Kryesisë miraton Komisionin e Mandateve, Sekretarinë e Kuvendit dhe plotëson 2/3 e anëtarëve të Komisionit të Numërimit të Votave.
Kuvendi i Degës së PDSH, ushtron këto përgjegjësi dhe të drejta:
a) zgjedh Kryetarin e Degës;
b) vendos për çështje të rëndësishme politike të Degës;
c) i adreson kërkesa organeve qendrore të PDSH për çështje që e gjykon të arsyeshme;
d) përmbush çdo detyrë tjetër të caktuar me vendim të Kryesisë së PDSH.
Kur Kuvendi është i mbledhur, të drejtën për të adresuar propozime dhe kërkesa për mocion për çështje të veçanta e kanë Kryesia e PDSH, Kryesia e degës, 15 për qind e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit me të drejtë vote. Kërkesat për propozim kandidaturash dhe mocionet e shkarkimit të organeve të degës duhet të jenë miratuar paraprakisht në Kryesinë e PDSH.
Neni 35
Kryesia e Degës së Partisë
Kryesia e Degës është organi më i lartë për drejtimin e Degës së Partisë ndërmjet dy kuvendeve. Ajo vendos për të gjitha çështjet që nuk janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit të degës apo e organeve qendrore të PDSH.
Kryesia e Degës përbëhet nga:
a) Kryetari dhe Nënkryetari i Degës;
b) Kryetarët e Grupseksioneve të Degës;
c) Sekretari i Degës si dhe Sekretarët Funksionalë të Degës;
d) Deputetët e PDSH të zgjedhur në territorin e Degës apo që janë caktuar të mbulojnë Degën me vendim të Kryesisë së PDSH;
e) Kryetari i Grupit të Këshilltarëve bashkiakë, si dhe Kryetari i Bashkisë dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak, kur i përkasin PDSH;
f) Kryetari i Bordit Financiar;
g) Kryetarin vendor të LDG dhe FRPD.
Në mbledhjet e Kryesisë së Degës marrin pjesë pa të drejtë vote edhe anëtarët e Bordit të Këshilltarëve.
Kryesia ushtron këto përgjegjësi dhe të drejta:
i propozon Kryesisë së PDSH të paktën dy kandidatë për funksionin e Sekretarit të Degës;
zgjedh sekretarët funksional të Degës;
zgjedh Kryetarin e Bordit Financiar të Degës
zgjedh anëtarët e Bordit të Këshilltarëve, duke caktuar edhe fushat që do të mbulojë secili prej tyre.
vendos për strukturën organizative të Degës që do t’i dërgohet për miratim Kryesisë së PDSH.
drejton dhe organizon të gjithë veprimtarinë e Partisë në territorin ku vepron në përputhje me statutin e rregulloret e PDSH, aktet e nxjerra nga organet qendrore të Partisë, si dhe vendimet e detyrat e lëna nga kuvendet e Degës së PDSH;
ndërhynë në rastet e shkeljes së akteve që rregullojnë funksionimin e brendshëm të PDSH nga seksionet, grupseksionet dhe përcaktonrregullat e procedurat për normalizimin e tyre;
organizon dhe drejton zgjedhjet në strukturat lokale të Partisë si dhe fushatat elektorale e referendare;
formulon dhe paraqet para organeve eprore kërkesat dhe propozimet në emër të Degës së Partisë;
Miraton kandidaturat me konkurrentë alternativë për personat që zgjidhen e emërohen si funksionarë politikë të Partisë dhe kur një gjë e tillë nuk është kompetencë e Kuvendit të degës;
siguron dhe është përgjegjëse për veprimtarinë koherente të strukturave në varësi të saj, me veprimtarinë e përgjithshme të partisë në çështjet e organizimit, veprimtarive politike publike, veçanërisht të fushatave elektorale.
Mbledhja e Kryesisë thirret nga Kryetari të paktën një herë në muaj. Të drejtën e thirrjes së mbledhjes së Kryesisë së Degës për probleme të veçanta e kanë edhe 1/4 e anëtarëve të Kryesisë. Në këtë rast, kryetari njofton datën e mbledhjes jo më vonë se dhjetë ditë nga marrja e kërkesës. Në çdo rast, rendi i ditës dhe materialet e shkruara u njoftohen anëtarëve të Kryesisë jo më vonë se dy ditë para datës së mbledhjes.
Kryesia e Degës, mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme në Grupseksion, në rastet kur performanca zgjedhore është dukshëm e ulët dhe/ose kur veprimtaria e grupseksionit është më e ulët se objektivat e caktuar nga Kryesia e Degës.
