75 mijë ton naftë më pak nga importet

Këtë vit gara ndërmjet prodhimit vendas dhe mallrave të importit ka spikatur në disa sektorë. Rivënia në punë e rafinerisë së përpunimit të naftës ARMO, ka ulur në mënyrë drastike importin e karburanteve, teksa importet e birrës kanë fituar terren në tregun vendas.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, importet e karburanteve pësuan rënie vjetore me 22 për qind gjatë tetë-mujorit. Nga 340 mijë tonë naftë të importuara në janar-gusht 2018, më 2017 janë importuar 264 mijë tonë ose 75 mijë tonë më pak. Ky hendek është mbuluar nga prodhimi i naftës në vend nga rafineria ARMO.
Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit.
Në shtator të 2016, Jonian Refining dhe TradingCo–IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO.
Industria e prodhimit të birrës vendase është vënë në vështirësi nga rritja e importeve. Sipas të dhënave të doganave, importet e birrës janë rritur me 22 për qind gjatë tetëmujorit 2017. Në treg janë futur nga importi 4700 tonë birrë më shumë se viti i kaluar. Prodhuesit janë ankuar se birra që hyn nga Kosova po i konkurron fort ata, pasi paguan akcizë për nivelin e prodhimit nën 200 mijë hektolitra.
Importet e cigareve janë rritur me 5 për qind për janar-gusht 2017, por sasia totale e tyre është ende më e ulët se importet në vitet 2012-2013.
Ndërsa importet e kafesë kanë shënuar rënie me 5 për qind, pasi gjatë tetëmujorit janë importuar 96 tonë më pak se vitin e kaluar.
Ministria e Financave ka raportuar se të ardhurat nga akciza gjatë tetëmujorit kanë pësuar rritje vjetore me 9.5 për qind.

Artikulli paraprakBB vë alarmin për Arsimin, Shqipëria dobët në “lexim”
Artikulli tjetërNga sot nis Lotaria Amerikane, si të aplikoni