Neni 36
Kryetari i Degës së PDSH
Kryetari i Degës së PDSH zgjidhet nga Kuvendi i Degës me votim të fshehtë nga jo më pak se dy kandidatura. Kandidaturat për Kryetarë Dege duhet të jenë anëtarë prej të paktën 3 vjetësh dhe të plotësojnë kriteret që përcakton Kryesia e PDSH. Kandidaturat propozohen nga seksionet, Kryesia e Degës dhe Kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të Degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga Kryesia qendrore e partisë, e cila miraton përfundimisht propozimet për kandidaturat.
Kryetari i Degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin e degës. Ai organizon funksionimin normal të Kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen e lirë të çdo anëtari të Kryesisë.
Kryetari i Degës i propozon Kryesisë kandidaturat për nënkryetarët e Degës.
Neni 37
Nënkryetarët e Degës
Nënkryetarët e Degës zgjidhen nga Kryesia e Degës nga kandidaturat që propozon kryetari i Degës.
Nënkryetarët ndihmojnë kryetarin në ushtrimin e veprimtarisë së tij, si dhe mbulojnë dhe janë përgjegjës drejtpërdrejtë për veprimtarinë politike në një territor të caktuar elektoral.
Neni 38
Sekretari i Degës
Çdo Degë ka një Sekretar, i cili emërohet nga Kryesia e PDSH, sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme apo në akte të tjera nënstatutore. Sekretari i Degës duhet të jetë të paktën tre vjet anëtar i PDSH.
Sekretari ka për detyrë zbatimin e vendimeve të instancave qendrore të Partisë në Degën përkatëse. Ai organizon zgjedhjet në parti. Çdo vit, ai mban një raport të detajuar të punës së tij në Kryesinë e Degës sipas kushteve që përcaktohet në Rregulloren e Brendshme të partisë.
Çdo vit dhe jo më vonë se fundi i tremujorit të parë pas mbylljes së vitit ushtrimor, Sekretari i Degës i paraqet Kryesisë së Degës një raport të veprimtarive, ku veçanërisht të përfshihen:
a) Anëtarësimet;
b) Financimi i Partisë;
c) Funksionimi organizativ i strukturave.
Raporti shoqërohet me një debat. Pas vërejtjeve të mundshme të Kryesisë së Degës, Sekretari i Degës paraqet raportin dhe vërejtjet pranë Kryesisë Qendrore të Partisë.
Neni 39
Sekretarët Funksionalë të Degës
Sekretarët Funksionalë të Degës, janë strukturë ndihmëse e Kryetarit dhe Sekretarit të Degës, të cilët zgjidhen nga Kryesia e Degës, nëpërmjet të paktën dy kandidaturave për secilin pozicion.
Çdo Degë ka 4 (katër) Sekretar Funksional, që mbulojnë fushat respektive sipas organizimit të Sekretarëve Funksional të PDSH.
Detyrat që përmbush secili Sekretar caktohen në Rregulloren e Brendshme dhe/ose me udhëzim/vendim të Kryesisë së PDSH.
Neni40
Bordi i Këshilltarëve
Pranë çdo Dege të PDSH ngrihet dhe funksionon Bordi i Këshilltarëve, në përbërje të të cilit zgjidhen individë me reputacion të lartë në Degë, personalitete të fushave të ndryshme të njohur për aktivitetin e tyre publik dhe promovimin e vlerave të qendrës së djathtë.
Fusha e veprimtarisë që mbulon secili prej anëtarëve të Bordit të Këshilltarëve përcaktohet me vendim të Kryesisë së Degës, sipas standardeve unike të përcaktuara me vendim të Kryesisë së PDSH.
Bordi i Këshilltarëve është përgjegjës për hartimin e politikave dhe qëndrimeve sektoriale vendore; kontribuon me opinione dhe bashkëpunon në hartimin e platformave, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat përfshihen në programin elektoral, programin e qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH.
Anëtarët e Bordit të Këshilltarëve sigurojnë koordinimin e veprimtarisë politike që ndërmerr Kryesia e Degës në fushat që mbulojnë.
Bordi i Këshilltarëve përgjigjet për punën e tij përpara Kryetarit dhe Kryesisë së Degës.
Rregullat e hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Bordit të Këshilltarëve përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH.
Neni 41
Koordinimi i veprimtarisë politike në nivel Qarku
Koordinimi i veprimtarive politike dhe organizative të Degëve të PDSH në nivel Qarku, si dhe rregullat për drejtimin, organizimin dhe zhvillimin e fushatave elektorale për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, përcaktohet rast pas rasti me udhëzim të Kryetarit të PDSH.
Neni 42
Aparati Administrativ
Në përputhje me mundësitë e saj financiare dhe me miratim të Sekretarit të Përgjithshëm, Dega e PDSH kanë aparatin e tyre administrativ, i cili funksionon sipas një rregulloreje të brendshme. Kryetari i Degës emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate.
Neni 43
Financimi i strukturave vendore të PDSH
Fiancimi i strukturave vendore bëhet nga:
a) shuma në formë granti që akordon Kryesia qendrore;
b) kuotizacioni i anëtarësisë së territorit përkatës, të cilat shpërndahen sipas niveleve të ndryshme të organizimeve territoriale sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren financiare;
c) kontributi që derdhin të zgjedhurit vendor e në qendër, shumë e cila përcaktohet nga Kryesia e rrethit;
d) burime të tjera financiare që autorizon ligji për partitë politike.
Kryetari i Bordit Financiar (trezorierit) të Degës emërohet nga Kryesia, pasi ka marrë pëlqimin paraprak të tresorierit të PDSH në qendër. Ai është përgjegjës përpara Kryesisë për fondet që ka në ngarkim.
Bordi financiar i organeve vendore të partisë përbëhet nga një numër anëtarësh sipas vendimit të Kryesisë përkatëse. Ai zbaton me rigorozitet në ushtrimin e detyrave të tij rregulloren e brendshme financiare të Partisë.
Neni 44
E drejta e informimit
Organet Qendrore të PDSH kanë të drejtë t’u kërkojë organeve vendore çdo informacion lidhur me jetën e Partisë që i duket i nevojshëm. Këtë të drejtë e kanë edhe organet drejtuese vendore ndaj strukturave nën varësi.
Neni 45
E drejta e ndërhyrjes
Në rast se Kryetari dhe/ose Kryesia e Degës thyejnë rëndë ose në mënyrë të përsëritur Statutin, dhe aktet e tjera të nxjerra nga organet qendrore në zbatim të tij, ose kur paralizohet veprimtaria normale e Degës, Kryesia e PDSH me propozim të Kryetarit të PDSH, ka të drejtën e ndërhyrjes dhe, në raste të veçanta, të pezullimit të tyre e të komandimit të organeve drejtuese vendore respektive deri në mbledhjen e Kuvendit të Degës.
Kryesia e PDSH, me propozim të Kryetarit të PDSH, ka të drejtën e ndërhyrjes edhe në rastet e zbatimit të gabuar të akteve dhe procedurave në funksionimin e degëve të Partisë.
Kryesia e PDSH, me propozim të Kryetarit të PDSH, ndërhyn në mënyrë të veçantë në rastet e konflikteve në procesin e propozimit të kandidaturave elektorale. Këto të drejta i ka edhe Kryesia e Degës ndaj seksioneve e grupseksioneve që ndodhen në territorin e saj.
KREU V
ORGANET QENDRORE TË PARTISË
Neni 46
Organizimi i Përgjithshëm i Partisë Demokratike
Organet vendimmarrëse qendrore të PDSH janë:
a) Kuvendi i Partisë;
b) Këshilli Kombëtar;
c) Kryetari dhe zëvendësit e tij;
d) Kryesia e PDSH;
e) Sekretari i Përgjithshëm;
Organet ndihmëse qendrore të PDSH janë:
a) Kolegji i Kryetarëve;
b) Sekretarët funksional;
c) Departamentet;
d) Komiteti i Orientimit të Politikave;
e) Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave;
f) Komisioni i Integritetit dhe Etikës.
Organet kontrolluese dhe garantuese qendrore të PDSH janë:
a) Komisioni Zgjedhor;
b) Komisioni i Apelimit;
c) Bordi Financiar
Neni 47
Kuvendi Kombëtar i Partisë
Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë.
Kuvendi Kombëtar përbëhet nga:
a) Kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e atyre seksioneve që kanë mbi 50 anëtarë të regjistruar deri ditën e zhvillimit të Kuvendit të Degës së PDSH;
b) Kryetarët dhe sekretarët e grupseksioneve të Partisë Demokratike;
c) Anëtarët e Kryesive të degëve, përfshirë anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të Degës;
d) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
e) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
f) Sekretarët funksionalë të Partisë Demokratike, koordinatorët tematikë, koordinatorët e procesit zgjedhor në Degët e Partisë Demokratike dhe funksionarët e Selisë Qendrore të Partisë Demokratike;
g) Kryetarët e Bashkive të Degës, Prefekti, Kryetari i Qarkut, dhe këshilltarët vendorë, anëtarë të PDSH;
h) Anëtarët e Kryesive të Degëve të PDSH.
i) Një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere LDG dhe FRPD, në numër të barabartë sa 5 për qind e numrit të anëtarëve.
Në punimet e Kuvendit Kombëtar mund të marrin pjesë edhe personalitete të ftuara nga brenda ose jashtë vendit.
Kuvendi Kombëtar mblidhet si rregull çdo katër vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH me propozim të Kryetarit të PDSH. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.
Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.
Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar, për çështje që janë në kompetencë të tij, përveç rasteve kur ky Statut përcakton ndryshe, e kanë:
a) Kryetari i Partisë;
b) Këshilli Kombëtar;
c) Kryesia e PDSH;
d) jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë Degë të PDSH. Kërkesat për propozim kandidaturash sipas kësaj gërme, duhet t’i nënshtrohen të njëjtave procedura si të tre gërmave të para.
Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë.
Neni 48
Kompetencat e Kuvendit Kombëtar
Kuvendi Kombëtar:
1.vendos për programin e Partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH në nivel qendror e vendor, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;
2.miraton Statutin e PDSH dhe ndryshimin e tij;
3.zgjedh me votim të fshehtë Këshillin Kombëtar nga një listë, ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues sipas modaliteteve të përcaktuara nga Kryesia e PDSH;
4.vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;
5.me propozim të Kryesisë Qendrore ose të Këshillit Kombëtar zgjedh Kryetarët e Nderit, i cili ka vend e votë në organet qendrore të PDSH për gjithë jetën;
6.vendos shpërndarjen e Partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;
7.miraton Komisionin e Drejtimit të Punimeve, si dhe Komisionet e Mandateve, të kërkesave dhe të votimit, që përgjigjen për mbarëvajtjen e punimeve të tij.
Neni 49
Këshilli Kombëtar
Këshilli Kombëtar, në përputhje me programin, Statutin dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar, drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy Kuvendeve.
Këshilli Kombëtar përbëhet nga:
a) Kryetari dhe Nënkryetarët e PDSH;
b) Sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë të Partisë;
c) Ish-Presidentët, ish-Kryeministrat, ish-Kryetarët e Kuvendit dhe ish-Kryetarët e PDSH, që janë anëtarë të PDSH në momentin e thirrjes së Këshillit Kombëtar;
d) Deputetët;
e) Ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH
f) Kryetari i Bordit Financiar të Partisë;
g) Anëtarët e Kolegjit të Kryetarëve;
h) Kryetarët e organizatave partnere;
i) Drejtuesit e Departamenteve të PDSH;
j) Kryetarët e Bashkive dhe Kryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike;
k) Anëtarë të zgjedhur sipas këtij Statuti. Numri minimal i anëtarëve të zgjedhur në Kuvendin Kombëtar është jo me pak se 100 persona, por në çdo rast nuk duhet të jetë më i vogël se shuma totale e dalë sipas shkronjave të tjera të kësaj pike.
Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 30%. Numri i të rinjve fitues, që propozohen sipas modaliteteve që parashikohen në Rregulloren e Brendshme, të mos jetë më pak se 15%. Nëse kuotat e mësipërme nuk plotësohen nga renditja e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja.
Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë. Në rastin e masave disiplinore vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave. Mbledhjet e Këshillit Kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve.
Neni 50
Kompetencat e Këshillit Kombëtar
Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari, ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit, pas konsultimit me Kryesinë e Partisë. Këshilli Kombëtar, si rregull, mblidhet jo më pak se një herë në vit. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij. Në këtë rast, Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.
Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes.
Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet e rëndësishme politike që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë Statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.
Këshilli Kombëtar zgjedh dhe/ose shkarkon, me votim të fshehtë:
a) Sekretarin e Përgjithshëm;
b) Nënkryetarët e Partisë;
c) Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së PDSH;
d) Sekretarët funksionalë;
e) Komisionin e Apelimit;
f) Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë.
Këshilli Kombëtar, me propozim të Kryesisë së PDSH ose Kryetarit të Partisë, ushtron edhe këto përgjegjësi apo të drejta:
a) miraton Rregulloren e Brendshme dhe aktet e tjera të nevojshme nënstatutore për zbatimin e këtij Statuti apo mbarëvajtjen e punës në Parti,
b) Miraton listën e kandidaturave elektorale sipas vendimit të Kryesisë së PDSH.
c) shpall masat disiplinore për anëtarët e Këshillit Kombëtar apo Kryesisë së PDSH, të cilat mund të ankimohen pranë Komisionit të Apelimit.
d) miraton koalicionet para apo pas zgjedhore.
e) miraton strategjitë dhe programin elektoral e politik të PDSH.
Jo më pak se 15 për qind e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë të drejtën që jo më vonë se 24 orë përpara mbledhjes së tij, të propozojnë kandidatë alternativ për çdo funksion politik që zgjidhet nga ky organ sipas pikës 3 të këtij neni.
Neni 51
Kryetari i Partisë
Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.
Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë në varësi të problematikave apo çështjeve specifike mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë apo të deleguar, të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, apo drejtimin e procesit të ngarkuar.
Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH.
Kryetari i Partisë në përmbushje të funksioneve të tij dhe garantimit të mbarëvajtjes së punës në parti, nxjerr urdhra dhe udhëzime, në bazë dhe për zbatim të këtij Statuti, si dhe të vendimeve të organeve drejtuese të Partisë.
Neni 52
Kryesia e PDSH
Kryesia e PDSH përbëhet nga:
Kryetari i Partisë;
Nënkryetarët e Partisë;
Sekretari i Përgjithshëm, dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar;
Kryetarët e organizatave partnere;
15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante.
Zëdhënësi i Partisë, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga Kryetari i PDSH.
Neni 53
Kompetencat e Kryesisë
Kryesia e PDSH ndjek dhe siguron zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar.
Kryesia vendos për të gjitha çështjet që nuk janë e drejtë ekskluzive sipas këtij statuti e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, si dhe miraton marrëveshjet politike.
Kryesia ka të drejtën e ndërhyrjes dhe refuzimit të kandidaturave të përzgjedhura nga organet vendore të Partisë.
Kryesia, me propozim të Kryetarit, emëron:
a) Koordinatorët tematikë të Komitetit të Orientimit të Politikave, si dhe Drejtuesit e Departamenteve të PDSH;
b) Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve;
c) Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Integritetit dhe Etikës;
d) Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit Zgjedhor;
e) Anëtarët e Bordit Financiar
f) Sekretarin e Degës së PDSH.
Kryesia e PDSH vendos për:
a) kandidatët për Kryetar të Degëve të PDSH;
b) kandidatët për kryetarë bashkie,
c) kandidatët për deputetë, pas konsultimit me anëtarësinë e plotë të PDSH. Lista e kandidatëve për deputet i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar.
Kryesia ka të drejtë të vendosë për thirrjen e Kuvendit për zgjedhje të reja të Degës së Partisë dhe caktimin e organeve drejtuese të përkohshëm të degës në përputhje me këtë Statut.
Cakton kriteret e përfaqësimit brenda strukturave të PDSH, vendos për kandidaturat në përputhje me kërkesat e këtij Statuti dhe akteve të tij nënstatutore.
Miraton strukturën organike të PDSH dhe atë të pagave.
Vendimet në Kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kryesisë. Në rast se nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, atëherë mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga kuorumi.
Kryesisë ka të drejtë t’i adresohet, secili prej anëtarëve të saj, edhe çdo Kryesi dege, e organizatë partnere.
Neni 54
Grupi Parlamentar i Partisë
Grupi Parlamentar i PDSH përbëhet nga deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
2. Grupi Parlamentar i PDSH:
a) Përfaqëson në Parlament PDSH dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të PDSH;
b) Harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në Parlament dhe në zonat elektorale përkatëse;
c) Vendos për ndarjen e anëtarëve të tij në komisionet parlamentare;
d) Harton rregulloren e funksionimit të Grupit parlamentar;
e) I propozon Këshillit Kombëtar për çështjet që janë kompetencë e këtij të fundit.
Neni 55
Sekretari i Përgjithshëm
Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për organizimin e partisë, si dhe për funksionimin e përditshëm të saj.
Ai organizon dhe ndjek zbatimin e akteve të nxjerra nga organet qendrore të partisë në degët e PDSH. Ai ndihmohet në punën e tij nga sekretarët funksionalë.
Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet në përputhje me Nenin 50 të Statutit.
Neni 56
Nënkryetarët e Partisë
1.Nënkryetarët e PDSH zgjidhen sipas përcaktimeve të këtij Statuti.
Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje, etj.), Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar.
Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit parlamentar.
Neni 57
Sekretarët funksionale
Sekretari i Përgjithshëm në ushtrimin e kompetencave të tij ndihmohet nga 4 (katër) sekretarë funksionalë, të cilët zgjidhen nga Këshilli Kombëtar, midis dy kandidaturave për secilin pozicion, të propozuara nga Kryetari i PDSH.
Çdo Sekretar Funksional mbulon fushat që përcaktohen me udhëzim të Kryetarit të PDSH.
Detyrat dhe përgjegjësitë e detajuara të Sekretarëve funksionale përcaktohen në Rregulloren e Brendshme dhe/ose me udhëzim/vendim të Kryesisë së PDSH.
Neni 58
Kolegji i Kryetarëve
Kolegji i Kryetarëve, përbëhet nga të gjithë Kryetarët e Degëve të PDSH, dhe është strukturë ndihmëse dhe këshillimore e Kryetarit të Partisë.
Kolegji i Kryetarëve, ushtron këto përgjegjësi:
a) diskuton dhe vendos mënyrën e përmbushjes së detyrave në kuadër të një aksioni apo aktiviteti politik, sipas vendimeve të marra nga organet drejtuese të PDSH.
b) këshillon Kryetarin e Partisë për ndërmarrjen e aksioneve politike dhe iniciativave që sigurojnë mbarëvajtjen e punës në Parti.
c) mbështet Kryetarin e Partisë në përmbushjen e detyrave të caktuara nga organet drejtuese të Partisë.
Neni 59
Departamentet
Pranë PDSH ngrihen dhe funksionojnë Departamentet, si strukturë këshillimore e Kryesisë dhe Kryetarit të PDSH. Numri i Departamenteve dhe fusha e veprimtarisë që mbulojnë përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
Drejtuesit e Departamenteve zgjidhen me propozim të Kryetarit nga Kryesia e PDSH.
Departamentet janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH. Departamentet sigurojnë koordinimin e veprimtarisë në fushat që mbulojnë ndërmjet partisë dhe grupit të saj parlamentar.
Departamentet përgjigjen për punën e tyre pranë Kryetarit të Partisë. Çdo vit ato hartojnë një raport për veprimtarinë vjetore, i cili i paraqitet për njohje Kryesisë së Partisë.
Rregullat e hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Departamenteve përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH.
Neni 60
Komiteti i Orientimit të Politikave
Komiteti i Orientimit të Politikave përbëhet nga koordinatorët tematikë dhe nga teknicienë të shquar të fushave të ndryshme. Komiteti i Orientimit të Politikave ka për detyrë hartimin, propozimin dhe zbatimin e projekteve politike të PDSH për çështje specifike apo të përgjithshme tematike, të cilat miratohen nga organet drejtuese të saj. Kjo strukturë siguron marrjen e kontributit dhe mendimit të individëve apo organizatave me autoritet profesional, në fushën e ekspertizës që mbulojnë.
Neni 61
Koordinatori tematik
Koordinatorët tematikë për çështje të veçanta emërohen nga Kryesia e PDSH me propozim të Kryetarit. Ata janë përgjegjës për veprimtarinë dhe reflektime programore të PDSH në fusha të caktuara me rëndësi për veprimin publik politik të saj në shkallë vendi dhe më gjerë. Ata përgjigjen dhe raportojnë për veprimtarinë e tyre përpara Komitetit të Orientimit të Politikave dhe Kryetarit të Partisë.
Neni 62
Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve
Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është strukturë ndihmëse e Kryesisë së PDSH dhe ka në përbërje 5 anëtarë. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së PDSH.
Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve shqyrton kandidaturat e propozuara nga strukturat lokale të Partisë dhe atyre të vetëpropozuara për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë.
Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve i raporton Kryesisë së PDSH mbi përmbushjen nga kandidatët të kritereve të parashikuara formale, atyre të pastërtisë së figurës, si dhe të elementëve të tjerë të nevojshëm për ecurinë në karrierë sipas këtij Statuti.
Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët miratohen me Rregulloren e Brendshme dhe lidhen kryesisht, por pa u kufizuar, me arsimimin, integritetin, ligjshmërinë e pasurisë, të shkuarën gjatë regjimit komunist, mospasjen e rekordeve kriminale, si dhe standardet dhe rregullat e përcaktuara nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës.
Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve bashkëpunon në realizimin e këtij procesi me Komisionin e Integritetit dhe Etikës, për mbledhjen dhe vlerësimin e të dhënave mbi kandidatët.
Çdo kandidat është i detyruar që të plotësojë një vetëdeklarim mbi të dhënat e tij, si dhe të paraqesë çdo dokument të kërkuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, që provon përmbushjen e kritereve dhe standardeve etike të përcaktuara nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës.
Neni 63
Komisioni i Integritetit dhe Etikës
Komisioni i Integritetit dhe Etikës, është strukturë ndihmëse e Kryesisë së PDSH, dhe ka në përbërje 5 anëtarë. Anëtarët e Komisionit të Integritetit dhe Etikës zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së PDSH.
Komisioni i Etikës, ushtron këto të drejta dhe përgjegjësi:
a) përcakton rregullat e bashkëjetesës në Parti dhe normat minimale të sjelljes së anëtarëve dhe respektit ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë të partisë.
b) përcakton kriteret dhe standardet minimale të etikës që duhet të përmbushin kandidatët për funksionet drejtuese të partisë apo kandidaturat elektorale, që miratohen nga Kryesia e PDSH.
c) rregullat dhe formën për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave që lidhen me cilësitë e secilit kandidat, që lidhen kryesisht, por pa u kufizuar, me arsimimin, integritetin, ligjshmërinë e pasurisë, të shkuarën gjatë regjimet komunist, pastërtinë e figurës në kuadër të mospasjes së rekordeve kriminale.
d) propozon marrjen e masave disiplinore në rastin e shkeljes së etikës dhe disiplinës së brendshme në parti, si dhe jep rekomandime mbi vlerësimin e sjelljes së një anëtari në raport me garantimin e standardeve etike të përcaktuara prej tij.
e) bashkëpunon me Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve për vlerësimin e cilësive etike të kandidatëve për në organet drejtuese të partisë ose kandidaturave elektorale.
Neni 64
Ngritja e Qendrave dhe Instituteve të përhershme apo të përkohshme
Pranë PDSH mund të ngrihen Qendra apo Institute të përhershme apo të përkohshme, si njësi kërkimore, këshilluese dhe trajnuese, të fokusuara në kërkimin dhe edukimin politik.
Rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre, përcaktohen me udhëzim të Kryetarit së Partisë dhe në Statutin e organizatës përkatëse.
KREU VI
ORGANET E KONTROLLIT TË PARTISË
Neni 65
Komisioni Zgjedhor
Komisioni Zgjedhor është përgjegjës për organizimin dhe kontrollin e operacioneve elektorale brenda partisë dhe përbëhet nga shtatë anëtarë titullarë dhe dy ndihmësa. Anëtarët e Komisionit Zgjedhor zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së PDSH.
Komisioni ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar dhe lokal dhe siguron rregullsinë e tyre. Ai ndërhyn në zgjidhjen e çështjeve elektorale në degët e partisë në përputhje me aktet e nxjerra për këtë qëllim. Ai përgjigjet përpara Kryesisë së Partisë.
Ai miraton rregulla të detajuara që garantojnë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, sipas këtij Statuti.
Neni 66
Komisioni i Apelimit
Komisioni i Apelimit përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
Komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë, që është kompetent sipas këtij Statuti. Ai siguron gjatë shqyrtimit të këtyre ankesave të drejtën e anëtarit për një proces të rregullt ligjor. Vendimi i Komisionit është i paapelueshëm. Kur një Kryesi vendos të marrë një sanksion kundrejt një anëtari që mban një mandat zgjedhor, ekzekutiv ose parlamentar, ai nuk mund të bëhet publik veçse nëse vendos Kryesia e PDSH. Në të gjitha rastet e tjera, Komisioni deklaron vetë publikisht vendimet që merr.
Komisioni me kërkesë të Kryesisë së partisë, shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet qendrore, kryesitë apo anëtarët, me Statutin e Partisë. Ai thërret për dëgjim, sipas rastit, të interesuarit.
Komisioni shqyrton çdo kërkesë apo ankesë që ka të bëjë me zbatimin e Statutit dhe rregullave të funksionimit të Partisë mbi një çështje të caktuar dhe merr vendim përfundimtar mbi atë çështje. Komisioni ka të drejtë të shqyrtojë dhe japë vlerësim përfundimtar, edhe mbi interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit.
KREU VII
VEPRIMTARIA EKONOMIKE E PARTISË
Neni 67
Financat e Partisë
Burimet financiare të Partisë përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë, nga granti që jep buxheti i shtetit sipas ligjit, nga ndihma e dhurata publike që njeh ligji për partitë politike, si dhe nga çdo burim tjetër që autorizon ai.
Masa e kuotës së anëtarësisë përcaktohet nga Kryesia e Partisë. Grumbullimi dhe administrimi i kuotave e kontributeve bëhet konform rregullores së brendshme.
Bilancet, ku përfshihen të ardhurat dhe shpenzimet, si dhe Buxheti Vjetor i Partisë, bëhen publike në faqen zyrtare në internet të PDSH.
Neni 68
Bordi Financiar i Partisë
Bordi Financiar i Partisë përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Kryesia e Partisë. Kryetari i Bordit Financiar është anëtarë i Kryesisë së Partisë.
Kryetari i Bordit, i zgjedhur sipas këtij Statutit, është përgjegjës për administrimin e fondeve të Partisë. Ai i kërkon Kryesisë të shprehet për projektin e buxhetit dhe jep llogari para saj për zbatimin e këtij buxheti. Bordi Financiar, paraqet një opinion për projektin e buxhetit dhe propozon për miratim nga Kryesia e Partisë rregulloren e përdorimit të fondeve të partisë.
Bordi i administrimit financiar, kontrollon përdorimin rigoroz të financave të partisë. Në këtë funksion, ai mblidhet për të dhënë mendim:
a) para dorëzimit të bilancit të partisë në organet kompetente shtetërore dhe të partisë;
b) para paraqitjes së buxhetit në Kryesinë e Partisë.
Ai mund të mblidhet edhe me kërkesën e më se gjysmës së anëtarëve për të nxjerrë rekomandime për administrimin financiar të partisë. Këto rekomandime kanë fuqi zbatuese për Kryesinë e Partisë.
Neni 69
Detyrimet pasurore
Kryesia e PDSH nuk mund të marrë përsipër detyrime sipas të cilave anëtarët e saj përgjigjen me pasurinë personale.
Për detyrime tregtare ligjore të Partisë, anëtarët e organeve përkatëse përgjigjen vetëm me pasurinë e Partisë.
Organet e Partisë janë përgjegjëse për detyrimet e një organi më të ulët vetëm në rastin kur ato e kanë miratuar këtë detyrim.
KREU VIII
ORGANIZATAT PARTNERE
Neni 70
Organizatat partnere
Partia ka këto organizata partnere:
Forumin Rinor të Partisë Demokratike;
Lidhjen Demokratike të Gruas.
PDSH mbështet veprimtarinë politike të organizatave partnere në gjithë territorin e vendit.
PDSH garanton përfaqësimin e organizatave partnere në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik. Përfaqësimi i LDG, respekton standardin minimum të parashikuar nga ligji elektoral. Përfaqësimi i të rinjve garantohet me 10 për qind të të zgjedhurve në Këshillat Vendorë, si dhe me 5 për qind të listës së kandidatë për në Kuvendin e Shqipërisë nga kandidaturat që propozohen në bashkëpunim me FRPD.
Miratimi i organizatave të tjera bëhet me vendim të Këshillit Kombëtar dhe duhet konfirmuar nga Kuvendi Kombëtar me ndryshimin përkatës në Statut.
Neni 71
Detyrat dhe kompetencat e organizatave partnere
Organizatat partnere synojnë që të promovojnë idetë dhe programet e PDSH në grupet shoqërore ku ato veprojnë, si edhe të paraqesin e mbrojnë interesat e këtyre grupeve në politikën e PDSH.
Parimet bazë të strukturës së tyre organizative janë të ngjashme me ato të PDSH. Statuti i tyre duhet miratuar paraprakisht nga Kryesia e PDSH.
KREU IX
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 72
Miratimi i akteve zbatuese
Në zbatim të këtij Statuti, sipas rastit, Këshilli Kombëtar, Kryesia e PDSH dhe Kryetari i PDSH, nxjerrin aktet nënstatutore si rregullore, udhëzime, vendime, dhe urdhra, të cilat janë të detyrueshme për zbatim. Çdo njëri prej akteve të mësipërme si dhe statutet apo rregulloret e organizatave partnere nuk duhet të bien në kundërshtim me Statutin e PDSH.
Neni 73
Rishikimi i statutit
Ky Statut mund të rishikohet nga Kuvendi i Partisë me shumicën absolute të anëtarëve të tij sipas propozimeve të Kryesisë së Partisë, së një të katërtës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, pas mendimeve të dhëna nga Komisioni i Përhershëm i Statutit.
Neni 74
Hyrja në fuqi
Ky Statut hyn në fuqi menjëherë me miratimin e tij nga Kuvendi Kombëtar.